Vendosmëria qytetare vijon me qëndresë në ditën e 92 e protestës: Nuk largohemi pa dorëheqjen e Ramës
Sot shënohet dita e 92 e protestës qytetare kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, ndërsa qytetarët vijojnë të mblidhen në Tiranë me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit dhe ndryshimin e sistemit politik.
Protesta vijon pas 91 ditësh të njëpasnjëshme mobilizimi qytetar, gjatë të cilave protestuesit kanë marshuar nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë dhe kanë përcjellë mesazhe kundër qeverisë.
Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e Edi Ramës, ndërsa në platformën e tyre përfshihet edhe krijimi i një qeverie tranzitore me mandat 12-mujor dhe ndryshimi i kursit politik në vend.
Protesta e mbrëmshme u shoqërua me fjalime, pankarta dhe mesazhe të forta politike kundër qeverisë. Protestuesit shprehën kritika ndaj mënyrës së qeverisjes, ndërsa kërkuan largimin e Ramës nga detyra.
Në shesh u shfaqën edhe pankarta me mesazhe ironike ndaj kryeministrit dhe mazhorancës, mes tyre: “Koha nuk na lodh, na forcon”, ndërsa një tjetër shkruante: “Ju mbylleni nëpër vila e thurni plane me hile, ne në shesh përballë zullumit me pankarta civile”.
Një prej protestuesve deklaroi se rezistenca e qytetarëve ka thyer, sipas tij, rekorde të protestave të zhvilluara që prej vitit 1991. Ai tha se qytetarët janë të gatshëm të qëndrojnë në shesh edhe 900 ditë, deri në dorëheqjen e kryeministrit. Një tjetër protestues përcolli një mesazh që, sipas tij, vinte nga diaspora, duke bërë thirrje për bashkimin e të gjitha grupeve shoqërore dhe profesionale. Ai paralajmëroi se, nëse situata nuk ndryshon, Shqipëria mund të përballet me një tjetër eksod.
Edhe pensionistët ishin pjesë e mesazheve të protestës. Një i moshuar i bëri thirrje Ramës të japë dorëheqjen dhe kërkoi masa për pensionistët dhe personat me aftësi të kufizuara, ndërsa kërkoi gjithashtu hetimin e zyrtarëve që ai i akuzoi për abuzime.
Gjatë protestës u dëgjuan edhe akuza ndaj policisë dhe institucioneve të tjera, ndërsa një prej protestuesve tha se ka edhe efektivë të ndershëm dhe përmendi arrestimin e personave të shpallur në kërkim si shembuj të veprimeve të policisë.
Pas përfundimit të fjalimeve para Kryeministrisë, qytetarët nisën marshimin në rrugët e Tiranës, duke vijuar me thirrjet kundër qeverisë dhe kërkesën për dorëheqjen e Edi Ramës.
KOHA JONË SONDAZH

