Turpi i urgjencës së Tiranës
Për doktor Florin dhe vonesën e autombulancës nuk po flas, se u be debat i madh dhe prokuroria e mori në duar, por po ju tregoj për një rast tjetër që unë e kam jetuar para pak kohësh. Rreth orës 19:10 të së enjtes, mbrëmjen e 30 tetorit 2014, kur dielli kish “mbyllur” sytë me kohë, për t’i bërë “qokën” hemisferës tjetër, një djalosh njëzetedyvjeçar që sapo kish sosur studimet në inxhinieri elektronike, komshi i imi, një djalë shumë i edukuar e i ditur, një marshues malesh e skautist turistik, befas ra nga kati i tretë i një pallati në asfaltin e rrugës, rreth 100 metra larg “21 Dhjetorit”. Po kundroja një emision televiziv të Rudina Magjistarit, me një ekspert të policisë rrugore për rregullin-kishte nja dy vjet që ish vendosur në ligj (!!!) neni 72 i Kodit rrugor edhe me sanksionet përkatëse ndëshkuese, por që nga fillimet e këtij tetori duhet të vihej në zbatim ose “Shpat e Damokleut” do të bjerë mbi mosbatuesit-që duhet të zbatojnë të gjithë shoferët shqiptarë për mbajtjen e kutisë së ndihmës së shpejtë, trekëndëshi i ndihmës së shpejtë me jelekun e verdhë fosforeshent, trekëndëshin e rrezikut të kuq dhe fiksen e zjarrit. Bravo thash me vete. I gjithë shteti është në këmbë, qindra mijë shoferë që vrapojnë kush e kush më i pari për të blerë pajisjet, për të mos “gëlltitur gjobën nga 5000-20000 lekë penalitet, që në gërmim të mendjes time, llogarita sërish rrogëzat e shqiptarëve të shkretë, jo të “shërbëtorëve të pasur të popullit”. Ato vraponin nëpër farmaci, blinin kutinë e ndihmës së shpejtë dhe rishtazi riktheheshin aty, sepse kutitë ishin të skaduara për shkak të “mykësisë” së tyre kohore! Poterë e madhe. Në kulmin e emisionit, madje po mbaja edhe një shkurtësi shënimesh, dëgjova klithma tmerruese jashtë. Dola në dritare kur ç’të shoh, poshtë pashë, djalin e ri që as nuk jepte e merrte dhe vëllanë e tij, njëzetekatërvjeçar që qante me të madhe dhe thirrte si me SOS, e nxirrte klithma për ndihmë, që nuk do t’i harroj kurrë deri sa të mbyll sytë. Brofa në këmbë dhe për tre minuta zbrita poshtë. Policia ishte aty. U habita për shpejtësinë e informacionit! Mendi, vëllai i tij i shkolluar e i fisëm fliste me ton dhembshurie: “Xhaxhi Irfan bjeri 107-tës shpejt, për autombulancën, se e kam lajmëruar edhe unë”. I rashë 107 me celularin tim dhe përtej telefonit më doli një zë gruaje më duket, dhe më tha se është nisur autombulanca. Pritëm e pritëm! U mblodh gjithë lagja. Klithma grash e vajzash, dhembshuri shpirtërore e lot burrash, që rrallë i punojnë neuronet e lotit! Një burrë i imët, kurajoz e i zgjuar bërtiste: “mos e prekni se mos ka thyer shtyllën kurrizore”. Policët merrnin e jepnin me radio për të kryer ligjërisht detyrën! Erdhi autoambulanca,- bërtitën të gjithë pas nja 20 minutash! Sa “shpejt” thashë me vete sërish dhe solla nëpërmend një udhëtim nga Londra në Edinburg, ku minutat kishin rrjedhur deri tek 40, e orës për të mbërritur në zemër të Skocisë, të legjendarit Williams Wollas. Në pritje të “meteorit-autombulancë” mendoja me vete: ja tek është Poliklinika 7, tre “foot” nga “Njëzetenjëshi” si nuk ka një autoambulancë për t’i shërbyer popullit, se për “ATA” të tjerët “Xhepmbushurit” do të vinte “alikopteri” ose “Droni Njëmijëeurosh”. Sidoqoftë ja mbërriti “autoambulanca”. Epo thashë do të jetë një mjet me të gjitha pajisjet brenda, e me personel të specializuar, qoftë me mjek dhe infermierë ashtu edhe me sanitarë të mesëm – që “nxjerrin” shkollat profesionale të infermierisë madje edhe me ekspertizë gjermane si shkolla profesionale e Kamzës- për të mbajtur ekuilibrin trupor siç e kanë italianët, gjermanët, britanikët, amerikanët, polakët, malazezët, vëllezërit tanë në Maqedoni etj. Zbret shoferi, një madhosh në trup, mjeku rreth të gjashtëdhjetëepestave me një çantë si doktor-profesor që shkoi t’i afrohej djaloshit… “Shpejt barelën”- bërtiste vëllai i të dëmtuarit. Barela mezi dilte nga vendi, bashkë me mbajtësen të dyja së toku përdukeshin si dy vjeturina që mund të arkeologosh tek “Spitali Amerikan”, “Salusi” italian, “Spitali Gjerman” e “cetera e cetera”. As çarqafë, as dyshekë,as…“Oksigjenin, oksigjenin”-bërtisnin në kub lagjetarët, burra e gra. Po ku ta gjenin oksigjenin të varfrit, njerëzit e mirë e të fisëm të lagjes time. Ajo nuk ishte një autoambulancë, por një fugon i vjetër – siç tha një banor – pa ndenjëse, e boshatisur, një realitet i mjerimit të kryeqytetasve, i një vendi që për shumë e shumë vjet i kushtoi rëndësi rrugëve, autostradave dhe rrugëzave, jo standarde të kënd e anë Shqipërisë, e jo ngritjes një sistemi shëndetësor para çdo gjëje, ndoshta edhe para shkollave, se aty nuk shkojnë më shumë fëmijë, adoleshentë, të rinj e të reja si rezultat i mjerimit trishtues të barnave, automjeteve, helikopterëve, pasjeve shëndetësore e aparaturave, mungesës së parave për t’i dërguar jashtë fëmijët apo në spitalet stratosferike, “gllabërueseve” të parave të shqiptarëve të pasur, të mesëm ndoshta dhe e borxhlijve shqiptarë, që duan shpëtim. Sepse “Nënë Tereza”, jo ajo e të varfërve të Kalkutës, por e ministrave e drejtueseve të “Shëndetësisë” të pangopshëm, të cilët mblodhën paratë e taksapaguesve shqiptarë, e i “degdisën” për veten e tyre në banka komode të huaja, për t’i patur si trashëgim në “përjetësinë” e breznive të tyre. Shumë burra e gra të mesëm e të breznisë së tretë, që u rropatën në diktaturë e “Demokraturë” për të fituar bukën e gojës, kanë ndaluar jetët e tyre vetëm, për papërgjegjshmëri e kriminalitet të qeverive të 23 vjetëve. Se “ATA” ose “ata” menduan e mendojnë vetëm e vetëm për familjarët e tyre, e për tu përdredhosur nëpër kancelaritë qindravjeçare europiane e tejatlentikase. Dhe njëzetedyvjeçari. “Kapeni me ku
jdes djalin e vendoseni në barelë, se duhet ju, që jeni të specializuar, t’i shërbeni”,- bërtisnin, vëllai i të dëmtuarit, që nuk merrte e jepte dhe banorët e lagjes, mjekut të plogësht, infermieres e shoferit. “Nuk kam ardhur për të mbajtur unë pacientin”,- këlthiste mjeku i lodhur nga jeta. Unë së toku me disa banorë të lagjes e Mendi e mbajtëm me kujdes dhe me vështirësi e futëm në “Auto-Fugonin” e “mjekësisë” shqiptare. Ishte një protestë e një lagjeje. “Kam qenë në Australi tek vajza për një vit”,- thoshte një grua rreth të pesëdhjetave- “o zot ku jetojmë”! “Në Itali kur kam qenë tek djali, kishte në autoambulancat moderne edhe qafore trupore, për rastet e aksidentuara”- vijonte Luti, një shtatëdhjetëvjeçar i mirë e i fisëm nga Tirana, tek bisedonim me Gimin, Ganiun, Istrefin, Fotin, e tjerë njerëz të mirë të lagjes sime, që fitojnë bukën e gojës e pensionojnë, me ato pak para, që ju jep “shteti” ose që taksohen nga shteti si privatë mikrodyqanesh. Shkova tek Spitali ushtarak, me urban vetëtimthi, pasi atje e kish dërguar autoambulanca djaloshin tonë të lagjes, si spital i traumave. Babai i 22-vjeçarit, komshiu im i shkolluar e tepër njerëzor, që punon në Elbasan prej vitesh, pasi në Tiranë si rezultat i “Reformës” së disa viteve më parë, ju shkurtua vendi i punës, më thotë se tani po i bëhen të gjitha, me skaner e gjithçka dhe personeli është i përkushtuar, por patëm problem transportin edhe këtu. Roja private më thotë: “Keni ardhur për atë të riun e rrëzuar, është tek skaneri, e pastaj do ta bienë në reanimacion. Sa vinë këtu! Ka ardhur edhe një vlonjat me dy plumba, i plagosur”. Ora 21.30’. Në oborr pesë qenër të zinjë, të bardhë e bojëkafë këlthitnin me sa fuqi që kishin, duke u bërë tepër të bezdisshëm për të sëmurët e familjarët. Bashkia si rezultat i “promemorjes” për qentë nuk bëzan! Ministria e Shëndetësisë nuk e di nëse ka projektuar, që në të ardhmen të përgatisë personel vetëm për transportin e të dërgojë ambulanca, jo si ajo e së enjtes mbrëma, në të gjitha poliklinikat e lagjeve të kryeqytetit, për të qenë më afër të sëmurëve se nuk po flasim për infarktet të verës apo dimrit të ftohtë, e kur bie shumë shi, se për të shkuar urgjenca në destinacion, duhet të presim kur një kompani amerikane t’i prodhojnë-pasi është në eksperimentim-makinat që flurojnë mbi rrugët e metropoleve amerikane. Ata, amerikanët , do të jetojnë mbas dy-tre dekadash edhe në planetin Mars. Disa miliarderë e milionerë dollarësh amerikanë, kanë vendosur emrin në listë. Mund të ketë edhe ndonjë pushtetarë niveli të lartë, ish ose të sotëm, në opozitë apo pozitë që e ka regjistruar emrin. Nuk bëzajta për qytetet e tjera, fshatrat e thellinat e hashashit ose jo… Nga Lapraka u nisa në këmbë pasi urbani i linjës stoponte prej aty në 21 e 30 minuta….