Udhëtim historik me Papa Klementin e XI
Dje ishin shqiptarët që e shihnin Kosovën me dylbi nga Morina, sot janë serbët që venë dylbitë matanë Mitrovicës
Nga Nuri Dragoj
Shkrimtari Viron Kona më propozoi të bëheshim pjesë e takimit që do të organizohej me përfaqësues të shoqatës së shkrimtarëve shqiptarë Papa Klementi XI Albani në Suedi dhe simotrës së saj në Tropojë. Patëm rënë dakord edhe me kreun e asaj shoqate, aktivistin e palodhur Hysen Ibrahimi, që të ishim të pranishëm, të paktën në një prej takimeve të organizuara prej tyre, ku përurohej vëllimi i 7 dhe 8, i librit Thesari Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi. Miqtë nga Suedia kishin planifikuar takime të këtij lloji në Shtupec të Madhe e Grykë të Rrugovës, në Mitrovicë-Zasellë, Prishtinë, Vushtri e shumë takime të tjera, por ne vendosëm të shkonin në Bajram Curr.
Aktivitete të tillë në fushën e letrave, por edhe në atë të teatrit e muzikës, i përafrojnë tej mase shqiptarët midis tyre. Me të drejtë Hys Shkreli shkruante se në vitet 1980, me ardhjen e Vaçe Zelës në Kosovë, “filloi shembja simbolike e kufirit shqiptaro-shqiptar”. Dhe në çdo takim midis shqiptarëve, të ndarë në 5 shtete kufitare, por edhe më gjerë në emigracion, takimet shërbejnë si rilidhje të urave të rrënuara apo gjakut të shprishur. Aktivitete të tilla burrërojnë të rinjtë dhe shkundin e rrudhat e të moshuarëve, ndaj dhe duhen shpeshtuar.
Mëngjesin e datës 27 korrik u nisëm herët, duke patur pjesë të ekipit dhe shkrimtarët Bashkim Saliasi e Kadri Tarelli. Një udhëtim i këndshëm, me pushimin e parë pak mbi kthesën e Kukësit, në një lokal buzë liqeni, ku pimë dhe kafen e mëngjesit. Vironi, Kadriu e Bashkimi kthyen dhe ndonjë gotë raki, ndërsa unë si shofer isha i përjashtuar. Prezencën tonë në atë lokal e fiksuam edhe në foto.
Duke udhëtuar bisedonim për historinë e Shqipërisë dhe ngado që vërtiteshim, vinim re se Vlora nuk qëndronte larg Prizrenit, Mitrovica ngjasonte për nga historia me Krujën e Lezhën e Skënderbeut, Gjakova shihej afër Përmetit dhe Peja aty pranë Gjirokastrës. Historia e çdo qyteti në Kosovë ngjasonte me qytetet në Shqipëri, të gjitha qytete shqiptare, me të njëjtën histori: Sulme nga fqinjët, masakra dhe qendresë heroike, këngë trimash dhe histori gjaku, dhimbje e tmerr në poezi e këngë.
-Sa shumë ka ndryshuar Kosova! – u shpreh Vironi.
-Do zoti të bashkohemi sa më shpejt, – ia ktheu Kadri Tarelli.
-Nuk diskutohet bashkimi, por shtrohet çështja se çfarë po bëjmë ne, – shtoi Bashkim Saliasi. Dhe papritur m’u drejtua mua: Nuri, ti çfarë mendon, a ka ndryshuar sa duhet Kosova në raport me ne, apo me atë që duhet të arrijë?
-Këtë pyetje ma ka bërë dhe një miku im në Prishtinë, – sqarova Saliasin. – Ndryshimet janë të pallogaritshme. Para vitit 1990, ne e shihnim Kosovën nga pika e kufirit në Morinë me dylbi. Madje këtë fat e kishin pak njerëz, ushtarakë, politikan e pushtetar të lartë, mbase dhe ndonjë gazetar. Tani e Kosovën e shohin me dylbi serbët. Ky është ndryshimi.
Dhe ndërsa bisedonim, dialogu rridhte rrëmbimthi që nga ngjarjet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, qershor 1878, në Konferencën e Londrës 1912-1913 e deri në ditët tona. Makina ngjitej në maloren e fundit që të çonte në qytetin Bajram Curri.
Ndihemi shumë të afërt
Ishte ora 11 e asaj dite plotë diell, kur ne u takuam me delegacionin e shoqatës së shkrimtarëve shqiptar Papa Klementi XI Albani në Suedi, të cilët sapo kishim mbërritur në qytetin Bajram Curri, në bazë të marrëveshjes që kishin nënshkruar më parë me shoqatën e shkrimtarëve dhe artistëve të Tropojës, për të promovuar disa libra dhe shkëmbyer përvojë e kulturë reciprokisht. Kishte midis tyre shkrimtarë shqiptarë nga Suedia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Gjermania e tj.
U takuam në kafe, u përshëndetëm përzemërsisht dhe nuk di pse, por ndiheshim shumë të afërt me njëri – tjetrin. Ishim takuar vetëm një herë. Të paktën unë, pasi Viron Kona njihej më herët me ta, madje ai qe dhe Anëtar Nderi i asaj shoqate. Sikur të më kishte lexuar mendimin, edhe Vironi më thotë të njëjtën gjë.
-Shih sa të dashur janë, sa të afërt ndihemi me ta, duket se është gjaku që tërheq, – tha ai duke qeshur.
-Ke të drejtë – ia ktheva. – Na bashkon në radhë të parë ideali, qëllimi që i kemi venë vetes me zemër e shpirt. Kjo afërsi është dhe produkt i ligjit të tërheqjes që thotë se, i ngjashmi tërheq të ngjashmin, prandaj kur formulon një mendim, në të njëjtën kohë je duke tërhequr mendime të ngjashme. Siç duket gjendja mendore tërheq rrethanat që korrespondojnë me natyrën e saj. Është kombinimi i mendimit dhe dashurisë që krijon forcën e parezistueshme të ligjit të tërheqjes. Ndjenja është dëshirë dhe dëshira është dashuri. Mendimi i mbarsur me dashuri bëhet i pathyeshëm, pasi ndjenja e dashurisë është frekuenca më e lartë që mund të emetoj njeriu. Sa më e madhe të jetë dashuria që ndjen dhe emeton, aq më e madhe është fuqia që zotëron.Kjo gjë tashmë është provuar edhe nga shkenca.
Malësia e Gjakovës, treva me histori të madhe
Takimi u mbajt në qytetin e këndshëm, zemrën e Tropojës, në Bajram Curi, qytet i themeluar pas vitit 1952 dhe ndërtuar mbi fshatin Kolgecaj e lagjet Gjongecaj, Gjyriq e Mustafaj. Më parë si qendër e rrethit ka shërbyer fshati Tropojë. Kjo trevë rezulton vendbanim i lashtë dhe njihet për popullimin e saj që nga koha e neolitit, e më pas aty kanë jetuar Dardanët e Ilirisë, që zënë fill disa shekuj para Krishtit.
Skënder Hoxha sjell të dhëna për kalanë e Rosujës, që tregon banimin e saj prej më shumë se 2000 vjet. E quajtur ndryshe Malësia e Gjakovës, ajo ka qenë pjesë e vilajetit të Kosovës. Në vitin 1916, kur veriu qe nën zotërimin austro-hungarez, qendra e nënprefekturës ishte në fshatin Bujan.
Tropojanët janë shquar përherë në luftrat për liri. Edhe në Luftën e Dytë Botërore, qenë pjesë e koalicionit antifashist. Ajo zonë mori emër me Kuvendin e Malësisë së Gjakovës që u mbajt më 28 gusht të vitit 1943, në bregun e lumit të Valbonës, fare afër urës së Kolgecajve, ku u betuan për luftë pa kompromis kundër pushtuesve.
Jo pak emër ka Konferenca e Bujanit e 31 dhjetorit të vitit 1944, e cila i vijoi punimet në disa ditë, duke i mbyllur ato natën e dytë të Vitit të Ri 1945. Aty u mor vendimi i madh për shkëputjen e Kosovës nga Jugosllavia. Ky akt i marrë prej burrave të atij kuvendi, besohej se do të bëhej fakt menjëherë pas çlirimit të vendit, në kuadër të parimit të vetvendosjes së popujve. Por nuk u bind Tito. Nuk donte as Stalini. Anglezët jo e jo. Amerikanët i rrinin larg komunizmit. Dhe sllavët u tallën me Bujanin. Por trimat nuk hoqëm dorë. Sa gjak është derdhur në qafën e Prushit, Vranicës, Borit, Morinës e Valbonës, apo luginat e famshme të këtij rrethi, si lugina e Valbonës, Gashit, Sylbicës, Currajt, Lumit të Bardhë etj.
Burrat e Bujanit vështronin shpesh nga mali, shihnin shkëmbinjtë e thepisur, ato mure të ngritura nga vetë natyra dhe imagjononin me fantazinë e tyre sikur të mund të bëhej secili prej tyre dragua e më të fortë akoma, sa të shëmbnin atë barrier të shëmtuar politike për të fluturuar edhe shqiptarët, si gjithë popujt e tjerë, të lirë në hapësirat e jetës. Dhe një ditë panë me sytë e tyre, si qe rrëzuar qielli mbi mal dhe rrëketë e përrenjtë që zbrisnin nga lart uturinin me të madhe, duke vënë përpara trungje drurësh e gurë të mëdhënj, të cilët i paraprinin ujit të rrëmbyshëm, duke u dukur sikur kishte ardhur fundi i botës. Por ata e lexuan si shpresë. Dëshira, durimi dhe guximi i tyre një ditë do të bënte që t’i shembte këto barriera të Europës. Dhe ëndërra e tyre u realizua. Kosova tashmë është e pavarur.
Diskutime dhe vlerësime
Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Tropojës, Lulzim Logu, nisi veprimtarinë e përbashkët me Papa Klementin e XI të Suedisë, duke organizuar në këtë mënyrë një takim bashkëpunues, në dobi të kulturës dhe artit, por edhe të bashkimit të shqiptarëve, në radhë të parë bashkimit të tyre shpirtëror, duke qenë të bindur se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe më tej. Aty qenë të pranishëm dhe nënkryetari i bashkisë, Astrit Margjekaj dhe përgjegjësi për kulturën, Can Tahiri.
Të njëjtën gjë pohoi dhe Hysen Ibrahimi. Synimi i tyre është që t’i shpeshtojnë aktivitetet, t’i bëjnë ato sa më institucionale, t’i mbajmë shqiptarët e mërguar të lidhur ngushtë me vendlindjen, të jetojnë me fatin e atdheut dhe të bëhen pjesë për zgjidhjen e shpejt të çështjes kombëtare, si dhe përparimit të kombit të shqiptar.
Shoqata Papa Klementi XI në Suedi, promovoi botimin e disa veprave të tyre me vlerë, në radhë të parë të librit Thesari Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi nr. 7 dhe 8, një botim që pasqyron veprimtarinë e tyre, shpejton integrimin e shqiptarëve në Suedi, konsolidon ruajtjen e gjuhës shqipe, mban krijuesit shqiptar të bashkuar, i nxit ata të shkruajnë dhe të promovojnë vlerat dhe kulturat e tyre individuale dhe kolektive, duke ua trasmetuar njëri – tjetrit, por edhe qytetarëve suedezë, të cilët janë mjaft të interesuar për t’i afruar pakicat e kombësive të tjera që kanë hyrë në radhët e tyre, pasi e dinë që shkrirja e kulturave i shërben përparimit dhe përshtatjes së komuniteteve të huaja në kulturën e vendit që kanë zgjedhur për të jetuar. Ndaj kryesia e kësaj shoqate të nderuar nuk qëndron duarkryq, ata jetojnë me thënien brilante të Sami Frashërit: “Çdo ditë e jetës tënde është një faqe e biografisë sate, kujdesu ta shkruash sa më mire”.
Pedagogia Migena Arllati nga Gjaklova foli për veprën e Hysen Ibrahimit “Arsimi shqip në Suedi”, duke e vlerësuar një libër me vlerë, por dhe takimin mjaft mbreslënës, pasi mbledh shqiptarët ngado janë. Ajo bëri një analizë të kujdesshme për arsimin shqip në Suedi të autorit Ibrahimi, libër që është shkruar në bazë të dokumenteve, duke i shërbyer gjuhës shqipe. Arllati e cilësoi autorin avokat të palodhur në mbrojtje të interesave të shqiptarëve dhe aktivist të shquar në mbledhjen e ndihmave në dobi të Kosovës. Ai i është mirënjohës popullit suedez për zemërgjerësinë e treguar, durimin dhe kujdesin e përditshëm ndaj shqiptarëve për të shpejtuar integrimin e tyre në kulturën vendase. Dhe shqiptarët janë e duhet të jenë kudo mirënjohës për mbështetjen që u japin shtetet që i kanë strehuar dhe popujt e atyre vendeve. Autori në libër i kushton rëndësi të madhe rolit të mësuesit, prindërve, mjeteve mësimore etj.
Ndërsa Arllati fliste për “Arsimin shqip në Suedi” mu kujtua shprehja e Naim Frashërit, “S’mund të ketë Shqipëri pa shqiptarë, s’mund të ketë shqiptar pa gjuhë shqipe, s’mund të ketë gjuhë shqipe pa shkolla, në të cilat të mësohet shqipja”. Duket që Hysen Ibrahimi e ka patur në qendër të vëmendjes thënien e tij. Emigrantët shqiptarë, asnjëherë nuk e kanë larguar nga mendja dhe zemra e tyre Shqipërinë dhe të shkruarit shqip. Vetvetiu mu kujtua veprimtaria e shoqërive shqiptare “Dëshira”, shtypshkronjës “Mbrothësia” në Sofje e tjera, të cilat përpiqeshin për hapjen e shkollave shqipe dekadat e fundit të shekullit të 19-të, gjë që e shohim edhe në këngët e vjetra: Që më një të kollozhekut / Ç’u krijua shoqëria / U krijua brenda në Sofje / Për shkollat nga Shqipëria.
Koha rrjedh e shqiptarët emigrantë nuk janë më ata të një shekulli më parë, por gjithsesi disa probleme vazhdojnë të mbeten të njëjta. Midis tyre dhe mësimi i gjuhës amtare. Ka shumë fëmijë shqiptarësh sot në dhe të huaj, në Greqi, Itali, Gjermani, Austri, Amerikë, Suedi e kudo, që nuk kanë mësuar shqip, apo nuk e njohin gjuhën e nënës me shkrim e këndim. Gati 110 vjet më parë, u bëhej thirrje shqiptarëve me banim në Rumani të mësonin shqipen: Djema, mos rrini, vraponi / U pret shkolla dyer hapur, / Mësoni gjuhën e uruar, / Edhe gjithë sot ç’këndohet, / Se mësimi e ka zgjuar, / Atë, kujt emri i dëgjohet… / Komb pa gjuhë s’ka qëndruar, / Këtë na thotë historia, / Ditja botën ka nderuar, / Pa këtë humb trimëria. Të njëjtin apel bën sot dhe Hysen Ibrahimi, prandaj vlera e librit është dyfish më e madhe.
Në takim folën dhe shumë shokë të tjerë si professor Bedri Paci, me origjinë nga treva e Tropojës, por që ka dhënë ndihmesë të dukshme në arsimimin e shqiptarëve në Suedi. Me vlerë qenë qenë diskutimet e poetit Dan Kosumi, të profesor Mehmet Rukiqit etj.
Interesant qe përurimi i librit me poezi të autorit Hasan Qyqalla, “Në ëndërra digjet nata”. Autori me poezitë e veta tregon se është mjeshtër i vargut, njeri që i dhemb fati i atdheut, ndaj sjell në poezitë e veta një mori kujtimesh e ngjarjesh të pa fund, ngjarje malli, udhëtimesh, ëndërrash, psherëtimash, vuajtje, besimi, përgjërimi, dhembje dhe mjerimi, shpesh herë me lot të shumtë. Autorit i përvlohet zemra për Shqipërinë, ndaj dhe shkruan me forcë: Kush ma djeg Shqipërinë/ më djeg eshtrat / më shkul pragun,/ më kall varret/, më pi gjakun. Kush më gjymton Shqipërinë, / më prêt duart, / më prêt këmbët/ më sharton gjuhën, / më sharron zemrën. Kush më prek Shqipërinë, / më vret djepin, / Më prêt këmbët, / dhe Flamurin, / më fyen besën e betimin, / më shemb burrin. Dhe ai është nga burra, si shumë të tjerë, që nuk pranon ta shkeli nderin, pa dhanë jetën, madje dhe atje nën tokë, dheu do të shkundet e sakaq do të hapet, për ta gëlltitur brenda shkelsin e vatanit.
Ay u bënë disa vlerësime për poetë e shkrimtarë me banim në Suedi, por me medalje u vlerësua dhe poeti e gazetari tropojas Gjon Neçaj, kompozitori Skender Doshlani, poeti nga Kosova Tahir Bezhani si dhe poeti Lulzim Logu, për kontribut të vlefshëm në shërbim të kulturës , traditës, krijimtarisë letrare dhe publicistike.
Bashkëbisedim për të ardhmen
Shkrimtarët e ardhur nga Suedia më qytezën e bukur të Bajram Currit u pritën me këngë e valle. Salloni i muzeut të qytetit oshëtiu nga muzika, kënga e vallja e gjallë tropojane, nga veshjet e vajzave me ngjyra te ndezura. Freskia e tyre i dha dritë dhe jetë mjedisit. Malësia e Gjakovës është e njohur për vallen e saj dinamike, forcën e këngës që lidhet ngushtësisht me botën shpirtërore të banorëve të asaj zone. Janë valle ku bie në sy lëvizja dinamike, forca e demonstruar nga valltarët por më kryesorja epizmi dhe lirizmi i tyre. Kostumet e vajzave me ngjyra tërheqëse, lëvizjet ekspresive, tingujt e muzikës, dinamika dhe eleganca që pasqyron vallen e grave, e mban shikuesit të mbërthyer me orë të tëra pas saj. Kemi të bëjmë me valle në tërësi të shtruar e plotë hijeshi, por që në momente të veçanta shpërthen, bëhet mjaft dinamike dhe njëkohësisht shfaq elegancë të paparë.
Po këto valltare të Asmablit “Dardania” do të ndiznin me vallen e tyre mjedisin ku ishte parashikuar dreka, në afërsi të Bujanit historik. Atyre iu bashkëngjitën në valle dhe të tjerë njerëz, poetë dhe artistë tropojan, duke e bërë edhe më gazmor atë mjedis festiv midis vëllezërve. U hodhën ide të reja për ta rritur më tej bashkëpunimin, ta ngrejmë atë edhe më lart, pasi duke ecur dhe marrë me vete dhjetra shokë të tjerë, do të rrisim numrin e bashkëpunëtorëve, por edhe cilësinë e veprave që do të botohen në të ardhmen nga kjo shoqatë mjaft aktive, duke qenë njëherësh shembull për gjithë shoqatat e tjera.
-Nuk jemi të përjetshëm, – thotë Hysen Ibrahimi, – jeta është e shkurtër, ndaj të përpiqemi të bëjmë sa të mundim, se e sotmja nuk kthehet më. Ne do të vijmë sërish, çdo vit do të bëjmë aktivitete, sepse mësojmë nga përvoja e njëri-tjetrit.
Ndërsa ai fliste, mu duk sikur kishte kopjuar Sami Frashërin, i cili nënvizonte: “Njeriu nuk është i përjetshëm, le të përpiqet të jetë e pavdekshme ajo që do të thotë dhe ajo që do të bëjë”.