Ushtarakët profesionistë qëndrojnë larg politikës…

Nga Safet N. Ramolli

 “…Pjesëmarrja e ushtarakëve në politikë, minon profesionalizmin”. “… Një gjeneral nuk mund të merret me politikë, dhe për ato që di, ai duhet të mos i bëjë publike”.

 Në vend të hyrjes

Mediat publikuan një javë më parë mendimin dhe qëndrimin e Ministrit të Brendshëm Teknik z. Demiraj, lidhur me qëndrimin dhe veprimin e personelit të Ministrisë së Brendëshme dhe të Gardës së Republikës, gjatë fushatës zgjedhore në veçanti por edhe gjatë gjithë veprimtarisë në përgjithësi. Përmes udhëzimit Ai saktëson qartësisht se këto struktura me ligj të veçantë janë të depolitizuara, prandaj duhet të distancohen qartë dhe prerazi nga forcat politike dhe aktivitetet e tyre jo vetëm gjatë orarit të punës por edhe jashtë tij.

   Personalisht kam qënë dhe jam i të njëjtit mendim me z. Ministër, jo vetëm duke marrë shkas nga citimet në krye të shkrimit, por edhe nga sa do të bëj kujdes të sjell më poshtë për lexuesin e interesuar, por sidomos për ushtarakët. Nga përvoja shumëvjeçare si ushtarak i karrierës kam evidentuar këshilla dhe porosi nga personalitete në zë të botës perëndimore posaçërisht për këtë çështje. Kështu, me motivacionin: “Një gjeneral nuk mund të merret me politikë, dhe për ato që di ai duhet të mos i bëjë publike”, u ndërpre karriera ushtarake e një gjenerali italian, që ishte me detyrë në Mitrovicë të Kosovës në krye të forcave ushtarake italiane në përbërje të forcave multinacionale paqeruajtëse. Si argument për këtë qëndrim të prerë dhe përfundimtar të qeverisë italiane, shërbeu një intervistë dhënë gazetës italiane “Il Messogiorno” në shkurt-mars 2000, përmes së cilës ai e çmonte të gabuar politikisht vendimin e marrë nga qeveria për të instaluar forca ushtarake, sidomos ato franceze, në zonën e urës ndarëse mbi lumin Ibër.

Ushtaraku i lartë italian, ndoshta i ngarkuar emocionalisht nga sa kish përjetuar i pranishëm në një mjedis tepër të armiqësuar midis serbëve dhe shqiptarëve, nuk kursen akuza të hidhura ndaj kolegëve francezë apo gjermanë, duke i fyer ata me epitete pejorative. Kjo intervistë u vlerësua dhe çmua si jashtë profesionalizmit ushtarak, e ngarkuar me dozë politike dhe larg profesionit ushtarak. Po ashtu media shqiptare në mars 2000, artikuloi lajmin për burgosjen e një koloneli francez efektiv i forcave shumëkombëshe në Kosovë, sepse pati bërë publik një material kofidencial.

   Nisur nga përvoja shumëvjeçare e administrimit të forcave të armatosura, politikanë, statistë, strategë ushtarakë dhe intelektualë të mirinformuar, kanë arritur në përfundimin se, që të ngrihet një ushtri e vërtetë kombëtare duhet që ajo “të çlirohet” domosdoshmërisht prej kthetrave partiake. Edhe në vendin tonë, pas viteve ’90 për këtë qëllim u vunë në dispozicion mjaft ligje, që të zbatuara me përgjegjësi, do të kishin mundësuar “çlirimin” e forcave të armatosura nga kthetrat e politikave partiake. Por për fat të keq, në veprimtarinë e përditëshme ka patur mjaft qëndrime e veprime tërësisht të politizuara. S’ kanë qënë të rastësishme e as të pakta rastet kur disa kuadro vinin në reparte me gazeta partiake; të tjerë në vend që të kryenin detyrat diskutonin për programet e partive apo për drejtuesit e tyre; disa hynin në qëndrat e votimit dhe “instruktonin” ushtarët si të votonin; jo pak kuadro merrnin pjesë në mitingje të partive politike, bile deri edhe në podiume; të tjerë kremtonin fitoren e njërës apo tjetrës parti në zgjedhje me breshëri automatike armësh apo me deklarime publike të papërshtatshme me statusin e ushtarakut.

   Nga sa evidentuam më lart, kurrësesi nuk duhet menduar se ushtarakët janë të privuar nga politika dhe nga pregatitja juridike, moralo-psikologjike, atdhetare-patriotike, etiko-qytetare etj. Në të kundërtën, ushtaraku domosdoshmërisht duhet të njohë mirë politikën e sigurimit dhe të mbrojtjes kombëtare; të njohin e të zbatojnë me korrektësi kërkesat e legjislacionit në fushën ushtarake si dhe ato të Kodit Moral të Ushtarakut, që janë të artikuluara në mjaft ligje dhe rregulloret e ndryshme.

Cili është raporti i ushtarakut me shoqërinë apo komunitetin?

   Në një shoqëri pluraliste, ushtarakët janë pjesë integrale e saj. Ata me një seri ligjesh ngarkohen me misionin të mbrojnë me çdo kusht lirinë, tërësinë territoriale, pavarësinë kombëtare dhe rendin kushtetues; çka u jep cilësinë e të qënurit faktor kombëtar, që i përkasin popullit atdheut. Çka nënvizuam më lart do të thotë se, ushtarakët kryejnë detyra shtetërore, ligjore dhe morale kombëtare. Këtë cilesi e kanë evidentuar dhe theksuar politikanë, personalitete të fushave të ndryshme, si dhe strategë të mirëfilltë ushtarakë. Duajt Ajzenhauer, udhëheqës ushtarak i Luftës II Botërore dhe personalitet i spikatur i pasluftës në SHBA, midis të tjerash thekson: “…Vartësia e ushtrisë nga pushteti civil realizohet më mirë kur ushtarakët profesionistë qëndrojnë larg politikës …”. Ky pohim përmban edhe aksiomën, që ushtarakët janë në shërbim të shtetit, të popullit dhe të Atdheut.

   Palitologu David F. Trask, kur argumenton domosdoshmërinë e kontrollit civil në ushtri, përposë të tjerash shprehet: “Ushtria është profesion dhe anëtarsimi në të përcaktohet në bazë të rezultateve…”. Mandej afërisht pohon, se ushtaraku e ka nevojë t’i përkushtohet përsosmërisë profesionale, respektimit të normave më të larta teknike në plotësimin e kërkesave të fushës së zgjedhur prej tij apo të caktuar prej saj. Edhe studjuesi amerikan Samuel P. Hantington nënvizon se, katër janë vlerat ushtarake: Besnikëria. Detyra. Kufizimi. Përkushtimi. Ai pohon qartazi se mbi ushtarakët qëndron një përgjegjësi e rëndë, prandaj shërbimi më i madh që mund të bëjnë ata është të mbeten të vërtetë me vehten edhe me shtetin; të shërbejnë në heshtje dhe të heshtin me vendosmëri në mënyrë ushtarake. Pra grupimi i ushtarakëve, si pjesë integrale e shoqërisë në tërësi, ka një pozicion të caktuar, zë një vend të rëndësishëm si dhe luan një rol të dukshëm në tërësi, por vendimtar në fushën e Sigurimit dhe të Mbrojtjes Kombëtare. Prandaj specialistët e fushës së politikës, shtetarët, duhet të kenë kompetenca të mjaftueshme si dhe aftësi për të njohur vlerën e ushtarakëve, dhe për t’u dhënë atyre vendin që meritojnë. Ata duhet të njohin pavarësinë e profesionalizmit ushtarak, veçoritë e tij, për rrjedhojë duhet të pohojnë dhe të pranojnë teorikisht e praktikisht domosdoshmërinë e karrierës ushtarake si profesion; të vlerësojnë praninë e ushtarakut si një grupim me interesa mbarëkombëtare.

   Ushtarakët zbatojnë vetëm detyra juridike që burojnë nga misioni kombëtar që forcat e armatosura përmbushin. Në vitin 1994 një ushtarak i lartë i NATO-s, ardhur për një vizitë pune në vendin tonë, pyetjes se përse nuk ndërmerren veprime ushtarake nga forcat aleate në konfliktin e tejzgjatur dhe të përgjakshëm në Bosnjë-Hercegovinë, në thelb dha këtë përgjigje: ne jemi ushtarakë dhe zbatojmë urdhërat që venë qeveritë. Qeveritë janë ato që bëjnë politikë, që përcaktojnë qëndrimet politike, që marrin vendime, përfshi marrëdhëniet midis shteteve; që shpallin gjëndjen e jashtëzakonshme apo luftë etj. Vendimet e mëdha politike dhe strategjike përcaktohen dhe merren nga shtetarët, nga politikanët, pra nga qeveritë, të cilat konsultohen dhe marrin parasysh edhe mendimet e ushtarakëve. Këto vendime shërbejnë si bazë që ushtarakët të drejtojnë luftën, mënyrë veprimi kjo çka bën të mundur që veprimet luftarake, pra lufta në përgjithësi, të drejtohet dhe të zhvillohet  “… ashtu siç dëshiron populli dhe shtetarët e lartë …”, të cilët kanë përcaktuar vendimet politike dhe strategjike.

Pas këtyre perifrazimeve me mjaft vlerë, secili mund ta ketë më të qartë se nga qëndrimet politike të qeverive burojnë vendimet dhe urdhërat, të cilat komandojnë ushtrinë dhe ushtarakët. Pra ushtarakët janë në shërbim të ligjit, i falen vetëm ligjit me mendimin se, vetëm kështu i shërbejnë me devotshmëri dhe përkushtim Atdheut dhe Kombit. Në asnjë mënyrë ushtaraku nuk duhet të bjerë preh e polemikave të shndershme dhe nëpërgojosjeve pa kriter. Atë në asnjë mënyrë nuk ka përse “ta hanë” meraket e politikanëve apo se cila do të jetë e ardhmja e këtij apo e atij politikani , apo personaliteti, e shkuara e njërit apo e tjetrit, se cilët janë stërgjyshërit e tyre etj.

   Në të kundërtën, ushtaraku ka mbi kokë ligjin në tërësi, betimin që ai ka bërë, deklarimin zyrtar që ka në dokumentet personale për depolitizimin dhe asnjanësinë partiake. Kombi dëshiron që të ketë ushtarakë të ndershëm, profesionistë të aftë, të përkushtuar të kryejnë detyrat në interes të Atdheut e të Popullit. Për ushtarakun profesionist dhe atdhetar ka vetëm një motiv: Atdheu. Nderi. Detyra: mbi gjithëçka!

   Bota e emancipuar në të cilën ligjin e bën ligji, edhe në çështjen e raporteve të ushtarakut me shoqërinë, e ka të përcaktuar qartë qëndrimin e vet zyrtar, por edhe atë qytetar. Për ata në mënyrë të përmbledhur ky kod është: Vlerat ushtarake janë të veçanta, specifike dhe të shenjta! Ato janë: Bindja. Detyra. Kufizimi. Përkushtimi. Këto janë virtytet më të larta të ushtarakut. Ato janë të përherëshme dhe unike.

Ligji dhe raportet e ushtarakut me atë

   Së pari, nënvizojmë se nuk është aspak në rrugën e ligjit, të nderit; në trasenë e moralit e të figurës ushtarake, që ushtaraku të mos njohë me imtësi e të mos zbatojë me korrektësi, kërkesat e legjislacionit në fushën ushtarake si dhe të Kodit Moral të Ushtarakut. Ҫdo vend që pretendon të ndërtojë një shoqëri demokratike, më së pari dhe mbi të gjitha, bën kujdes që të hartojë e të zbatojë ligje, që krijojnë hapësirë demokratike për çdo shtetas: t’i garantojë sejcilit atë çka i takon, dhe të detyrojë secilin të zbatojë detyrimet që ka ndaj shoqërisë dhe shtetit.

   Ushtarakët për fat të mirë kanë në qarkullim librin “Ushtaraku dhe Shteti“ të autorit Samuel. P. Hantington, i cili pozicionin e ushtarakut kundrejt ligjit, ndaj grupimit të politikanëve dhe të shtetarëve, e shpreh edhe si vijon: “Politika merret me synimet e tërë punës shtetërore. Politika është matanë fushës së interesave dhe kompetencave ushtarake …”, ashtu si pjesëmarrja e ushtarakëve në politikë e minon profesionalizmin e tyre, sepse ushtaraku nuk ka për funksion dhe as që është i aftë profesionalisht, që të merret me politikë; prandaj ushtaraku “si shërbëtor” i shtetit është “shërbëtor” vetëm ndaj autoriteteve të shtetit të konstituara legjitimisht. Për ushtarakun ka një hallkë të caktuar të drejtimit e komandimit, ka ligje dhe statuse të veçanta, të cilat normojnë veprimtarinë e tij me shoqërinë dhe me shtetin në përputhje me specifikën e detyrës dhe të funksionit të misionit. Kështu vepron ligji “Për departizimin dhe depolitizimin e disa organeve shtetërore”, i cili e vë çdo ushtarak përpara detyrimit, që ai të jetë asnjanës ndaj partive politike apo organizatave e shoqatave politike. Ky ligj e ndalon prerazi, qartë dhe kategorikisht ushtarakun që të merret me propogandë partiake p.sh. përmes komentimit të shtypit partiak, duke përgojuar veprimtarinë e personaliteteve të ndryshme etj. Kjo bije ndesh me deklarimin se, ushtaraku është zbatues i ligjit, i politikës shtetërore, dhe nuk duhet të bëjë interpretime të tjera jashtë përmbajtjes së politikës shtetërore. Ligji për “Departizimin dhe depolitizimin …” është kusht për të ndërtuar ushtri kombëtare, jashtë politikave partiake dhe larg lojrave politike që ato bëjnë. Në përmbajtje ky ligj i shërben idesë se, ushtria i përket atdheut, kombit dhe popullit; se forcat e armatosura janë në shërbim të atyre dhe jo të partive politike, sepse atdheu dhe populli janë të përjetëshme ndërsa partitë politike janë kalimtare në histori. Në mendësinë e ushtarakut duhet të qartësohet dhe të kthjellohet shtylla kurrizore që shpreh ligji, se sejcili prej tyre i përket atdheut, kombit në një mënyrë të veçantë: lidhen në gjënë më me vlerë; me lirinë, pavarësinë, tërësinë territoriale dhe rendin kushtetues. Për ushtarakët është i shenjtë dhe i detyrueshëm të zbatohet ligji i shtetit, urdhëri i Komandantit të Përgjithshëm, vendimet e organeve shtetërore, urdhërat e personave të ngarkuar me ligj.

Personalitete në zë të sferës së politikës apo atë ushtarake, u kanë rekomanduar ushtarakëve, që të njohin legjislacionin në fushën e Sigurimit e të Mbrojtjes Kombëtare, t’i respektojnë ato dhe të shërbejnë me bindje e vullnet. Kjo sepse respekti për ligjin është respekt për atdheun dhe popullin.

Politika dhe pozicioni i ushtarakut në politikë.

   Ushtaraku në shoqëri duhet të jetë një figurë dinjitoze, me reputacion dhe i respektuar, këto cilësi janë pronë e atyre që çmojnë profesionalizmin dhe jo politikat; që analizojnë shkaqet dhe rreziqet që i kanosen atdheut. Ushtarakët kategorikisht nuk duhet të priren nga dëshira për të marrë pjesë në veprimtari me karakter politik, sepse çështja ushtarake në raport me politikën kombëtare ka përgjegjësinë profesionale për sigurimin ushtarak të shtetit dhe të popullit. Kjo përgjegjësi e detyron ushtarakun që ta gjykojë dhe gjejë shtetin si njësinë bazë të organizimit politik; të sigurojë mbajtjen në gatishmëri dhe aftësi luftarake të resurseve njerëzore dhe materiale. Prej këtej rrjedh aksioma se ushtaraku duhet të mbetet asnjanës në politikë, ushtaraku duhet të presë udhëzime politike vetëm nga shtetari. Edhe nëse për arësye shërbimi ushtarakët asistojnë në veprimtari partiake, ata nuk duhet të vrasin mendjen për politikat, për qëndrimet, për programet, për analizat etj. që organizojnë e kryejnë partitë politike, por duhet të plotësojnë detyrën sipas misionit me profesionalizëm  e dinjitet.

Por analistë në zë, përsa i përket raportit të profesionalizmit ushtarak me politikën, na  sjellin në vëmendje vetëm një përjashtim kur ushtaraku merr pjesë në politikë. Pikërisht ky është momenti kur ai si qytetar, si zgjedhës, në çastin e votimit  “politizohet” duke i deleguar votën asaj force politike tek e cila gjen më mirë vetvehten. Por ky është një përjashtim nga rregulli i përgjithshëm; kjo sepse politika është karrierë e mirëfilltë. Prandaj ushtaraku, nëse dëshiron të merret me karrierë politike, detyrimisht duhet të heqë dorë nga karriera në ushtri, vullnetarisht të kërkojë të largohet nga ushtria para se ta largojnë të tjerët.

   Ushtaraku si qytetar ka bindjet e veta partiake, ato gjithësesi janë personale, prandaj edhe nuk duhet t’i manifestojë në kryerjen e detyrës, e cila është detyrë kombëtare, e bazuar në ligje specifike. Për ushtarakun bindja kombëtare është ligji; veprimi praktik i tij është zbatimi i kërkesave ligjore, ai detyrimisht zbaton politikën shtetërore në fushën e mbrojtjes kombëtare. Nuk duhet të ketë ushtarak i cili të mos e dijë se, kryen detyra shtetërore, patriotike, të bazuara këto në ligjet dhe në kërkesat e Kodit Moral të Ushtarakut. Ushtaraku ka një pozicion të përcaktuar qartë në teatrin e atdheut. Ai gjithësesi është aktor në këtë teatër, por dihet që jo të gjithë aktorët duartrokiten gjatë një shfaqjeje apo një sesioni. Ata që e luajnë rolin me dinjitet dhe profesionalizëm, formojnë edhe personalitet aktoresk; pëlqehen nga shikuesi, duartrokiten dhe mbeten në kujtesën e tyre. Prandaj ushtarakët duhet të prezantojnë vetvehten si njerëz dinjitozë, me horizont të gjerë kulturor e profesional, dhe domosdoshmërisht me përkushtim atdhetar e frymë kombëtare.

   Dinjiteti i ushtarakut ka në themel e në bosht vlerësimin parësor që i bën misionit, punën vetmohuese për të përmbushur detyrën, besnikërinë ndaj ligjit, divorcin e prerë dhe real me partitë politike. Ai duhet të shpalosë profesionalizëm të lartë ushtarak, përkushtim të qartë atdhetar, edukatë qytetare e ushtarake të plotë, paraqitje të rregullt dhe imponuese, inspirim të frymës së bindjes dhe të zbatimit të detyrave. Ushtaraku në politikë duhet të ndihet “i tepërt”, ai duhet të jetë i pranishëm dhe të bëjë gjithëçka në fushën e profesionalizmit ushtarak, sepse karriera politike u përket politikanëve dhe shtetarëve që e kanë zgjedhur apo janë caktuar në këtë nënndarje shoqërore të punës.

Ushtaraku dhe profesionalizmi, raportet në këtë çështje.

   Ushtaraku është qytetar profesionist, dhe si i tillë duhet të dallohet cilësisht nga të tjerët në këtë fushë. Mjaft personalitete perëndimore e kanë evidencuar këtë kërkesë, që tashmë po bëhet pronë edhe nga ushtarakët shqiptarë. Duajt Ajzenhauer, te cilin e kemi cituar më lart nënvizon: “…Vartësia e ushtrisë nga pushteti civil realizohet më mirë kur ushtarakët profesionistë qëndrojnë larg politikës…”. Me këtë Ai ka parasysh që ushtarakët i përkushtohen tërësisht profesionalizmit, përmes të cilit dhe me të cilin, ata dallohen nga qytetarët e tjerë si dhe plotësojnë detyrimin që kanë ndaj atdheut dhe popullit për shkak të profesionit të zgjedhur apo të caktuar. Natyrisht që çdo shtet bën politikë, por atë ta bëjnë politikanët, të cilët aderojnë në parti të ndryshme dhe servirin alternativa të ndryshme; ashtu sikurse e bëjnë edhe shtetarët të emëruar për këtë qëllim. Çurçilli, një nga personalitetet ushtarakë dhe politikë më të kompletuar të Anglisë gjatë dhe pas Luftës II Botërore, në analizë të këtij problemi nënvizon: “Politikanët e zakonshëm (drejtuesit e partive S.R) kanë një dallim nga burrat e shtetit, … burrat e shtetit mendojnë për të ardhmen, ndërsa politikanët vetëm për zgjedhjet e ardhëshme …”.

Koncepti “Burrë Shteti“ parakupton personalitetet shtetërore dhe politike, të cilët duke ndjerë përgjegjësinë atdhetare, marrin mbi shpatulla fatet e popullit të tyre. Mbi ata peshon më shumë interesi i atdheut dhe i popullit se sa ai i partisë ku militojnë; për ata me vlerë është ligji dhe jo normat partiake, të cilat janë të ndryshme për parti të ndryshme. Në historinë e kombeve hyjnë “Burrat e Shtetit“, që e meritojnë këtë epitet për vepra madhore të ideuara dhe të kryera në shërbim të kombit; ata që Njeriut dhe Lirisë i flasin me emrin e tyre të shenjtë.

   Politologë dhe strategë të njohur lidhur me figurën, vendin dhe rolin e grupimit të ushtarakëve shprehen se, ushtria është profesion dhe anëtarësimi në të përcaktohet në bazë të rezultateve. Pra as më shumë e as më pak, e vlerësojnë ushtrinë si një ndarje shoqërore të punës, si një profesion, si një profil pune, e cila pranon anëtarë në sajë të një testimi të prerë profesional dhe aspak partiak. Gjykuar në këtë mënyrë është emergjente që ushtaraku t’i përkushtohet përsosmërisë profesionale; pra ushtaraku i karrierës, para se të merret me politikë, ka me se të merret: ai domosdoshmërisht duhet t’i përkushtohet profesionit, të përvehtësojë kërkesat më të larta teknike të formuluara në formë të një testi intelektual e fizik. Profesionalizmi ushtarak përbën vetëm boshtin e ushtarakut, sepse nuk mund të jesh ushtarak pa qënë i aftësuar edhe në fushat e tjera. Aftësimi profesional përbën një kontratë, një marrëveshje ligjore dhe morale të shtetasit me shtetin e tij para se ai të fillojë punë në ushtri.

   Përgjithësisht duhet kuptuar dhe zbatuar parimi se, karriera politike nuk mund të bashkëjetojë me karrierën ushtarake; pra nuk mund të jesh ushtarak dhe njëherësh të merresh me politikë. Kjo sepse profesioni ushtarak është specialitet i kufizuar, por që si çdo profesion tjetër edhe ky lidhet me shtetin dhe shoqërinë në një mënyrë tepër specifike. Por dihet që këtë profesion nuk mund ta ushtrojë dhe as ta përballojë kushdo, dhe kjo për shkak të kufizimeve që imponon dhe të vështirësive që përmban nga vetë natyra e tij profesioni ushtarak.

   Për interesat që duhet të shfaqë ushtaraku në lëmin e profesionalizmit ka mjaft vlerësime e qëndrime, por që në emërues të përbashkët qëndron fakti: ushtria është profesion dhe ky fakt imponon njohje të thellë dhe të gjerë të kërkesave të këtij profesioni. Në këtë thyesë çështja është: vlera e çdo ushtaraku përcaktohet në bazë të madhësisë së numuruesit. Pra ushtarakët janë profesionalisht të aftë të vlerësojnë forcat ushtarake të një shteti, gjykimi dhe vlerësimi i politikave të shtetit është një çështje politike jashtë kompetencave të tij. Për ushtarakun shkenca ushtarake është profesion dhe pjesëmarrja e ushtarakut në politikë e largon atë nga të qënurit brenda funksionit dhe misionit të tij, pra nga të qënurit ushtarak.

   Si përfundim mund të sjellim në vëmendje konkluzionin që kanë arritur politologë dhe strategë ushtarakë, se mbi ushtarakët, mbrojtësit e rregullit, qëndron një përgjegjësi e rëndë. Shërbimi më i madh që mund të bëjnë ata është të mbeten të vërtetë me vehten dhe shtetin, të shërbejnë në heshtje dhe të heshtin me vendosmëri në mënyrë ushtarake. Në qoftë se heqin dorë nga fryma ushtarake, ata shkatërrojnë njëherësh vehten dhe kombin e tyre. Dhe pikërisht kjo sentencë ka qënë, është dhe mbetet aksiomë e shenjtë për secilin që e ka vendosur të jetë ushtarak i vendit dhe popullit të vet. Prandaj bashkohem me mendimin e ministrit të brendshëm zotit Demiraj për depolitizimin real dhe praktik të ushtarakëve.

SHKARKO APP