Udhëtimi me urbanë, “ferri” i kryeqytetasve
Një “ferr” i vërtetë konsiderohet për shumë qytetarë të Tiranës udhëtimi me autobusët urbanë. E kjo, sidomos për disa nga linjat qytetëse, të cilat përveçse vonesave të pajustifikueshme në stacionet mbërritëse, nuk sigurojnë ende disa nga standardet kryesore për të cilat kanë firmosur në fakt në kontratën e ushtrimit të aktivitetit të tyre. Dukuri kjo e vënë në dukje nga mjaft qytetarë përmes ankesash të shumta, të cilët përveçse të irrituar nga vonesat e autobusëve që janë të detyruar të durojnë përditë, paraqiten edhe mjaft të revoltuar me indiferencën e përfaqësuesve të kompanive që i disponojnë ato për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Kështu, njëra nga linjat kryesore urbane të Tiranës, Unaza, paraqitet ndër më problematiket sipas tyre, teksa përballen çdo ditë me vonesat e saj në orare, por në të njëjtën kohë edhe me hermetikën e dhënies së sqarimeve të nevojshme nga punonjësit e saj përse shkaktohen ato. Madje arrijnë të thonë deri aty, sa udhëtimi me Unazë, i ngjan shpesh një rruge drejt një funerali për nga shpejtësia tmerrësisht e ngadaltë. “Ama kur duan, ata ecin edhe shpejt, teksa mbyllin oraret”, pohojnë qytetarët mjaft të shqetësuar. Teksa sherret mes tyre, fatorinove dhe shoferëve, janë kthyer tashmë në një rutinë të përditshme të udhëtimeve me urbanë, që të gjithë duke përsëritur të njëjtat shprehje standarde: “Kemi orare për të respektuar”; “Zbrit merr taksi po deshe”; “Shko ankohu në Bashki” etj. Duke dhënë kësisoj një panoramë krejt të ndryshme nga ajo çka në fakt Bashkia e Tiranës është përpjekur të japë me nismat e saj në kuadrin e përmirësimit të transportit urban, të tilla si shtimi i linjave urbane apo edhe i autobusëve prej secilës prej tyre etj. Pikërisht, mosrespektimi i shumë pikave të kontratës që kompanitë private kanë firmosur me të për të ushtruar aktivitetin e transportit publik qytetës, bën që ky i fundit në Tiranë të jetë ende larg standardeve që pretendohet të ketë një shërbim i tillë në nivele ndërkombëtare. “Vizioni i Bashkisë së Tiranës për administrimin e rrugëve dhe transportit publik synon një përqasje të integruar të zhvillimit ekonomik të qytetit të Tiranës, të përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe të mbrojtjes së ambientit kundrejt zhvillimit të rrjetit rrugor dhe një transporti publik të shpeshtë, të shpejtë, të besueshëm dhe konfort”, kujtojmë të jetë deviza e përcaktuar nga ky institucion lidhur me transportin publik. E cila me situatën e lartpërmendur dhe që raportohet nga eksperiencat personale të qytetarëve nëpër linjat urbane, duket se është larg realizimit optimal të saj.
LINJAT KRYESORE QYTETËSE
Unaza
Tirana e Re
Kombinat-Qendër-Kinostudio
Qendër-Laprakë
Qendër-Porcelan
Qendër-Sauk i Vjetër
Qendër-Sauk i Ri
Qendër-Sanatorium
Qendër-Tufinë
Qendër-Uzina Autotraktore
Qendër-Instituti Bujqësor
Qendër-Qyteti Studenti
Qendër-Mihal Grameno-Çollak
Qendër-Vilat Gjermane
Sharrë-Uzina Dinamo
STANDARDI
Përdorimi më i madh i transportit publik është një standart evropian dhe që sjell një impakt të drejtpërdrejtë në përmirësimin e cilësisë së jetës në disa aspekte, më pak ndotje, lëvizshmëri më të shpejtë, dhe me kosto më të ulët për qytetarët, sepse transporti publik është më pak i kushtueshëm sesa përdorimi i mjeteve private. Zvogëlimi i përdorimit të mjeteve private, në favor të transportit publik është interes edhe i qytetit të Tiranës, por që të ndodhë kjo, transporti publik duhet të ofrojë të gjithë komoditetin e nevojshëm.
Kryebashkiaku i Tiranës
“Duhet të përparojmë me një shërbim më cilësor”
Gjatë një takimi të tij para disa kohësh me drejtues të Shoqatës së Transportit Publik të Tiranës, kryebashkiaku Lulzim Basha do të shprehej se objektivi strategjik afatgjatë i Bashkisë së Tiranës është pikërisht “një shërbim i transportit publik, me cilësi në përmirësim, me shtrirje në të gjithë qytetin e Tiranës, në dobi të të gjithë qytetarëve të Tiranës”. “Për ne është e rëndësishme, të përparojmë me një shërbim më cilësor, që do të thotë autobusë të rinj, me të gjithë parametrat funksionalë, me mundësitë që duhen si gjatë dimrit dhe gjatë verës, me frekuencën e duhur dhe të monitoruar siç duhet të lëvizjes, pra pa vonesa dhe të shtrirë në të gjithë qytetin e Tiranës”, do të pohonte gjithashtu ai.Prandaj ka kërkuar nga kjo shoqatë që të bëhet gjithçka për të ndërtuar partneritetin e duhur, në veçanti duke mbrojtur interesin publik, pra interesin e qytetarëve të Tiranës, të cilët zgjedhin të përdorin pikërisht transportin publik.
DISBALANCA
Qyteti rritet, por autobusët janë po ata
Ndërsa qyteti i Tiranës rritet nga dita në ditë dhe bashkë me të, edhe frekuentuesit e linjave urbane brenda tij, kjo në fakt nuk është se ndodh me autobusët që vënë në dispozicion këto të fundit. Të mos harrojmë edhe faktin se shumë nga këta autobusë, frekuentohen edhe nga vizitorë rastësorë të Tiranës, që vijnë nga rrethet për të zgjidhur problemet e tyre, por edhe të huaj në të njëjtën kohë. Duke krijuar në këtë mënyrë një amalgamë të madhe njerëzish të detyruar të përdorin shërbimin urban rrugëve të Tiranës, i cili për fat të keq është ende jashtë kapaciteteve optimale për t’u ofruar atyre nivelin e duhur. Duke krijuar në këtë mënyrë dyndje të mëdha, sidomos në oraret e pikur, siç janë ato të nisjes për në punë dhe shkollë, apo edhe daljet prej tyre etj. Ka kompani private që në linjat urbane që disponojnë, nuk kanë bërë asnjë investim prej vitesh dhe vazhdojnë të operojnë me të njëjtat kapacitete, në një kohë kur siç e thamë më lart, në fakt, fluksi i udhëtarëve ndryshon nga viti në vit, duke u shtuar gjithmonë e më shumë.
Shtimi i linjave urbane, “ilaç” për plagën e transportit publik
Shtimi i linjave urbane, mund të cilësohet fare mirë si një “ilaç” për plagën e transportit publik të kryeqytetit. E mesa duket këtë ka patur parasysh Bashkia e Tiranës, teksa ka licencuar së fundmi edhe hapjen e disa prej tyre, të tilla si ajo Qendër-Qyteti Studenti; Qendër-Maternitet i Ri; Qendër-Mihal Grameno-Çollak; Qendër-Vilat Gjermane etj. Linja këto që natyrisht kanë ndikuar në zbutjen e situatës së rënduar të qarkullimit rrugor publik në kryeqytet.