Ulja e TVSH-së për turizmin, Bregasi: Redukton informalitetin e rrit të ardhurat dhe investimet
Pas vendimit të djeshëm që mori qeveria për uljen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për strukturat akomoduese në sektorin e turizmit ka ardhur edhe reagimi i biznesit.
Kreu i Biznes Albania Luan Bregasi ka përshëndetur vendimin e qeverisë dhe thotë se kjo masë do të ulë informalitetin dhe do të rrisë të ardhurat e turizmit.
“Kjo masë e qeverisë do rrisë konkurrueshmërinë. Do të ulë informalitetin në sektorin e turizmit dhe do të sjellë rritjen e të ardhurave nga TVSH-ja e turizmit. Kemi vite që e kemi kërkuar një ulje të tillë. Është një vendim që na ka entuziazmuar. Ky vendim do të shtojë investimet në turizëm”, deklaroi Bregasi.
Në nisje të sezonit turistik qeveria ka vendosur të ulë në masën 6 % Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për strukturat akomoduese në sektorin e turizmit nga 20 % që aplikohej aktualisht.
Nga ulja e TVSH-së sipas të dhënave përfitojnë 4 mijë struktura akomoduese me një kapacitet prej 60 mijë shtretër.