Vengu: Forcat Detare, në vijën e parë për mbrojtjen e detit dhe pasurive tona
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka ndarë në rrjetet sociale një video informuese kushtuar angazhimit të Forcave Detare në mbrojtjen e ujërave territoriale të Shqipërisë, duke vënë theksin te misioni i përditshëm i Rojës Bregdetare dhe roli i saj në garantimin e sigurisë detare.
Në mesazhin e tij, ministri thekson se misioni i Forcave Detare është i vazhdueshëm dhe i mirëpërcaktuar. “Misioni ka emër”, shkruan Vengu, duke evidentuar përkushtimin e Kapiten Jetnor Ballës dhe ekuipazhit të anijes “Iliria”, të cilët ndodhen çdo ditë në det, në vijën e parë të kontrollit, patrullimit dhe sigurisë së ujërave shqiptare.
Sipas Ministrit të Mbrojtjes, Forcat Detare, njësoj si të gjithë komponentët e tjerë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, po rrisin ndjeshëm përgatitjen operacionale, kapacitetet teknike dhe intensitetin e trajnimeve. Një vëmendje e veçantë po i kushtohet edhe angazhimit në misione të përbashkëta me vendet aleate, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përmbushjes së standardeve të NATO-s.
“Duke investuar në përgatitje dhe kapacitete, ne po rrisim sigurinë për sovranitetin dhe për mbrojtjen e pasurive tona ujore dhe nënujore”, thekson Vengu, duke nënvizuar rëndësinë strategjike të detit për vendin.
Në pamjet e publikuara, nënlejtnanti Marison Mira shpjegon se gjatë patrullimeve të përditshme në det, ekuipazhet zhvillojnë paralelisht edhe stërvitje operacionale, me qëllim rritjen e gatishmërisë për çdo situatë. Ai thekson se një nga trajnimet më të rëndësishme është lufta kundër zjarrit në anije, si pjesë e përgatitjes për përballimin e emergjencave detare.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, ky angazhim i vazhdueshëm është pjesë e strategjisë afatgjatë për forcimin e kapaciteteve të Forcave të Armatosura dhe garantimin e sigurisë detare në përputhje me standardet e NATO-s.
KOHA JONË SONDAZH

