Udhëzimi: Makinat para vitit 2002, do të bllokohen
Makinat e vjetra rrezikojnë të mos e kalojnë kolaudimin. Dhe kjo, sepse ministria e Mjedisit bashkë me ministrinë e Transporteve po hartojnë një udhëzim i cili do të ndryshojë normat e shkarkimit të gazrave.
Ka qenë vetë ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i cili ka paralajmëruar marrjen e masave që makinat të cilat kanë nivel të lartë shkarkimi të mos lejohen në qarkullim.
“Ministria e Transportit së bashku me Ministrinë e Mjedisit, po merr masa konkrete që Shqipëria të jetë në të njëjtën linjë me kushtet e BEsë, për sa i përket qarkullimit të automjeteve Euro5”, u shpreh Koka, gjatë një konference për shtyp.
Nga ky ndryshim preken të gjitha makinat pas viteve 1986 deri në vitin 2002. Direktivat e Bashkimit Europian parashikojnë se makinat e këtyre viteve kanë nivel të lartë të shkarkimit të gazrave dhe nuk mund të qarkullojnë
. Ky ndryshim vjen pas marrëveshjes së arritur në Paris e cila parashikon strategjinë afatgjatë për kufizimin e emetimeve të gazeve me efekt serë në atmosferë, si dhe qëllimin final për mbajtjen e ngrohjes globale nën 2 gradë Celsius.
Sipas Ministrisë së Mjedisit në Shqipëri aktualisht ka një udhëzim për sa i përket shkarkimit të gazrave por që ende nuk është zbatuar sipas direktivave të BEsë.
Niveli i gazrave
Nga data 1 Korrik 2015, drejtuesit e automjeteve që do të bëjnë kolaudimin duhet të plotësojnë normat e rritura të shkarkimit të gazrave që variojnë nga 10 për qind për automjetet e vitit 1986 deri në 60 për qind për automjetet e vitit 2002
. “Qytetarët mund të shikojnë vlerat aktuale të automjetit të tyre në certefikatën e kontrollit teknik të kryer një vit më parë, dhe nëse ato rezultojnë më të ulta se normat e përcaktuara nga Ministria e Transporteve, duhet ti normalizojnë ato. Deri tani nuk e kalon testin kur treguesit mesatarë të matjeve të gazrave të shkarkimit të motorit janë më të larta se 2.5 m1 në rastet e motorëve diezel me aspirim normal dhe 3.0 m1 në rastet e motorëve diezel turbo. Nga 1 janari deri 30 qershor 2016, normës së BEsë i shtohet vetëm 1/2 përqindjes së aplikuar gjatë gjashtëmujorit paraardhës”, – thuhet në udhëzimin e Ministrisë së Transporteve.
Normat e lejuara të shkarkimit të gazrave sipas Direktivës së BEsë të miratuar në vitin 2009s janë të vlefshme për periudhën pas 1 korrik 2016. Pra të gjitha makinat e vjetra rrezikojnë të mos marrin kolaudimin duke filluar nga 1 korriku 2016.