Urra, o burra, me vrap tek Ura!
Nga Lorenc Vangjeli
Në gjithë temperaturën e nxehtë politike të këtyre ditëve ende gjysëm të ngrohta dimri, problemi kryesor qëndron tek ura. Tek Ura e madhe mbi Lanë, në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, në Tiranë. Domethënë, nëse protestuesit e 8 dhjetorit që shkoi dhe protestuesit e 17 dhjetorit që po vjen, kur të kenë “kreun, gojën e foninë” tek kryeministria, a e kishin dhe a do ta kenë fundin para urës, mbi urë apo përtej urës? Në këtë trilemë të përbërë, në këtë episod të shkëputur nga një prej betejave të pafundme të luftës së pandërprerë politike në vend, është përqëndruar gjithë aksioni opozitar si sulm dhe reaksioni kryeministror si mbrojtje. Eshtë një lojë në të cilën po përdoren të gjitha mjetet, të cilat tentojnë të justifikojnë të vetmin qëllim të dukshëm: rritjen e rradhëve të protestuesve si shenjë e fortë presioni për qeverisjen. Dhe si synim të pandryshueshëm; rikthimin me imponim në pushtet të një opozite që ka humbur rëndë dy duele elektorale njëri pas tjetrit.
Në përpjekjen për të tejkaluar urën e bulevardit si kufi, në përpjekje për të kaluar bregun tjetër të Lanës si tokë e premtuar, opozita ka hedhur në sulm gjithçka; nga lojërat jashtëzakonisht të rrezikshme e antishqiptare për ndarjet mes veriut e jugut e deri tek rreziku i restaurimit të komunizmit nga shumica e sotme qeverisëse. Që nga Berisha e Basha që flasin burrërisht e egër për një kryeministër racist e deri tek Vokshi elegante që kërkon shpalljen non grata të kryeministrit dhe largimin e tij brenda 24 orëve nga Tirana. Opozita premton se kësaj here do të ketë “rrethim” të Parlamentit me protestë, që do të thotë se duke qenë brenda në pakicë, mund të imponohet sepse ka një shumicë të qartë në dyert dhe rrethinat e tij.
Ka disa kohë që në apelin e betejës politike në vend është thirrur dhe një kalë i ngordhur i shumë betejave të dikurshme; lufta kundër komunizmit. Dhe ky është një nga paradokset e mëdha të një kohe plot paradokse shqiptare. Vite më parë, në një Shqipëri shumë më të dëshpëruar se Shqipëria e sotme, mbas zgjedhjeve të manipuluara të majit të 96-ës dhe në prag të stresit kombëtar të rrëzimit të piramidave financiare, në Tiranë qarkullonte një tezë e guximshme politike. Një tezë që nuk pati një autor të vetëm – ndoshta i pari që e shkroi si të tillë ishte Preç Zogaj. Sipas saj, në skenën politike nuk kishte as të majtë dhe as të djathtë, sipas ndarjes konvencionale që bëhej nga teoritë e zakonta e normale politike. Në Shqipëri kishte – dhe ka ende sot – vetëm lart e poshtë. Domethënë, pushtet e opozitë. Duke nisur që me ndarjen konvencionale të bërë që pas shpalles së pluralizmit; kush zgjidhte të ishte me PD-në quhej demokrat, kurse kush qëndronte me socialistët quhej komunist dhe i pareformuar. Sa për një shembull, Sali Berisha, 25 vjet sekretar i drunjtë i partisë së drurit dhe hurit si punë e vyer e ish-komunistëve quhej demokrat, kurse dy të rinj studentë 22-23 vjeçarë si Pandeli Majko dhe Ilir Meta, quheshin komunistë. Komunist quhej Fatos Nano, një bohem dhe adoleshent i “llastuar, por rebel” sipas parimeve të kohës, ndërsa lloj-lloj horrash me dosje të vjetra sigurimi, mëkatarë pa pendesë dhe pendestarë hipokritë pa mëkate, të burgosur ordinerë që shndërroheshin si me magji në të persekutuar politikë, për shembull, duke marë teserën e PD-së shndërroheshin në ëngjëjt blu të demokracisë.
Në gjithë vitet 90-të, ligjërimi politik i ish-presidentit Berisha i ngjante atij të luftës së ftohtë, me rrezikun e kërcënimit komunist në prag. Dukej sikur në Tiranë fliste Regani dhe përballë kishte vetullat lindore të Brezhnjevit. Edhe pse gjithkush e dinte, përfshi më së pari vetë Berishën, se e shkuara ishte arkivuar dhe shkulur si sistem dhe mbijetesa e individëve të sistemit të shkuar, ishte vetëm çështje individuale dhe zgjidhje individuale; nuk mund të rikthehej e restaurohej si degë në Tiranë ajo që ishte shkulur nga rrënja në vendlindjen moskovite. Çdo rikthim ishte renimishencë, por jo sistem. Edhe kur demokracia ishte hibride, edhe kur zgjedhjet ishin të falsifikuara dhe rezultati i tyre i paravendosur, sërish nuk kishte komunizëm. Por atëherë Berisha duke folur për të shkuarën e kishte në fakt hallin thjesht tek pushteti në të nesërmen e tij.
Deri diku, por vetëm deri diku ama, kishte kuptim të flitej për komunizmin e luftën kundër tij në vitet 90-të. Edhe pse as atëherë dhe as tani, nuk ka një qëndrim të qartë, të prerë dhe serioz për atë të shkuar, për të dalluar bashkëfajtorët dhe bashkëvuajtësit e dikurshëm, për të ndarë viktimat nga xhelatët, për të ndëshkuar fajtorët dhe për të reabilituar ata që e kishin pësuar në shpirt e kurriz dhunën komuniste. Por 25 vjet mbas përmbysjes së sistemit, të flitet për rrezikun e restaurimit të komunizmit, në mos marrëzi dhe miopi, është përdorimi primitiv i gurëve dhe shkopinjve në një luftë moderne që bëhet me raketa e kompiutera. Eshtë mbyllje sysh ndaj problemeve të vërteta dhe serioze të vendit. Eshtë pamundësi reale për të justifikuar dështimet e të shkuarës dhe një përpjekje për të projektuar dështimet e të ardhmes tek kundërshtari politik. Lufta kundër komunizmit në këtë moment, është thjesht dhe vetëm një ftesë më shumë dhe e panevojshme për mitingun e të enjtes. Eshtë një kërkesë për të gjetur identitetin dhe portretin e frontit të dikurshëm antikomunist që PD-ja realisht e krijoi në dhjetor 90-të. Ai front përfshinte një spektër të jashtëzakonshëm të shoqërisë shqiptare të kohës, që nga të rinjtë idealistë, të pëndjekurit realë politikë, njerëzit me mendjen më të ndriçuar të asaj kohe, intelektualë, artistë, shqiptarë fisnikë e të munduar të veriut e të jugut, komunistë të zhgënjyer dhe bij komunistësh që ishin kundër prindërve të tyre, maskarenj, vanitozë e aventurierë, ish-sigurimsa dhe mëkatarë, ish-të burgosur ordinerë e lloj-lloj qelbësirash të tjera siç ka çdo shoqëri njerëzore. Siç kishte dhe ka edhe sot shoqëria shqiptare.
PD-ja atëherë ishte një front antikomunist që u pushtua fatkeqësisht nga komunistët. U pushtua nga mutacioni më i jashtëzakonshëm i klanit të kuq, nga mbijetuesi i epërm Sali Berisha. Njeriu që dhe sot zgjedh të jetë edhe thesar kombëtar, edhe arkivë e çaprashitur, edhe luga e benzinës në supë. Eshtë, natyrisht, dhe kundërshtari më i egër i pasardhësit të tij. PD-ja sot po kërkon të rikrijoë një front më të gjerë lufte kundër Ramës, i cili po sheh se paradoksalisht, edhe pse po i shtohen kontestuesit dhe të pakënaqurit, opozita e tij zyrtare nuk rritet ende në shifra.
A ka mëkate Edi Rama sot si kryeministër? Shumë vetë thonë se ka shumë të tilla! A është komunist Edi Rama? As në ëndrrat më të çmendura të tij Berisha nuk e sheh si të tillë pasardhësin e tij. E megjithatë këtë makth vazhdon t’ua shesë prej 25 vjetësh gjithë shqiptarëve. Edi Rama është vetëm ambalazhi i rradhës së kësaj fantazme të kuqe, të cilën Shqipëria e ka lënë prej vitesh në anën tjetër të Lanës, lumit të pistë të kryeqytetit. (Javanews.al)