Kalo te përmbajtja
Koha Jone Logo
  • Të fundit
  • Lajme
  • Aktualitet
  • WebTV
  • Rajoni
  • Bota
  • Politikë
  • Kosova
  • Ekonomi
  • Showbiz
  • Sporti
  • Shqip
  • English
Lexo në app
  • Shqip
  • English
  • Të fundit
  • Lajme
  • Aktualitet
  • WebTV
  • Rajoni
  • Bota
  • Politikë
  • Kosova
  • Ekonomi
  • Showbiz
  • Sporti
  • Lajme
  • Aktualitet
  • Politikë
  • Forum
  • WebTV
  • Editorial
  • Kosova
  • Rajoni
  • Bota
  • Sporti
  • Ekonomi
  • Showbiz
  • Kultura
  • Shëndeti
  • Teknologji
  • Intervista
  • Kronikë
  • Turizëm
  • Sociale
  • Historiku
Lajmet e fundit

Gazeta "KOHA JONË" themeluar si e pavarur më datë 11 Maj 1991
Botues: Nikoll LESI. Adresa e redaksisë: Rruga "Sami Frasheri", Pallatet e Aviacionit të Vjetër Nr. 2, TIRANA - ALBANIA

Site by

Opsionet e pamjes

Pamje shembull E mërkurë, 11 Nëntor 2026, 08:46 Ben Blushi: Nga vjen emri i Tiranës Nga Ben Blushi- Një nga enigmat më të mëdha të Tiranës është origjina e emrit të qytetit. Pra cdo të thotë Tiranë? Kush e…
Pamja e bardhë/e zezë
Madhësia e tekstit
  • Në trend
  • Protesta në Tiranë
  • Zgjedhjet lokale
  • Pensionet
  • Ueno Bank
  • Veliaj
  • Reforma zgjedhore
  • Irani
  • Qeveria teknike
Lajmet e fundit
Në trend
  • Protesta në Tiranë
  • Zgjedhjet lokale
  • Pensionet
  • Ueno Bank
  • Veliaj
  • Reforma zgjedhore
  • Irani
  • Qeveria teknike
KOHA JONË Lajmet e fundit, gjithmonë me ju
Instalo

“Vajzë Fest 2025”, tre ditët e edicionit të tretë të Vajzës së Labërisë që u bë Zonjë e festës së traditës dhe trashëgimisë

Lajme E mërkurë, 27 Gusht 2025 15:32
“Vajzë Fest 2025”, tre ditët e edicionit të tretë të Vajzës së Labërisë që u bë Zonjë e festës së traditës dhe trashëgimisë
Shto te burimet e preferuara

Shpërnda

Facebook WhatsApp Email X

Nga Albert Vataj

Tre ditë magjike në zemrën e Labërisë, në Vajzën që u ngrit si Zonjë e kujtesës dhe krenarisë, i dhanë jetë një feste që ishte më shumë se thjesht ngjarje kulturore. Ishte një zgjim shpirtëror ku u përqafuan historia dhe e tashmja, tradita dhe moderniteti, zakoni i lashtë dhe energjia e brezave të rinj.
Në këtë udhëtim tre-ditor, Vajza u bë altari i mallit, i historisë, i kulturës, i etnografisë, i mikpritjes dhe i dashurisë. Bijtë e saj, të ardhur nga çdo cep i Shqipërisë dhe nga diaspora, iu përgjigjën thirrjes së pragut, duke sjellë në gjallëri atë që është më e shtrenjtë: rrënjët, kujtimet dhe krenarinë e përbashkët. Ishte një takim që nuk ndalej vetëm te argëtimi, por kthehej në një akt përjetësimi, në një thirrje që vendlindja të mos mbetet vetëm në kujtesë, por të rrojë në zemër dhe në zë.
Edicioni i tretë i “Vajzë Fest 2025”, nuk u përjetua thjesht si një aktivitet, por si një rit i shenjtë i identitetit. Nga një nismë e bukur e shoqatës dhe bijve të Vajzës, ky festival tashmë është shndërruar në një traditë që tejkalon kohën, një portal i shenjtërisë së historisë dhe kujtesës, nga ku hyjmë në një dimension që bashkon epokat dhe na fton të shkëmbejmë përjetime, ndjenja e frymëzime.

Për tre ditë me radhë, fshati Vajzë u shndërrua në tempull arti, kulture dhe kujtese. Gurët e rrugicave të saj u bënë jehonë e këngëve, qielli i saj u mbush me zërin e polifonisë, e mbi të gjitha, zemrat e njerëzve rrahnin në të njëjtin rit të gëzimit dhe mallëngjimit. Nga çdo skaj i Shqipërisë dhe më gjerë, njerëzit u mblodhën për të festuar, për të kënduar, për të vallëzuar, por edhe për të rigjetur veten në hijen e rrënjëve të tyre, në zërin e largët të kujtimeve që kthehet në mëkim dashurie dhe në rikthim të përjetshëm te pragu i shtëpisë.
“Vajzë Fest 2025”, është tashmë më shumë se një ngjarje: është kthimi i përvitshëm i një besëlidhjeje me rrënjët, është ftesa për ta parë vendlindjen jo vetëm si kujtim, por si skenë të shpirtit dhe krenarisë sonë kombëtare.

Reklamë Reklamo në Koha Jonë
Reklamë Reklamo në Koha Jonë

DITA E PARË
“Vajzë Fest 2025”, riktheu për të tretin vit radhazi një traditë që po shndërrohet në emblemë të Labërisë moderne – një festë që nuk është thjesht argëtim, por një akt kujtese, një thirrje për rrënjët, një përqafim i së bukurës dhe i së përbashkëtës.
Mbrëmja hapëse nisi me përshëndetjen e kryebashkiakut të Selenicës, Nertil Bellaj, i cili theksoi se “Vajzë Fest 2025”, është një nismë e Shoqatës “Vajzë”, e mbështetur fuqimisht nga biri i këtij fshati, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, dhe e kurorëzuar me përkushtimin artistik e vizionar të regjisorit Armando Bora. Në fjalën e tij, Bora shpalli nisjen e një projekti të ri: “Labtheatre”, një format teatror i rrënjosur në identitetin e Labërisë, me personazhe, ngjarje, kostume, gjuhë dhe zakone të zonës, që synon të mos mbetet vetëm një përjetim skenik, por të shndërrohet në trashëgimi të gjallë dhe të përhapur.
Atmosfera e festës u pasurua edhe nga fjala përshëndetëse e Drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela, e cila theksoi rolin e këtij eventi si një mundësi e çmuar për të eksploruar dhe promovuar kapacitetet turistike të zonës.
Në skenë u ngjit më pas një nga miqtë më besnikë të kësaj feste, karikaturisti Bujar Kapexhiu, i cili e shprehu me mirënjohje kënaqësinë për të qenë sërish pjesë e këtij udhëtimi kulturor. Pas tij, si një mysafir i veçantë, Pëllumb Kulla solli simbolikën e një gjesti të paharrueshëm: ai tundi këmborën, duke shpallur hapjen e larmisë së aktiviteteve që do të vijonin.
Skena u ndez menjëherë nga komedia “Propozimi që shkoi keq”, e cila solli të qeshura, por edhe reflektim, duke dëshmuar se arti ka fuqinë të shoqërojë gëzimin me mendimin, dhe festën me mesazhin.
Dita e parë e “Vajzë Fest 2025”, u mbyll me tingujt e entuziazmit dhe me ndjesinë e një nisjeje të mbushur me premtime, ku e shkuara dhe e ardhmja u takuan në gjirin e Vajzës, për t’i dhënë festës peshën e kujtesës dhe shkëlqimin e vizionit.

ReklamëSwiss DigitalReklamo në Koha Jonë

DITA E DYTË
Në ditën e dytë të “Vajzë Fest 2025”, Amantia u ringrit si një orakull i lashtësisë, një altar i kujtesës ku mijëvjeçarët u përkulën para solemnitetit të një çasti të vetëm. Në atë amfiteatër të gurtë, ku koha ka skalitur heshtjen e saj madhështore, tingujt e sotëm u përthithën nga jehona e largët e epokave të shkuara. Gurët e tharë nga shekujt, të rrahur nga erërat dhe të përgjumur nga shembja e perandorive, u zgjuan për t’u bërë dëshmitarë të një flake të re që ndizte të njëjtin zjarr si dikur – flakën e garës, të fisnikërisë dhe të lavdisë.
Në mes të këtij teatri të përjetësisë, u shfaqën priftëreshat e simbolit, sikur të kishin zbritur nga mitet homerike, duke bartur me duar të shenjta kurorat e ullirit. Fitimtarët i morën ato si një dhuratë të dritës, një lidhje të gjallë mes epokave, ku nderi i lashtësisë u bë gjak i ri në damarët e garuesve të sotëm.
Qielli i Amantias u çel si një skenë hyjnore. Pëllumba të bardhë fluturuan përmbi rrënojat, si një simfoni e paqes që bashkon kohërat, duke u lartësuar mbi njerëzit, mbi kujtesën dhe mbi të ardhmen. Dhe aty, në përplasjen mes gurëve të ftohtë të lashtësisë dhe entuziazmit të zjarrtë të zemrave të reja, ndodhi mrekullia: antikja u shndërrua në të tashme, e tashmja mori petkun e amshueshëm të një miti, dhe Amantia, për një çast, u bë tempulli ku koha pushoi dhe historia mori frymë sërish.

Mund t'ju interesojë

Alimehmeti apo Binaj?/ Bushati: PD ka mentalitet të mykur, rrezikon të zhduket nëse del me kandidatin e vet

Alimehmeti apo Binaj?/ Bushati: PD ka mentalitet të mykur, rrezikon të zhduket nëse del...

Para 3 orësh
Hetime të reja që mund të fundosin përfundimisht Veliajn? Elvi Fundo jep detajet

Hetime të reja që mund të fundosin përfundimisht Veliajn? Elvi Fundo jep detajet

Para 3 orësh
Pensionet, zbulohet shifra që pritet në 2029! Ja sa do të marrë pensionisti rural çdo muaj

Pensionet, zbulohet shifra që pritet në 2029! Ja sa do të marrë pensionisti rural çdo muaj

Para 10 orësh

DITA E TRETË
Në ditën e tretë të “Vajzë Fest 2025”, atmosfera mori përmasat e një mbrëmjeje madhështore festive, ku fshati Vajzë u shndërrua në një skenë dritash, këngësh dhe arti, duke mbledhur rreth vetes banorë të zonës, miq nga trevat përreth, të ardhur nga çdo cep i Shqipërisë dhe diaspora. Ishte një takim i gëzimit me kujtesën, i traditës me bashkëkohoren, i rrënjës me fluturimin.
Ceremonia u çel me përshëndetjet e personaliteteve dhe të ftuarve të nderit, për të vijuar me një valle solemne të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve, që ngriti në këmbë publikun me duartrokitjet e tij. Në skenë u ngjit më pas aktori i mirënjohur Gent Hazizi, i cili, me zërin dhe shpirtin e tij, u bashkua me grupin polifonik të Vajzës, duke sjellë një këngë që shndërroi artin e fjalës dhe muzikën e traditës në një tingull të vetëm, të ngrohtë e përfshirës.
Mbrëmja u gjallërua më tej nga numrat e cirkut, që mbushën ajrin me gaz e entuziazëm, duke përfshirë publikun në lojën e bukur të spektaklit. Një nga momentet më të ndjeshme erdhi me përshëndetjen e ikonës së skenës shqiptare, Luiza Xhuvani, e cila me fjalët e saj i dha mbrëmjes një emocion të veçantë dhe të paharrueshëm.
Pas saj, polifonia e grupit “Djemtë e Delvinës” u ngrit si një jehonë e shpirtit jugor, duke rikthyer në skenë thellësinë e këngës tradicionale. Me energjinë e tyre shpërthyese, Maya dhe Ëest Side Family ndezën atmosferën, duke e kthyer skenën në një vatër gjallërie. Ndërsa Grupi i Dukatit solli në skenë meloditë e rrënjës, të ashpra e të ëmbla njëkohësisht, që mbajnë në vetvete kujtesën e brezave dhe dinjitetin e traditës.
Kështu, nata e tretë e festivalit nuk ishte vetëm një program artistik, por një manifestim i plotë emocionesh, ku arti i skenës u takua me artin e jetës dhe fshati Vajzë u bë një tribunë ku u përqafuan krenaria, kujtesa dhe e bukura.

EPILOGU
Kjo festë, tashmë në vitin e saj të tretë, nuk është më thjesht një zakon i bukur, por është kthyer në një rit të gjallë të kujtesës kolektive. Ajo është dëshmi dhe shembull i gjallë se si mund të rikthehemi te vendlindja, te kujtimet dhe te rrënjët, që rrepet e lashtë të Vajzës të mos mbeten vetëm silueta hijerënda në horizont, por të vazhdojnë të qëndrojnë në këmbë si shenja të një vazhdimësie brezash.
Nga 22 deri më 24 gusht, nën kujdesin e posaçëm të Bashkisë Selenicë dhe kryebashkiakut Nertil Bellaj, Vajza nuk ishte më një fshat i thjeshtë në zemër të Labërisë. Ajo u bë një skenë e hapur, ku fryma e Labërisë u ngjit në qiell si këngë dhe u shtri mbi tokë si kujtesë, duke u kthyer në një kryeqendër të shpirtit kulturor.
“Vajzë Fest 2025”, nuk është vetëm një varg aktivitetesh artistike. Është një takim brezash, një shkrirje e traditës me frymën bashkëkohore, një dëshmi se historia nuk rron vetëm në faqet e librave apo në rrënoja të heshtura, por merr frymë dhe jetë në mes të këngës, lojës, artit dhe kujtesës së gjallë. Në fund të gushtit, Vajza u ngrit si një kryeqytet i përkohshëm i kulturës shqiptare, duke treguar se edhe një fshat i vogël mund të bëhet qendra e botës, për sa kohë mbart madhështinë e shpirtit dhe jehonën e kujtesës së saj.
E gjithë kjo magji, kaq domethënëse dhe e bukur, kaq shprehëse dhe frymëzuese, kaq origjinale dhe e përjetuese, nuk do të ishte e mundur pa ata që i dhanë jetë e shpirt kësaj feste. Ideatorët dhe organizatorët janë zemra që rrahu fort për të ngjallur këtë mrekulli: në ballë qëndron kryebashkiaku i Selenicës, Nertil Bellaj, i cili me vizionin e tij e ktheu këtë ngjarje në një traditë të qëndrueshme; Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, me praninë e tij që nderoi fshatin dhe gjithë aktivitetin; Shoqata e Fshatit Vajzë, që ruan e përcjell me kujdes trashëgiminë; dhe mbi të gjitha, ai që u bë truri dhe zemra e mekanizmit të këtij eventi, biri i Vajzës, Armando Bora, puna dhe përkushtimi i të cilit u bënë garancia që kjo festë të ngrihej në një nivel të denjë për historinë, krenarinë dhe shpirtin e Vajzës.
Në mbyllje, “Vajzë Fest 2025”, nuk është vetëm një kujtim i bukur i këtij gushti, por një premtim i heshtur për vitet që vijnë: se rrënjët nuk thahen, kujtesa nuk shuhet dhe festa e Vajzës do të vazhdojë të jetë një fener drite për Labërinë dhe për gjithë Shqipërinë.

Etiketat e lidhura

“Vajzë Fest 2025”albert vatajArmando BoraFidel Yllikoha joneKOKSHNERTIL BELLAJPëllumb KullaSokol Sadushi
Shto te burimet e preferuara

Shpërnda

Facebook WhatsApp Email X

Më të fundit

Ben Blushi: Nga vjen emri i Tiranës
Para 6 minutash

Ben Blushi: Nga vjen emri i Tiranës

Ukraina njofton kapjen e të burgosurit të parë indonezian të luftës: 283 indonezianë të rekrutuar nga Rusia në nëntë muaj
Para 21 minutash

Ukraina njofton kapjen e të burgosurit të parë indonezian të luftës: 283 indonezianë të rekrutuar nga ...

Tirana, e vështirë për familjet e reja, lindjet në rënie me dyfishin e mesatares kombëtare
Para 30 minutash

Tirana, e vështirë për familjet e reja, lindjet në rënie me dyfishin e mesatares kombëtare

Emri i kalon Senatit, kush është i nominuari për Ambasador të SHBA-ve në Kosovë
Para 32 minutash

Emri i kalon Senatit, kush është i nominuari për Ambasador të SHBA-ve në Kosovë

Më të lexuarat

1 Pensionet, zbulohet shifra që pritet në 2029! Ja sa do të marrë pensionisti rural çdo muaj
Para 10 orësh

Pensionet, zbulohet shifra që pritet në 2029! Ja sa do të marrë pensionisti rural çdo muaj

2 Ilir Meta shigjeton liderin e PD, Berisha: Duhet rikthyer Kushtetuta e para vitit 2008….
Para 11 orësh

Ilir Meta shigjeton liderin e PD, Berisha: Duhet rikthyer Kushtetuta e para vitit 2008….

3 A do të marrë pjesë Veliaj në Asamblenë e PS-së? Klosi zbulon pengesën
Para 12 orësh

A do të marrë pjesë Veliaj në Asamblenë e PS-së? Klosi zbulon pengesën

4 Zbardhet identiteti i shqiptarit të vr*rë në Spanjë, ja si veproi autori
Para 10 orësh

Zbardhet identiteti i shqiptarit të vr*rë në Spanjë, ja si veproi autori

Koha Jone Logo

E përditshme, e pavarur

  • Të fundit
  • Lajme
  • Aktualitet
  • WebTV
  • Rajoni
  • Bota
  • Sporti
  • Showbiz
  • Politikë
  • Forum
  • Kultura
  • Shëndeti
  • Editorial
  • Kronikë
  • Teknologji
  • Ekonomi
  • Turizëm
  • Sociale
  • Reklamo në Koha Jonë
  • Kontakt
  • Privacy Policy
Download on the App Store Get it on Google Play

Gazeta "KOHA JONË" themeluar si e pavarur më datë 11 Maj 1991
Botues: Nikoll LESI. Adresa e redaksisë: Rruga "Sami Frasheri", Pallatet e Aviacionit të Vjetër Nr. 2, TIRANA - ALBANIA

Site by
  • BOTUES & DREJTOR: Nikoll LESI
  • KRYEREDAKTOR: Daniel MUÇAKU
  • ZV/KRYEREDAKTOR: Redjon SHTYLLA
  • BORDI: Elsa KAMBERI, KRYETARE
  • NIPT: J71425013C

© 2026 KOHA JONE. All rights reserved.