Vajzës i ndalohet martesa, në certifikatë figuron mashkull!
“Do të lutem ta botosh hallin tim në gazetë”,- më tha para ca ditësh një banor i Saukut. Halli im i ka bërë për të qeshur disa nëpunës shteti, por mua më ka shqetësuar shumë”. Pasi i dhashë fjalën se do ta botoja shqetësimin e tij, pasi ta verifikoja, u binda plotësisht, se ka mjaft nëpunës të pandërgjeshëm që ende vazhdojnë të paguhen kot me paratë e taksapagueseve shqiptarë. Halli i qytetarit nga Sauku ishte ky: Para tre vjetësh kishte fejuar djalin e tij tiranas me një vajzë nga një fshat i Kukësit, tani me banim në Kamëz, por që nuk bënin dot kurorëzimin, se vajza figuronte e regjistruar në gjendjen civile të fshatit ku kishte lindur, e seksit mashkull. “Unë nuk mund të shpall dot martesën mashkull -mashkull”,-i tha nëpunësja e gjendjes civile të Njësisë nr.2, në juridiksionin e të cilës ishte djali, sepse kështu figuron vajza në regjistrat e ardhur dhe nuk ka dalë ende ligji për këtë lloj martese” dhe u largua nga sporteli duke i futur një të qeshur të lehtë. Atëherë babai i vajzës u detyrua të shkonte e të verifikonte gjendjen civile të vajzës në bashkinë Kamëz, ku është aktualisht me leje banimi vajza. “Këtu në regjistrin tim figuron mashkull dhe unë kështu të lëshoj certifikatën personale”,- i tha nëpunësi e as nuk ka ç’më duhen të tjerat mua. Ik e sqaroje në Kukës, në fshatin ku ke lindur!” Udhëtoi babai drejt Kukësit, dhe nëpunësi i gjendjes civile atje as që ia vuri veshin, por i tha shkurt: “tek unë nuk ekziston fare, as mashkull as femër! Nuk kam se ç’të bëj!”. Ç’është kjo mungesë përgjegjësie e nëpunësit, për një detyrë për të cilën paguhet? U kthye babai i vajzës përsëri në Kamëz, dhe pasi u transmetoi atyre fjalët e nëpunësit të Kukësit, ata i thanë: “Nëse është kështu, nuk e zgjidhim dot ne, duhet t’i drejtohesh gjykatës!”. Atëherë vajza e irrituar, paraqitet në zyrën e gjendjes civile dhe i kërkon sqarim përgjegjës: “A më sheh ti mua që të rri parasysh, vajzë jam unë, apo djalë? Edhe në qofsha regjistruar gabim e ç’faj kam unë të vuaj kusuret e një nëpunësi të paaftë e burokrat? Zgjidhe pra me ata që e kanë bërë gabimin!” Duke parë indiferentizmin e nëpunësve të tillë, vajza i drejtohet gjykatës. Edhe pse gjykatësja e kishte vajzën parasysh, kërkoi një sërë dokumentesh që të vërtetohej gjinia e saj. Po ku t’i gjente dokumentet që kërkoheshin, ajo për këtë po ankohej!!.. Kjo tragjikomedi, u bë sa e bezdisshme aq dhe e papranueshme, se po bëhej pengesë edhe për dasmën e planifikuar. Në këto kushte prindërit e vajzës kërkuan ndihmë në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile. Na bëri shumë përshtypje edhe qëndrimi i inspektores që merrej me regjistrat themelor të shtetasve: “nuk kam kohë- tha ajo, sapo hymë brenda në zyrën e saj, jam e zënë!”. Po me çfarë merresh ti zonja nëpunëse e shtetit, kur kjo është detyra jote, të sqarosh qytetarët e të verifikosh gabimet e bëra nga vartësit tuaj. Mos vallë ti në këtë zyrë bën shpikje shkencore, apo mbjell misër e grurë? Më në fund, me bezdi, nëpunësja u lidh me përgjegjësen e Kamzës dhe kjo iu përgjigj se “ai ishte problem i njohur” dhe “se duhej ta zgjidhte me ata të Kuksit!” Ky indiferentizëm të irriton, sepse në lidhje me shërbimin e dobët të disa nëpunësve të gjendjeve civile, ka mjaft ankesa, prandaj organet eprore të tyre duhet t’i marrin seriozisht shqetësimet e qytetarëve e t’i vënë punonjësit totalisht në shërbim të tyre. Problemi i vajzës nuk është zgjidhur ende, ndaj dhe ka hezituar në publikimin e identitetit. Së pari, duke u nisur nga rasti në fjalë, pyesim: pse nuk gjendet akti i regjistrimit të bebes në gjendjen civile të fshatit të Kukësit, ku ka lindur fëmija, lëshuar nga mamia që ka asistuar në lindjen e saj? Me çfarë dokumentesh është regjistruar fëmija? Kush qe ai nëpunës i papërgjegjshëm që hap regjistrin dhe e shënoi vajzën djalë? Ndaj këtij nëpunësi duhet ndalur e të ndëshkohet ligjërisht nëse është gjallë,në të kundërt të mbajë përgjegjësi ligjore pasardhësi i tij që e ka marrë regjistrin themeltar në dorëzim. E si mund të veprohet me gjeneralitet e një personi, sikur me mbajtur inventar pulash, pa pyetur për gjininë e tyre! Së dyti përse gjendja civile e Kamzës dhe përgjegjësja e saj, që e kanë për detyrë shtetërore, nuk e zgjidhin problemin nëpërmjet veprimeve në internet, por sorollatin njerëzit duke u kushtuar atyre shpenzime të mëdha për problem që ata i kanë për detyrë t’i kryejnë në kohën e duhur? Edhe nëse dokumenti duhet origjinal, pse ky të mos kërkohet të përcillet zyrtarisht nga institucioni që e ka për detyrë, por u dashka që të shkojë personi disa herë atje për ta marrë dorazi? Po Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjeve Civile ai kontrollon ndonjëherë vartësit e saj, dhe pse nuk reagon ligjërisht ndaj shkeljeve të nëpunësve të tillë e të mos lejojë më zvarritjen e mëtejshme të problemeve të tilla, e sorollatjen e pamerituar të qytetarëve? Duke iu referuar rastit në fjalë,si është e mundur që në gjithë dokumentacioni tjetër të lëshuara nga institucionet shtetërore, personi në fjalë figuron femër, e vetëm në aktin e regjistrimit në gjendjen civile qenka shënuar mashkull? Ky nuk është një veprim i thjeshtë, por mund të jetë bërë edhe për përfitime të ndryshme personale apo elektorale, ndaj organet kompetente ta nxjerrin përgjegjësinë aty ku është. Për një germë të shënuar gabim në gjendjen civile kanë vuajtur edhe persona të tjerë, kur iu ka kërkuar nga institucionet për efekt dokumenti. Kështu një qytetar tjetër ankohej se gjendja civile ia kishte shënuar gabim emrin si banor i lagjes dhe i kishin nxjerrë pengesa në likuidimin e shpenzimeve të energjisë elektrike. Kurse një tjetër qytetare paraqiti shqetësimin se nga gjendja civile emri i shënuar ndryshe nga ç’ishte realisht dhe i dolën pengesa për marrjen e pensionit.