Vendi me këtë qeverisje do të shkojë drejt mjerimit

Nga Ramush Haradinaj

Projektbuxheti që sot e kemi para nesh, paraqet një dështim të plotë të kësaj Qeverie për ta parashikuar një zhvillim të përshpejtuar ekonomik, për të ulur papunësinë në vend dhe për ta zvogëluar prapambetjen ekonomike, krahasuar me ekonomitë e rajonit.

 

Parashikimi i rritjes së të hyrave buxhetore në vitin 2015 për vetëm 8%, në krahasim me vitin që po e lëmë pas dhe parashikimi që për vitin 2016, të hyrat buxhetore të jenë për 3 milionë më të ulta se ato të vitit 2015, ndërsa të hyrat e vitit 2017 të jenë më të mëdha se ato të 2015 vetëm për 23 milionë, na tregon sheshit se për çfarë projekt-buxheti bëhet fjalë dhe çfarë rritje ekonomike parasheh qeveria jonë.

 

Pra, ky është një projektbuxhet i thellimit të varfërisë, papunësisë dhe prapambetjes së mëtejme ekonomike të Kosovës. Ja, pra, çfarë na ofron qeveria e koalicionit PDK – LDK, pra qeveria e kapjes së shtetit.

 

Nëse e analizojmë strukturën e të hyrave të planifikuara me këtë projekt-buxhet, po ashtu vërejmë se kjo qeveri nuk e ka ndërmend të bëjë asnjë reformë fiskale, aq të nevojshme për përmirësimin e klimës së biznesit dhe për thithjen e investimeve të vendit dhe të huaja. Edhe me projektbuxhetin e vitit 2015 dhe parashikimet për vitin 2016 dhe 2017, qeveria parasheh që mbi 61 % e të të hyrave buxhetore të krijohen nga doganat, përkatësisht në kufijtë e saj. Pra, edhe mëtutje bizneset kosovare do të vazhdojnë t’i parapaguajnë taksa shtetit për mallrat që ende nuk i kanë futur në punë. Kjo është në kundërshtim të plotë me nevojat e zhvillimit dhe në kundërshtim me direktivat e Bashkimit Evropian.

 

Të hyrat doganore në çdo shtet që synon integrimin në Bashkimin Evropian duhet të shkojnë drejt zeros, e jo të paraqesin zërin kryesor të buxhetit të shtetit.

Duke analizuar të hyrat e këtij projektbuxheti të mjerë, vërehet qartë se qeveria nuk pret asnjë rezultat nga fiskalizimi, nga luftimi i krimit, korrupsionit dhe ekonomisë informale. Pra, që në start koalicioni PDK-LDK ka planifikuar dështimin. Vetëm nga fiskalizimi i plotë, nga lufta ndaj krimit të organizuar, kontrabandës dhe informalitetit, qeveria ka qenë dashur të planifikojë rritjen e të hyrave buxhetore për disa qindra miliona euro. Pra, kjo qeveri nuk ka për synim t’i luftojë këto dukuri, përkundrazi do të jetë pjesa më e shëmtuar e saj.

 

Nëse i analizojmë me kujdes të hyrat nga koncesionimi dhe të hyrat nga tantiemat, vërehet edhe më qartë se kjo qeveri nuk pret asnjë investim serioz në rritjen e kapaciteteve elektro-energjetike në tri vitet e ardhshme dhe asnjë investim serioz në aktivizimin e Trepçës dhe xeherorereve të tjera aq të pasura me xehe dhe minerale. Kjo qeveri nuk pret asgjë as nga partneriteti privato-publik aq shumë të propaganduar. E si mund të presë rezultate në aktivizimin e burimeve minerale dhe të thëngjillit, kur në projektbuxhet është paraparë që të hyrat nga tantiemat te jenë vetëm 22 milionë euro, pra aq sa kanë qenë në vitin 2014. Aq më keq, që nuk parashihet asnjë rritje e këtyre të hyrave as për vitin 2016 e as për vitin 2017. Të hyrat nga taksat koncesionare janë planifikuar vetëm 10 milion euro. Shtrohet pyetja çfarë po ndodhë me kompanitë e koncesionuara dhe çfarë koncesionimi tjetër pritet me kaq pak të hyra koncesionare?

 

Kur nuk është paraparë asnjë investim në ngritjen e kapaciteteve të reja energjetike dhe asnjë investim serioz në përpunimin e xeheve dhe mineraleve dhe vetëm 12 milionë për bujqësinë, atëherë më thonë si ka për t’u zhvilluar ky vend, si kanë për t’u krijuar vendet e reja të punës?!

 

Vendi me këtë qeverisje do të shkojë drejt mjerimit.

 

Nëse shkojmë më tutje dhe i analizojmë të hyrat nga Fondi i Mirëbesimit, ato për vitin 2015 si dhe për dy vitet në vazhdim, parashihen të jenë zero. Atëherë, shtrohet pyetja se çfarë rezultatesh pret qeveria nga procesi i likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore tashmë të privatizuara, dhe për likuidimin e të cilave AKP ka paguar miliona euro. Me ligj, pjesa e Fondit të Mirëbesimit që u përket ndërmarrjeve të likuiduara, duhet automatikisht të futet në buxhetin e shtetit. Pra, qeveria nuk ka parashikuar asnjë rezultat në tri vitet e ardhme.

 

Nëse të hyrat nga Fondi i Mirëbesimit parashihet të jenë zero, shtrohet pyetja si do të krijohet Fondi i Punësimit, i propaganduar aq zhurmshëm nga Hashim Thaçi dhe i adaptuar nga koalicioni PDK-LDK. Më thuani, ju lutem, se si do të krijohen vendet e reja të punës? Nuk do të ketë as edhe një vend të ri të punës.

 

Se sa do të jetë jozhvillimor ky projektbuxhet, na tregon edhe struktura e shpenzimeve buxhetore, ku shpenzimet për paga dhe për mallra e shërbime, janë për 63 % më të larta se sa shpenzimet kapitale. Edhe ky zë i projektbuxhetit na jep të kuptojmë se Kosova në aspektin e zhvillimit ekonomik do të stagnojë, dhe edhe më tutje do të jemi një ndër vendet me prapambetjen më të thellë ekonomike në botë.

 

Krejt në fund, me projektbuxhet është paraparë rritje ekonomike, përkatësisht rritje e bruto-produktit vendor prej 4,3 %, edhe pse kjo rritje ekonomike nuk është e besueshme, kjo rritje nuk e ulë papunësinë, përkundrazi e thellon atë.

 

Nuk mund të jetë rritja ekonomike e besueshme, nëse të hyrat buxhetore nuk rriten, nëse investimet e huaja bien, nëse nuk janë paraparë ngritje të kapaciteve energjetike, nëse nuk ka aktivizim të minierave, nëse shpenzimet kapitale janë më të ulëta se sa ato të vitit 2014 për 60 milion euro?

 

Krejt në fund, ky projektbuxhet, si i tillë nuk guxon të miratohet, ai duhet të ribëhet dhe pastaj ta diskutojmë në parlament.

 *Fjala e mbajtur ne seancen plenare per miratimin e buxhetit

SHKARKO APP