Veliaj: Mbajtëm premtimin, në një fushë të braktisur mbeturinash ndërtuam një shkollë të re për 1200 nxënësit e kombinatit
Dikur një fushë e braktisur mbeturinash, sot shkolla e re me emrin e poetit dhe fizikantit “Betim Muço” në Kombinat, është një nga shkollat më të mira të Tiranës. Ajo ka pak ditë që ka hapur dyert për nxënësit e saj të parë me mjedise krejt të reja dhe kushte moderne. Në përurimin e shkollës së re me kapacitet 1200 nxënës, mori pjesë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga përfaqësues të Drejtorisë Arsimore Rajonale Tiranë, si dhe familjarë të poetit dhe fizikantit të njohur Betim Muço.
Kryebashkiaku i Tiranës vlerësoi punën për lirimin e territorit të zaptuar dhe ndërtimin në kohë rekord të këtij institucioni arsimor, i cili zgjidh përfundimisht problemin e mësimit me dy turne. “Jam shumë i lumtur që më në fund ky projekt u bë realitet. Kemi një mundësi fantastike që ta nderojmë Betimin, jo me fjalime, jo me patetizma, jo me pllakata, por me një institucion, i cili me gjasë do të frymëzojë nesër djem dhe vajza të shkëlqyer, që do të rriten me dashuri në një ambient të ngrohtë, nga mësues që do të investojnë shpirtin, zemrën, dijet e tyre për ta”, tha Veliaj, duke shtuar se “Betim Muço” është një nga shkollat më të mira në kryeqytet.
Ai nënvizoi se ndërtimi i shkollës së re është mënyra më e mirë për të rritur një gjeneratë të mirëarsimuar dhe të denjë për qytetin e Tiranës. “Mënyrën se si arsimojmë fëmijët tanë e kemi vetë në dorë, si të respektojmë hapësirën publike apo njëri-tjetrin në komunitet. Kemi një shans ideal që në këtë shkollë, në këtë hapësirë, të rrisim Tiranën e një gjenerate tjetër, që i respektojnë këto kode. Jam shpresëplotë që kjo mund të bëhet dhe ky është një shans që na i jep kjo shkollë”, u shpreh Veliaj.
Në ndryshim nga vitet e mëparshme, këtë vit Bashkia e Tiranës hapi katër shkolla të reja, të cilat do të pasohen shumë shpejt nga puna për ndërtimin e 16 shkollave të tjera. Veliaj deklaroi se Tirana është vendi i mundësive për të gjithë qytetarët. “Vetëm në një vit hapëm 4 shkolla të reja, shkollën “Betim Muço”, shkollën “Hasan Tahsin”, Shkollën e Baletit dhe shkollën “Ardian Klosi” te Bregu i Lumit. Çdo problem është një mundësi për të bërë diçka. Problemi që gjetëm në zonën e Kombinatit na dha një mundësi për të hapur një shkollë me 27 klasa, 6 laboratorë, 3 terrene sportive dhe krejt papritur, nga një mision i pamundur, kur i vëmë mendjen dhe zemrat bashkë, bëjmë gjëra të jashtëzakonshme”, tha Veliaj.
Siç u premtua një muaj më parë, për të rritur cilësinë e mësimdhënies, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore, kanë përzgjedhur mësuesit me rezultatet më të mira në portalin “Mësues për Shqipërinë”. “Kemi mbajtur një premtim që bëmë përpara disa ditësh, që këtu do të sillnim mësuesit më të mirë. Realisht kemi marrë mësuesit që janë kualifikuar më lart në portalin ‘Mësues për Shqipërinë’. Vetëm garancia që infrastruktura cilësore do të përputhet dhe me mësues cilësorë, është ajo që e bën një prind ta besojë gjënë më të çmuar që ka. Ndaj, duam që jo vetëm kushtet të jenë cilësore, por duam gjithashtu që edhe mësimdhënia të jetë cilësore”, tha ai.
Për të mbështetur dhe nxitur nxënësit ekselentë, Bashkia e Tiranës do të akordojë 3 mijë bursa. “Si Bashki e Tiranës kemi vendosur 3 mijë bursa këtë vit. Kush del me 10-ta, do të ketë edhe një bursë nga Bashkia e Tiranës. Jo se besojmë që 10-tat duhen shpërblyer patjetër me para, por është një mënyrë për të thënë që në familjen tonë të madhe 1 milionëshe të Tiranës, pavarësisht vështirësive, do sillemi si çdo familje tipike shqiptare, që kur vjen puna te fëmijët, apo te më të mirët, nuk kursen. Ashtu siç nuk kursejmë për çekun e bebes për të mirëpritur ata që bëhen qytetarë e rinj të Tiranës, me të njëjtën dashuri duam që të shpërblejmë ata që janë me të gjitha 10-ta”, nënvizoi Veliaj.
Kryebashkiaku ftoi të rinjtë dhe komunitetin e zonës së Kombinatit që pas orarit të mësimit, të shfrytëzojnë ambientet e shkollës së re për aktivitete të ndryshme sportive dhe social-kulturore. Gjithashtu, ai ftoi edhe bizneset që t’i bashkohen nismës së ndërmarrë nga familja e shkrimtarit dhe poetit Betim Muço për të mbështetur infrastrukturën arsimore në qytetin e Tiranës. “Më vjen mirë që në Tiranë kemi mbërritur në këtë fazë, ku shumë prej kopshteve, çerdheve, shkollave po shohin edhe kontribut nga biznesi. Unë do të doja që në shumë prej shkollave tona të kishim edhe kumbarë të tjerë. Dikush mund të dhurojë libra, mund të dhurojë filma, dikush mund të dhurojë një orë leksioni, 1 orë nga koha e vet. Në fakt dhurata më e çmuar është koha”, deklaroi Veliaj.
Marta Muço, bashkëshortja e poetit Betim Muço, vlerësoi kontributin e kryebashkiakut Veliaj për përfundimin në kohë rekord të punimeve për ndërtimin e kësaj shkolle. “Për mua është emocion i madh që shkolla mban emrin e Betimit, por është edhe një festë e madhe. Fakti që sot ekziston një shkollë me emrin e Betim Muços, është falë energjisë dhe falë ideve, iniciativës së Erion Veliajt, është punë e tij. Gjërat në Shqipëri zvarriten, por kjo shkollë u bë në kohë rekord, brenda një viti, me një përkushtim të jashtëzakonshëm dhe me cilësi shumë të mirë”, tha Marta Muço. Bashkëshortja e shkrimtarit të njohur deklaroi se shumë shpejt do të krijohet edhe një fond në emrin e Betim Muços, që do të mbështesë nxënësit ekselentë në fushën e letërsisë dhe të fizikës.
Shkolla e re 9-vjeçare “Betim Muço” ka 27 klasa dhe 6 laboratorë, dhe do mbulojë nevojat e 1200 nxënësve. Gjithashtu, shkolla ka një palestër dhe 3 terrene sportive të jashtme, të cilat përveç shkollës, do t’i shërbejnë gjithë zonës së Kombinatit.