Udha e mallkuar e xhihadisëve
Nga Gëzim Llojdia
Cila ishte udha e mallkuar që ndërmerrnin xhihadistët për në vendin konfliktit që nga viti 2012, kur Siria nisi luftën civile? “The Gardian” shkruante se që nga muajt e hershme të luftës në Siri, Turqia ka pasur përfshirje më të drejtpërdrejtë dhe më shumë në rrezik se gjithë vendet kundër Bashar al-Asad. Kufijtë turke kanë qenë rrugëkalim kryesor për luftëtarët e të gjitha llojeve për të hyrë në Siri. Bazave ushtarake të saj janë përdorur për të shpërndarë armë dhe për të trajnuar luftëtarët rebelë. Në fshatrat kufitarë kanë marrë gati një milion refugjatë.
Në vitin 2012, kur xhihadistët filluan të udhëtojnë për në Siri, prania e tyre ishte e dukshme në të gjitha pikat e udhëtimit në kufi: në aeroportin e Stambollit, në qytetet jugore të Hataj dhe Gaziantep, shkruajnë mediumet prestigjioze lodineze. Këto rrugë janë ndjekur deri në vitin 2014, kur pas presionit të vazhdueshëm nga BE dhe SHBA janë bërë përpjekje të koordinuara për të kthyer ata prapa. Deri atëherë, ISIS kishte prani dominuese në disa pjesë, në veri dhe në lindje të Sirisë. ISIS kishte përçarë fraksionet joideologjike të opozitës siriane si dhe grupet islamike, dy prej të cilave ishin të mbështetur nga Turqia, dhe siguroi se çfarëdo formë e qeverisjes që do dilte nga rrënojat e Sirisë do të kishte të bënte me qëllimin e revolucionit. Analistët që shqyrtojnë ngjarjet pas pranverës arabe theksojnë se aeroportet ndërkombëtare të Turqisë kanë shërbyer për transportin e xhihadistë. Shifrat vlerësohen rreth 15.000-20.000 luftëtarë të huaj që i janë bashkuar Shtetit Islamik dhe kanë fluturuar për herë të parë në Stamboll apo Adana, ose kanë mbërritur me tragete përgjatë brigjeve të saj mesdhetare.
Ja disa pikëpyetje që ngrenë sot në mbarë botën mediat ndërkombëtare.A do të dëmtohet turizmi turk pas konfliktit? Çdo të bëhet me katër milion turistë rusë, që vizitojnë Turqinë nëse ata nuk zgjedhin vendet për plazhet dhe resortet turistike në bregdetin turk? Mediat lokale në qytetin largët të Arktikut të Salekhard kanë parë postera propagandistike duke i bërë thirrje rusëve për të mos blerë produktet turke, apo udhëtojnë për në Turqi. “Ata që shkojnë me pushime në Turqi do të konsiderohen aleatët terroristëve”, shkruan një poster në një qendër tregtare në Salekhard, sipas faqes internetit të lajmeve “Znak.com”. “Keni blerë një produkt turk? Ju keni sponsorizuar IS”. Si do të jetë vijueshmëria që Rusia ka marrë në ndërtimin e centralit të parë bërthamor të Turqisë në një projekt me 20 miliard $ në Akuju? Çdo të ndodh në këtë dimër të egër me Turqinë, ku do ta gjejë gazin kur ajo është – importuesi i dytë më i madh europian i gazit rus, pas Gjermanisë? Dhe më tej, Gazprom kishte premtuar rritjen e furnizimeve këtë vit në Turqi në 30 miliardë metra kub gaz, nga 26.7 miliardë vitin e kaluar.
Pikëpyetjet që shtrohen nga pikëpamja politike. Një gazetë gjermane shkruan: “Erdogan është duke punuar për rrëzimin e regjimit të Asadit. Putin është aleati më i ngushtë i despotit të Damaskut. Një tjetër pikë e diskutueshme është aneksimi i Krimesë nga Rusia – Turqia e sheh veten si një mbrojtës i tatarëve të Krimesë myslimane”.
Kundër sfondit të luftës Turqia ka humbje të konsiderueshme të eksportit, marrëdhëniet ekonomike me Rusinë janë më të rëndësishme. Politikisht Putin dhe Erdogan kanë ngjashmëri.
S’është çudi që ju të pyesni: Po shqiptarët ç’punë kanë këtu? Edhe unë dua të pyes: Po ç’punë kishin shqiptarët në konfliktin në Siri? Ata dhe vëllezërit kosovarë kaptuan male, aeroporte e shtigje (dikur ata ishin edhe në këngët e moçme shqiptare të nizamit, por pa aeroporte) për të qenë prezentë në konfliktin e brendshëm të Sirisë. Ku zihen elefantët, është një shprehje, shtrihet bari, por rënia e tensionit është në interes të të gjithëve, sepse po krisi lufta, fitorja nuk dihet nga shkon, por pasojat do të jenë të të gjithëve. Një krizë ekonomik kaloi, mirëpo ende kjo bota jonë s’po e rimerr veten. Po një luftë çdo të thotë?