“Unë kam një ëndërr” të përafërt me atë të Martin Luter Kingut
Nga Zenel Çeliku/
Në Amerikë shikojmë se fushata për zgjedhjet e presidentit, kanë hyrë në një fazë shumë interesante. Në të dyja kampet, në Partinë Republikane dhe në Partinë Demokratike, janë të dukshëm dy personazhe të lançuara si kandidat për President të SHBA-ve. Që të dyja këto personazhe, janë gati-gati përfundimisht të deklaruar kandidat për partitë përkatëse. Hilary Klinton deri tani duket se është triumfatore në Partinë Demokratike dhe kandidate potente për President të SHBA-ve . Gjithashtu, edhe Dunald Trump duket se përfundimisht është kandidati për President për Partinë Republikane. Gara është dhe do të bëhet shumë e fortë.
Në SHBA rreth vitit 1963, afrikano-amerikanët përballeshin me diskriminim racor, të cilëve në disa shtete të Amerikës i ndalohej të votonin dhe nuk i ofronin për punë të mira, pa lënë pas dore varfërinë e tyre. Dr. Martin Luter King u bë flamurtari dhe avokati i paepur për mbrojtjen e të drejtave civile të afrikano-amerikanëve dhe grupeve të tjera racore, që ata të shikohen si të barabartë me të bardhët, dallimet dhe diskriminimet raciste të mos ekzistonin më, që liria të mbizotërojë në SHBA. Nëse Amerika do të jetë një komb i madh, kjo duhet të bëhet realitet. Vërtetë Dr. Luter King me kauzën e tij, u bë figura më e dashur jo vetëm për njerëzit me ngjyrë, por edhe për shumë e shumë të bardhë që e mbështetën pa rezerva kauzën e Luter Kingut “Unë kam një ëndërr”, kauzë, e cila fluturoi në tërë botën. Edhe më i famshëm u bë Dr.King, kur mbajti një fjalim historik në Uashington, në gusht 1963, si aktivisti i të drejtave civile ku deklaroi: “Dua që fëmijët e mi të jetojnë një ditë në një komb ku nuk do të gjykohen nga ngjyra e lëkurës së tyre, por nga përmbajtja e karakterit të tyre.”
Fjalimi i Luter Kingut bëri jehonë në tërë Amerikën, por edhe mbarë botën. Dhe ja, më 2008, në SHBA për të parën herë zgjidhet një president afrikano-amerikan i suksesshëm, ku me bindje mundet të themi se, ëndrra e Martin Luter Kingut, u bë realitet. E pra, kjo është Amerika, ku sot nuk ka dallime ngjyre, ndaj edhe unë dua të shpreh hapur mendimin tim të lirë ashtu si Dr.Luter King dekada më parë. Unë do të respektoj çdo President të SHBA-ve, por personalisht si një dashamirës i Amerikës, kam të drejtë dhe vlerësim objektiv që të them: “I Have a Dream” (Unë kam një ëndërr), që SHBA-të të bëhen për të parën herë me president femër, e cila i ka të gjitha mundësitë, aftësitë, përvojën, ambicien, kapacitetet, përvojën dhe vullnetin që ta drejtojë Amerikën në rrugën e duhur dhe drejt suksesit të padiskutueshëm dhe kjo është zj. Hilary Klinton.
“Unë e kam një ëndërr”, jam një nga shqiptarët që e duan Amerikën, tek, e cila shikojmë mikun dhe partnerin strategjik të shqiptarëve. Zgjedhjet për presidencën amerikane po afrohen dhe e gjithë bota sytë i ka nga SHBA-të. Një nga figurat më potente dhe më pretendente, është një femër shumë e dashur për amerikanët, por aq e dashur edhe për shqiptarët. Ish- Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës-Hilary Klinton, senatore dhe Sekretare e Departamentit të Shtetit, tashmë në garë për fronin e Presidentit të SHBA-ve. Hilary, pa dyshim ka kaluar momente shumë të ngarkuara dhe mjaft të rëndësishme në karrierën e saj politike, por ajo ka ditur t’i kalojë ato momente me shumë zgjuarsi dhe me diplomaci të rrallë. Zj. Klinton të gjitha këto situata të vështira, i ka përshkruar në biografinë e saj me titull “Vendime të Vështira”. Gjithsesi, unë duke e ndjekur me shumë kujdes politikën amerikane, ka shumë rëndësi të theksoj se Hilary si shumë ekspertë, ka shumë energji, forcë dhe aftësi për të pasur poltronin e Presidentit të SHBA-ve dhe ka shumë mundësi për të dhënë gjithçka për Amerikën, gjë për të cilën ajo ka ndërmarrë këtë inkursion shumë serioz, shumë të guximshëm dhe historik për atë personalisht, por historik edhe për SHBA-të që do të kenë për herë të parë një femër presidente-kjo është bindja ime e pa lëkundur. Kudo që shkel kandidatja demokrate për presidencën amerikane znj.Klinton, pritet me shumë popullaritet, me dashuri dhe me vlerësime mjaft pozitive. Po ta ndjekësh znj. Klinton në fushatën e saj e shoqëruar me muzikë, e shikon plot energji, kupton se tek ajo spikat shumë entuziazëm, shumë besim dhe atje, ku Hilary është presente, atmosfera merr flakë nga prezenca e saj shumë popullore. Hilary Klinton, ndiqet nga miliona e miliona amerikanë që e adhurojnë, duke e parë si figurën më pretendente për presidencën e ardhshme. Në një takim me elektoratin demokrat amerikan në Nju York, Hilary tha:- “Jam e re në shpirt dhe në zemër, jam plot vitalitet dhe energji, nëse amerikanët do të votojnë për mua, unë do të jem presidentja e parë femër në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe më e re në moshë. Një tjetër avantazh që kam është se, ndryshe nga presidentët amerikanë meshkuj që janë thinjur në Shtëpinë e Bardhë, mua nuk do të më shihni me thinja, sepse unë kam vite që i lyej flokët”, -përfundoi shakanë plot ëmbëlsirë Hilary. Me këto fjalime, ku edhe humori edhe shakatë zënë vendin e saj, znj. Klinton troket kudo tek amerikanët me shumë inteligjencë dhe modesti, ajo bën për vete masa të gjëra simpatizantësh që e ndjekin anë e mbanë Amerikës profilin e sajë shumë simpatik. Edhe pse respektimi ndaj kundërshtarit është një element kyç në demokracinë amerikane, jo rrallë herë ka ndodhur që kandidatët për President në SHBA, kanë kaluar në denigrime ndaj kundërshtarëve, ndërsa Hilary ndryshe nga ndonjë tjetër kandidat konkurrent i fortë për atë, në asnjë rast Ajo nuk sulmon kundërshtarët e saj. Ajo me mjaft etikë, me shumë pjekuri politike, e thjeshtë dhe shumë e angazhuar si një ZONJË e madhe, me mjaft kurajë dhe me shumë personalitet, përballet me kundërshtarët e saj duke iu imponuar atyre respekt. Unë pa ndrojtje deklaroj se jam plotësisht i bindur se znj. Klinton, është në paradhomën për Presidencën në SHBA, duke e bërë shumë interesante fushatën në momentet e finalizimit të saj. Për kandidatin e pritshëm republikan z. Donald Trump, Hilary në takimet me simpatizantët e saj, asnjëherë nuk e ka atakuar personalisht Trump, por ka folur për republikanët si forcë politike në tërësi, për idetë dhe qëndrimet e republikanëve në masë, të cilat ndryshojnë nga idetë dhe qëndrimet e demokratëve amerikan. Hilary me shumë kulturë është e gatshme të debatojë me kandidatët e tjerë brenda dhe jashtë partisë së saj, lidhur me rrugën në të cilën duhet të vazhdojë Amerika, se si do të realizohen premtimet dhe planet e tyre, si do të fuqizohet ekonomia e vendit, si do të zhvillohet më tej diplomacia amerikane, si do të luftohet terrorizmi si kërcënim real për Amerikën dhe mbarë globin, si dhe në çfarë mënyrë do të krijohen vende të reja punë, si do të operohet me shërbimet shëndetësore, ku do të gjejnë fondet për të bërë realitet angazhimet e tyre në fushatë, e të tjera element ku ka vend për debate konstruktiv.
Znj. Klinton ndalet shpesh në problemet sociale, për ekonominë amerikane, për politikën e jashtme të Amerikës dhe për gjithçka që ajo mundet të bëjë për popullin amerikan. Ajo nuk premton gjëra të pamundura dhe të pa studiuara, por me mjaft modesti ndalet te problemet e lartpërmendura duke ofruar kontributin e saj nëse ajo do të jetë Presidente e SHBA-ve. Jam i bindur se republikanët amerikanë nuk do të gabojnë për të sulmuar në mënyrë të ashpër dhe pa kriter znj. Klinton, sepse ata e provuan me Xhon Mçain, që i bëri sulme personale Obamës në zgjedhjet presidenciale të 2008 dhe e humbën presidencën, ku President i SHBA-ve për të parën herë u bë një afrikano-amerikan, tek i cili u realizuar ëndrra e Dr. Luter Kingut .
Angazhimi i madh politik dhe qytetar që ka ndërmarrë zj. Klinton, kurajoja e saj e madhe për të marrë përgjegjësi historike dhe të mëdha, për t’i përballuar ato me sukses të plotë, Hilary ka marrë parasysh ngarkesën e madhe të shtetit më të fuqishëm të globit, personaliteti, përvoja e sajë e çmuar, integriteti, pjekuria politike në karrierën e deri tanishme të saj, inteligjenca, pa dyshim do ta bëjnë Hilari Klinton, Presidenten e parë femër të Amerikës dhe me siguri do të jetë presidente plot suksese. Ja pra, “kjo është ëndrra e ime”, por pa dyshim edhe ëndrra e shumë e shumë shqiptarëve kudo që ata janë- “Hilary Klinton, Presidente e parë femër për SHBA-të.