Kryebashkiaku Ndreu: E para është krimi i batërdinë së urbanizimit pa asnjë kriter…

Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu ka bërë një analizë evidentuese të shkaqeve që shumë qytete të vendit përmbyten masivisht dhe lehtësisht sa herë që shtohen reshjet e shiut. ”Të gjithë kemi faj! Banorët që derdhën lekët dhe nuk menduan se çfarë i priste, por që as nuk ua shpjegoi kush. Shteti rrumpallë që i la të bënin si të donin. Ne që nuk po gjejmë dot si të zgjidhet ky lemsh, i cili do të na rrijë në fyt rast pas rasti”,-shkruan Ndreu.

Postimi i plotë

Kush është fajtori?

Swiss Digital Desktop Reklama

Ka një çorbë prononcimesh në rastin e përmbytjeve, ku shfrytëzohet i gjithë talenti i bojatisjes me bojë të kujtdo për situata që përsëriten herë pas here. Por kush është fajtori? Jam unë? Po, jam! Është një tjetër? Po, është! Jemi ne? Po, jemi të gjithë! Por edhe kjo punë ka radhën e vet, si çdo gjë tjetër!

Swiss Digital Mobile Reklama

E para është krimi i batërdinë së urbanizimit pa asnjë kriter pas ’92-shit. Padija dhe mosfunksionimi i projekteve urbanistike bënë që të dyndeshin njerëzit në fusha, me ndërtime mbi kolektorë, kanale kulluese e vaditëse, kudo ku secili donte një shtëpi në fushë. Po shteti ku ishte? Shkrihej me injorancën e vet, gjoja në emër të përmirësimit të jetesës së atyre që u shpërngulën me hesap të vet. Po kanalet e ujërave të zeza e të bardha, rrugët, energjia, shkollat, ambulancat?! As që ia vari kush këtyre! Fut e bjer, ndërto ku të duash! Dy shtëpi këtu, një atje përtej, katër të tjera mbi kanale!

E dyta, kanalet kulluese u lanë në ditë të kiametit, 30 vite pa u prekur! As u bë ndonjë vlerësim se sa ishin të bllokuara për shkak të ndërtimeve dhe sa ishin ende efikase e duheshin hapur. As u mor ndonjë iniciativë për të vendosur rregull urban dhe për të orientuar zhvillimin. Nuk bëmë asgjë, domethënë, me themel, siç duhet!

E treta, investimet u bënë sipas një trajektoreje jo-studimore, që nuk synonte eliminimin e vërshimeve të përrenjve. Pothuajse nuk u mor fare në konsideratë si opsion disiplinimi i këtyre prurjeve malore, me prita dhe devijime të rrjedhjeve larg qendrave të banuara.

E katërta, ekspertët e zotë u nisën për në shtëpi. Nuk i duheshin askujt! Disa vdiqën pa u vlerësuar. Disa jetojnë të papërfillur. Disa të tjerë erdhën, bënë shkolla me lekë e me çfarë di unë, dhe nuk kanë asnjë ide si zgjidhen këto probleme! As nuk duan të mësojnë!

Të gjithë kemi faj! Banorët që derdhën lekët dhe nuk menduan se çfarë i priste, por që as nuk ua shpjegoi kush. Shteti rrumpallë që i la të bënin si të donin. Ne, që nuk po gjejmë dot si të zgjidhet ky lemsh, i cili do të na rrijë në fyt rast pas rasti. “Ky ka faj e unë s’kam faj” është një tymnajë që duhet t’ua kursejmë qytetarëve. Të gjithë ne! Duhet të ulim kokën dhe të mendojmë çfarë mund të zgjidhim, sepse secili nga ne ka vendosur nga një tullë në këtë batërdi! Unë për vete ndihem fajtor!

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?