Turqia: Shqipëria, partneri ynë strategjik në Ballkan
Turiqa konsideron Shqipërinë si partnerin e saj strategjik në Ballkan, e si të tillë, edhe si një mundësi mjaft të mirë për të intesifikuar në të ardhmen investimet në territorin e saj. Një fakt i tillë është konkluduar gjatë takimeve që ministri i Ekonomisë së Turqisë, Nihat Zejbekxhi, ka zhvilluar me autoritete të larta shqiptare gjatë vizitës së tij në vendin tonë. “Dua të theksoj rëndësinë e kësaj vizite. Marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira dhe ecin në nivelin pozitiv. Marrëdhëniet ekonomike dhe vëllimi tregtar është rritur rreth 4 herë, është 4-fishuar. Aktualisht janë mbi 300 firma që veprojnë në Shqipëri dhe investimet e tyre arrijnë në 1 miliardë dollarë. Mendoj se potencialet ekonomike dhe tregtare të dy vendeve nuk duhet të jenë të kufizuara, por duhet të zgjerohen më shumë. Prandaj ne si shtet i inkurajojmë investitorët tanë të realizojnë investime në Shqipëri, sepse në Shqipërinë e shikojnë si një partner strategjik në Ballkan”, – ka deklaruar saktësisht nga Tirana, kreu i ekonomisë turke. Duke lënë të nënkuptohet në këtë mënyrë synimin e qartë të palës turke për t’i përforcuar pozitat e saj ekonomike në vendin tonë. Teksa ka theksuar që në fillim të fjalës së tij se është i lumtur që ndodhet në Shqipëri, në një vend sipas tij mik dhe vëlla i Turqisë. Por edhe deklaruar ndër të tjera se Shqipëria shikohet si një partner kudo, në investime, logjistike, bashkëpunim, etj. E në këtë kuadër, ministri i ekonomisë turke, nuk mundi të linte pa përmendur edhe faktin se është rënë dakord për një çështje të rëndësishme siç është marrëveshja e tregtisë së lirë, duke theksuar se nisur edhe nga lidhjet e vjetra historike, duhet të ketë një partneritet të mirë edhe në ekonomi. Sipas tij, Shqipëria është partner i rëndësishëm e me rëndësi strategjike për Turqinë dhe ekzistojnë hapësira për ta intensifikuar bashkëpunimin midis dy vendeve, sikundër në të ardhmen do të vijnë edhe më shumë biznese turke që do të zgjedhin të investojnë në Shqipëri. “Përsëris që sot ramë dakord që të krijohet një grup teknik midis dy vendeve që duhet të mblidhet çdo muaj”. Ndërkaq, në kuadrin e vizitës së tij në Shqipëri, u parashikua edhe inaugurimi i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Turqi. Nga ana e tyre, ministrat shqiptarë Arben Ahmetaj, Edmond Haxhinasto dhe Damian Gjiknuri kanë theksuar në takimet e tyre përkatëse me përfaqësuesin e qeverisë turke, se tashmë është momenti që bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve të mund të intensifikohet dhe që numri i bizneseve turke që zgjedhin të investojnë në Shqipëri të rritet. Sikundër edhe faktin që Shqipëria ka mundësi të përfitojë nga eksperienca turke në çështjen e zbatimin e politikave të partneritetit publik-privat në fusha të ndryshme të ekonomisë.