Vëreni zemrën sërish nën kontroll!

 

Politikë gjermane e bërë me zemër, a ka ekzistuar ndonjëherë? Po, Merkeli e ka konfirmuar. Por tani ajo ka një problem. Kryengritja kundër politikës së saj po bëhet më e fortë. Tani duhet arsyeja, mendon Volker Wagener.

Dhe papritur ai është i pranishëm – Wolfgang Schäuble. Dhe madje thotë diçka. Për temën e vitit, për refugjatët në Gjermani. Ai flet në mënyrë figurative, e krahason vërshimin e azilkërkuesve me një ortek. Një ortek që bëhet gjithnjë e më i madh dhe në këtë mënyrë më i pakontrollueshëm. Schäuble ka heshtur gjatë për ardhjen masive të sirianëve, afganëve dhe të tjerëve, aq gjatë sa ra në sy. Tani ai e merr fjalën sërish. Dhe ky është më tepër se një sinjal alarmi.

Sepse Grand Seigneur i CDU-së është një institucion. Besnikëria bën pjesë në virtytet e tij kryesore. Megjithëse nëpër vite Angela Merkel nuk e ka trajtuar atë gjithmonë me delikatesë, ai vazhdon të jetë bashkëpiloti i saj besnik në biznesin e përditshëm politik të Berlinit. Kontestimi i tij me ortekun mund të jetë fillimi i fundit të politikës së gëzuar "do t'ia dalim mbanë". Schäuble ka pushtet. Ai mund të bëhet prijës i kritikëve të Merkelit, po të dojë. Aq më tepër kur deri tani nuk ka ndonjë sfidues për kancelaren. Sytë dhe veshët ka kohë që janë drejtuar te ai. Sepse politikisht, ngjarjet ia lënë me shpejtësi vendin njëra-tjetrës.

Merkeli ndodhet në kurthin që ka zgjedhur vetë

Në koalicionin qeveritar ka mosmarrëveshje. Angela Merkeli vihet gjithnjë e më shpesh në shënjestër nga radhët e partisë së saj. A po përjetojmë aktualisht "një rebelim në (anijen)Merkel" siç shkroi gazeta TAZ? Në thelb bëhet fjalë për një rishikim të politikës së dyerve të hapura. Po kjo do të ngjante me pranimin e dështimit nga Merkeli. Kancelarja nuk mund të thotë pa e zgjatur: "Epo mirë, që tani atëherë do të kemi kufij të sipërm për pranimin e refugjatëve"- pa rrezikuar postin e saj. Deri tani është Ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere që vë dorë në politikën e Merkelit "azili nuk njeh kufi të sipërm". Por teknika që përdor ai është e keqe e në efektin që bën jashtë absolutisht e rrezikshme për mbijetesën e koalicionit të madh partiak. 

De Maiziere, në fakt një i besuar i Merkelit, arrin brenda pak ditësh që pas shpinës së shefes të korrigjojë politikën e saj. Tërheqja e familjes për refugjatët nga Siria do të vështirësohet, rregullorja e Dublinit do të aplikohet. Merkeli lëndohet, SPD e tërbuar nga zemërimi. Por më e keqja është sinjali që jepet jashtë, mesazhi i pavullnetshëm: Nuk e përballojmë dot! Por pikërisht ky përfundim është i gabuar.

Ministri i Brendshëm ka të drejtë. Sepse kur në Ministrinë e Brendshme dëgjon se dikasteri i tij kompetent nuk ia ka idenë sa refugjatë ndodhen në kampet e regjistrimit të parë, atëherë kemi konfirmimin: këtu diçka ka dalë nga shinat. Dhe De Maiziere përpiqet që ta vërë sërish në kurs anijen e Gjermanisë. Këtu ai tregon ashpërsi të fshehtë. Dhe bën mirë.

Të kufizohet vërshimi, për hir të paqes brenda vendit

Mikpritja është një gjest i fillimit. Më pastaj, përkujdesja, pa folur për integrimin e më shumë se një milion njerëzve nuk bëhet dot. Nga ana logjistike dhe burokratike, komunat arrijnë t'ia dalin mbanë në njëfarë mënyre. Por frikacakët, të dekurajuarit, barku i shoqërisë nuk duan eksperimente. Qeveria nuk duhet t'u japë atyre shkas që të bëhen bashkë dhe të përhapin frymë kundër të huajve në vend. Sepse një gjë është e qartë: politika ndaj refugjatëve do të vendosë për postin e kancelarit të Merkelit. Akoma ajo qendron midis çmimit Nobel të Paqes dhe dorëheqjes. Midis shenjtërimit dhe turpërimit. Kjo e fundit nuk do të ishte e keqe vetëm për të dhe për prestigjin e Gjermanisë. Por do të ishte edhe për shoqërinë një katastrofë e mesme, po ta tepronim me veprime me zemër dhe të mos i kushtojmë vëmendje arsyes. Angela Merkel duhet të gjejë një rrugë për ta korrigjuar politikën e saj, pëndryshe do ta bëjnë të tjerë. Wolfgang Schäuble do të ishte njëri prej tyre.

DWelle

SHKARKO APP