Vazhdon shkurtimi i administratës, krahas shkrirjes së ministrive
Krahas platformës për shkrirjen e tetë ministrive, e cila nxjerrë jashtë zyrave të shtetit rreth 4952 punonjës, në institucionet e qeverisjes qendrore po zbatojnë një udhëzim i Departamentit të Administratës Publike, i cili përpos të tjerave pritet të shkurtojë administratën publike, përmes përcaktimeve dhe qartësimeve të pozicionit të punës për çdo punonjës të institucioneve të ristrukturuara.
Udhëzimi nr. 10, datë 31.05.2017, për përshkrimin e pozicionit të punës në shërbimin civil, e firmosur nga drejtoresha e DAP, Albana Koçiu, parashikon që sekretari i përgjithshëm duhet të sigurojë që burimet njerëzore në dispozicion të ministrisë të organizohen në mënyrë që objektivat e saj të realizohen me sa më pak kosto, duke siguruar njëherazi efektshmëri të lartë, në mënyrë tërësisht të rregullt dhe korrekte. Udhëzimi parashikon 14 rregulla, të cilat duhet të zbatohen gjatë përshkrimit të pozicionit të punës së punonjësve të administratës.
Gjithashtu, udhëzimi kërkon që të sigurohet një sistem i shëndoshë i kontrollit të brendshëm që të mbështesë realizimin e politikave, synimeve dhe objektivave të ministrisë, në bazë të pavarësisë që siguron auditimi i brendshëm si dhe të ndiqen procedurat e duhura financiare dhe të respektohen procedurat e përshtatshme të kontabilitetit, me qëllim që të mbrohen dhe të menaxhohen si duhet fondet publike. Udhëzimi vjen në kuadër të motos së qeverisë ‘Rama 2’, (më shumë dhe më mirë me më pak).
Disa ditë më parë, kryeministri ka paralajmëruar shkurtime drastike të burimeve njerëzore nëpër ministri. “Nuk do të thotë që do bashkohen mekanikisht të gjitha bashkë e të jenë si federatë ministrish. Do jetë një ministri, kështu që do funksionoje si një ministri dhe faktikisht numri do shkurtohet në mënyrë drastike”, ka pohuar kryeministri Rama.
Pozicioni i punës
Sipas udhëzimit, procesi i hartimit të përshkrimit të punës në një institucion realizohet duke ndjekur hierarkinë sipas strukturës organizative të institucionit. Fillimisht hartohet përshkrimi i punës për sekretarin e përgjithshëm/titullarin, më pas për drejtorin e përgjithshëm/drejtor i drejtorisë, shefat e sektorit dhe specialistët. Kjo metodologji përcaktohet nga elementët që përmban përshkrimi i punës, ku misioni i institucionit (për titullarin dhe sekretarin e përgjithshëm), zbërthehet në misione për çdo drejtori/sektor, veprimtaria e të cilave bën të mundur realizmin e misionit dhe objektivat e vetë njësisë organizative përkatëse, në mbështetje të realizimit të misionit kryesor të ekzistencës së një institucioni.
“Në përshkrimin e punës përfshihen, mes të tjerash, misioni, qëllimi i përgjithshëm, detyrat kryesore, si dhe përgjegjësitë kryesore të pozicionit respektiv të punës të kategorizuara sipas planifikimit dhe objektivave, menaxhimit, detyrave teknike, përfaqësimit institucional dhe bashkëpunimit. Përveç kësaj, për çdo vend pune duhen shprehur qartë objektivat strategjike që duhen realizuar, si dhe treguesit kryesorë të performancës, në bazë të të cilave mund të matet performanca e punonjësit si edhe aspekte të tjera, të cilat janë të domosdoshme për funksionimin në mënyrë të efektshme të sistemit të vlerësimit të punës dhe në vijim, për strukturimin e saktë të njësisë organizative ku ndodhet vendi i punës”, thuhet në udhëzim. Punonjësit që rrezikojnë vendin e punës sipas ministrive Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, 433 punonjës Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, 3042 punonjës Ministria e Integrimit Evropian, 113 punonjës Ministria e Ekonomisë, 588 punonjës. Ministria e Zhvillimit Urban, 535 punonjës Ministria e Shteti për Inovacionin dhe Administratën Publike, 227 punonjës Ministria e Shteti për Çështjet Vendore, 14 punonjës Ministria e Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin…
Drejtoritë që shkrihen
Drejtoritë e bujqësisë në të gjithë vendin Inspektorati i Ujërave Agjencitë e ujit dhe baseneve i kalojnë sekretariatit të ujërave Qendra Kombëtar e Edukimit në Vazhdim Qendra Kombëtare Biomjekësore Agjencia e Inventarizimit të Pronave Drejtoria e rezervave materiale dhe emergjencave civile Institutit i Zhvillimit të Arsimit Inspektorati i Arsimit Shtëpia Botuese e Teksteve Shkollore Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale
Rregullat që duhen patur parasysh gjatë hartimit të përshkrimit të punës
Përdorni një stil të përmbledhur dhe të drejtpërdrejt në të gjithë përshkrimin. Strukturoni fjalitë në mënyrën më të thjeshtë të mundshme dhe hiqni të gjitha fjalët që nuk kontribuojnë në informacionin e nevojshëm. Përdorni fjalë të qarta dhe gjuhë joteknike kur është e mundur. Një përshkrim i mirë pune paraqet objektivat, detyrat dhe përgjegjësitë e një pune në mënyrë që të jetë e kuptueshme për të gjithë. Shmangni fjalë jo të sakta të tilla si? “situatë”, “lehtësuar”, “përballje”, etj. Pyesni veten nëse fjala që keni përdorur mund të interpretohet në mënyra të ndryshme nga dy njerëz të ndryshëm. Filloni çdo fjali me folje aktive, veta e tretë njëjës. Gjithmonë përdorni kohën e tashme. Kur është e mundur, përshkruani rezultatin e dëshiruar të punës, në vend të metodës për të arritur atë rezultat. Fokusi duhet të jetë mbi veprimtaritë thelbësore. Megjithatë, duhet patur parasysh se një detyrë që kryhet shpesh gjatë ditës nuk mund të jetë aq thelbësore për punën si diçka që bëhet vetëm një herë ose dy herë në javë. Shmangni formën narrative. Ju jeni duke shkruar një përshkrim pune, jo një histori. Duhet të jeni koherent kur përdorni termat si “mund” dhe “herë pas here”. Domethëniet e tyre duhet të shkruhen për të shmangur konfuzionin. Për shembull, sigurohuni që, në qoftë se fjala “herë pas here” është përdorur në seksionin e funksioneve thelbësore të përshkrimit, puna e rastit e kryer është me të vërtetë thelbësore për vendin e punës. Shmangni fjalët që nuk tregojnë në mënyrë specifike së çfarë bën punonjësi, të tilla si “trajton”, “përgatit”, “ekzaminon”, “dërgon”. Në qoftë se këto fjalë janë më të përshtatshmet, pranohet përdorimi i tyre. Por, në qoftë se një term më specifik do ta përshkruajë detyrën më qartë, përdoreni atë. Referoju pozicionit të punës dhe jo personit që e mban atë, për shembull “raporton te drejtori i Burimeve Njerëzore”, në vend të “raporton te X person”. Duhet të jeni të saktë në përcaktimin e përgjegjësisë. Shkalla e përgjegjësisë së dhënë tregon rëndësinë e punës dhe përbën faktor kryesor për vlerësimin. Ruani një rend logjik në përshkrimin e detyrave dhe përgjegjësive kur është e mundur. Mbani mend se gjatësia e përshkrimit të punës nuk tregon rëndësinë e punës.
/Shqiptarja.com