Versioni modern i Don Kishotit, a mund të rishkruhet Servantes?
Versioni i gjuhës moderne i klasikut të Migel Servantesit nga Andres Trapiello është i nevojshëm, thonë ekspertët, ndërsa akademikët spanjollë rebelohen.
Një botim i ri i “Don Kishoti”, romanit të shekullit të 17-të nga Migel Servantes, që e sheh historinë klasike të shtegtarit që do të bëhet kalorës, të përshtatur në spanjishten moderne, mund të bëjë zhurmë në Spanjë, por studiuesi i Don Kishotit, Ilan Stavans ka thënë se ky version i ri nga Andrés Trapiello është i nevojshëm nëse spaniardët duan të lexojnë një nga veprat më të kremtuara të letërsisë së vendit të tyre.
“Don Quijote de la Mancha” i Trapiello-s, që besnikërisht dhe plotësisht përshtat fjalorin e shekullit të 17-të në spanjishten e ditëve të sotme, ishte i nënti në listën e bestsellerëve spanjollë në fund të korrikut, sipas AFP-së. Por, megjithatë ka shkaktuar debate me akademikun nga Madridi, David Felipe Arranz, që e përshkruan si “krim kundër letërsisë” në AFP, duke shtuar: “Kam pyetur librashitësit në Madrid dhe ata më kanë thënë se askush nuk ble më romanin origjinal të Servantesit, sepse lexuesit preferojnë këtë version “më të lehtë”… nuk mund të ndryshosh shijen e fjalëve të shkrimtarit më të madh në gjuhën tonë”.
“Asgjë nuk e trishton Spanjën më shumë se njerëzit –shpesh, njerëzit e saj –kur përzihen me Don Kishotin”, – pranon Stavans, profesori i Kulturës latine e latino-amerikane në kolegjin Amherst në ShBA. Por Stavans tregon se kjo përshtatje e romanit nga Trapiello ndjek autorin bestseller Arturo Pérez-Reverte me botimin e shkurtuar nga “Real Academia Espanola” vitin e shkuar dhe thotë se ishte një zhvillim i nevojshëm.
Pse e bëri Akademia këtë? Sepse, nëse nuk bën diçka për njerëzit që nuk lexojnë Don Kishotin, vetë instituti do të bëhej i parëndësishëm”, – ka thënë ai. “Si rezultat i një sërë faktorëve, përfshirë ndryshimin në kurrikulat e shkollës, të rinjtë në Spanjë nuk po lexojnë. Termometri është Don Kishoti dhe ai është braktisur…Përshtypja ime…është se nëntë në dhjetë njerëz që lexojnë romanin e Servantesit sot janë jashtë Spanjës. Dhe një pjesë e madhe e këtyre lexuesve e aksesojnë në përkthim”.
Stavans, i cili ka shkruar hyrjen e botimit të ri të Don Kishotit në gjuhën angleze për “Restless Books”, si edhe të riun “Kishoti: Romani dhe Bota”, thotë se megjithatë nuk është e vërtetë që lexuesit spanjollë nuk mund të kuptojnë gjuhën e Servantesit, me gjuhën që vjetrohet më pak se anglishtja në 400 vitet e fundit. ‘Me këtë e kam fjalën që Shekspiri është më i vështirë të kuptohet sot sesa bashkëkohësi i tij, Servantesi. Një version i ri duhej, megjithatë”.
“A ishte i nevojshëm një përkthim modern atëherë? Sigurisht që po. Shekspiri është përditësuar, përshtatur, modernizuar si edhe rishkruar gjatë gjithë kohës dhe askush nuk e bën të madhe. Këto qasje në sytë e mi, janë një homazh, një kremtim, një njohje e borxhit të pamatë që i kemi atij”, – thotë akademiku, duke hequr paralele mes situatës në Spanjë dhe asaj me gdhendjen e botuesit në Aladma me fjalën “zezak” nga libri i Mark Tuejnit, “Aventurat e Hakëllberri Finit”.
Botimi i Trapiello-s është prezantuar nga nobelisti në letërsi, Mario Vargas Llosa, i cili shkruan se versioni i ri “rinon” romanin e Servantesit, ndërsa e lejon të jetë vetja. “Shumë lexues, thotë Llosa, dekurajohen nga leximi i Don Kishotit prej fillimit deri në fund për shkak të ‘fjalorit antik’ dhe fusnotave akademike. Por pasi kanë shijuar versionin e Trapiello-s, shton ai, ata mund të inkurajohen të lexojnë tekstin origjinal”.
Me Don Kishotin e përkthyer në 145 gjuhë sot, (botimi i ri nga “Restless Books”, që shënon 400 vite që prej botimit të vëllimit të dytë, përdor versionin e John Ormsby-it), Trapiello thotë se ka qenë një “paradoks” që lexuesit e huaj mund ta shijojnë romanin “pa asnjë problem” në përkthim. “Por lexuesit spanjishtfolës nuk kuptojnë as gjysmën, nëse nuk e lexojnë me shënime”.
“Ka shumë njerëz të mëdhenj që nuk e kanë lexuar ose janë dorëzuar disa herë, sepse është shumë e vështirë”, – ka thënë Trapiello. “Ata janë detyruar ta lexojnë në gjuhë që nuk kuptohet sot. Ata detyrohen ta lexojnë në shkollë dhe shumë njerëz kanë kujtime të këqija nga kjo”.
Një version i rishkruar i romanit më të nderuar spanjoll “Don Kishoti” është bërë ‘bestseller’, por versioni është etiketuar ‘krim kundër letërsisë”.
“Don Kishoti” u botua për herë të parë më 1605-n. Është përkthyer në 145 gjuhë dhe Instituti “Servantes” thotë se është libri më i përkthyer pas Biblës.
Shkrimtari spanjoll Andres Trapiello ka shpenzuar thuajse 14 vite për të përshtatur kryeveprën e Servantesit për lexuesit e ditëve të sotme. Sipas tij, është e pamundur të kuptohet Don Kishoti pa lexuar fusnotat. Botimi i ri përfshin një set gjithëpërfshirës, për ta bërë më të kuptueshëm. Servantes vdiq më 1616-n, në moshën 68-vjeçare.
Kur nisi fillimisht ta ekzaminojë tekstin prej afro 1000 faqesh, ai ngeci në një fjalë të pahasur “trompogelas”. “Ishte krejt e pakuptueshme”, është shprehur Trapiello. Pas një kërkimi mëngjesor, ai vendosi se kishte kuptimin “se hyri në një vesh e doli nga tjetri”. “Ka shumë njerëz të mëdhenj që nuk e kanë lexuar apo janë dorëzuar disa herë, sepse është shumë e vështirë”, është shprehur ai.
Publiku duket se e ka pëlqyer versionin e ri. Në korrik 2015, adaptimi i Trapiello-s ishte i nënti në listën e bestsellerëve të Spanjës, pas “50 hijeve të Grejit” nga EL James.
Sipas një vëzhgimi në qershor nga Instituti shtetëror i Spanjës, afro 6 në 10 njerëz në Spanjë janë përgjigjur se kanë lexuar pjesë të Don Kishotit ose përshtatje të tij. Por më shumë se gjysma kanë menduar se origjinali ishte i vështirë për t’u lexuar. Libri i Trapiello-s nuk është i vetmi version i thjeshtëzuar i asaj çka kritiku Harold Bloom e ka quajtur “romani i parë modern”. Më 2014-n, Akademia Mbretërore e Spanjës, autoritet zyrtar në gjuhë, botoi versionin e vet për shkollat nga romancieri historik dhe akademiku Arturo Perez-Reverte.
Shkrimtari britanik, Martin Amis ka thënë dikur për romanin: “Megjithëse qartë një kryevepër e pathyeshme, Don Kishoti vuan një të metë serioze: atë të palexueshmërisë”.
Francisco Rico, kreu i Akademisë Mbretërore të Spanjës është shprehur: “Çdo përpjekje për ta bërë Kishotin të lexueshëm është pozitive. Shekspiri u harrua një kohë. Për shekuj, askush nuk mbante mend Danten. Volteri ka pasur ulje-ngritjet e veta. Por Kishoti ka qenë një bestseller qëkur është botuar”. Ashtu siç vetë Don Kishotit ka thënë në roman: “A kemi pasur ndonjëherë më shumë se duhet diçka të mirë?”
Erotizimi i Servantesit
Vëllimi i parë i Don Kishotit të Mançës u botua më 1605-n. Brenda pak vitesh u përkthye në gjuhën angleze me dialogët e personazheve të përshtatura në zhargon dhe më pas në frëngjisht, që i shtuan skena seksi të shpikura nga përkthyesit.
Pjesa e dytë doli 10 vjet pas dhe Servantesi vdiq në varfëri një vit më vonë, më 1616-n.
Në Institutin “Servantes” shfaqen raftet të mbushura me botime të huaja elegante të Kishotit.
Instituti ka paraqitur koleksionin e vet të përkthimeve, bashkë me postera dhe një ekran që shfaq versionet kinematografike, në një ekspozitë që do të çelet në shtator.
Ndërsa degët e institutit në botë kanë mirëpritur biseda, lexime dhe shfaqje filmash me tematikë Kishotin. Akademia këtë vit botoi një botim të ri standard të tekstit me fusnota dhe ese.
“Botimi i fundit, më 2005-n, ka shitur 3 milionë kopje”, – thotë Francisco Rico, kreu i serisë akademike të titujve klasikë. Ai mirëpret përshtatje të reja.
Kur Kishoti foli shqipen e Nolit
Fan S. Noli ka meritë të trefishtë ndaj lexuesit shqiptar për takimin e parë që organizoi me Servantesin dhe me romanin “Don Kishoti”. Në kushtet e motit të zgjatur të zbrazëtive të njohjes të lexuesit shqiptar me më të mëdhenjtë e letërsisë botërore, ua bëri të mundur bashkatdhetarëve të shkolluar kontaktin me kryeveprën e Servantesit, duke ia shtuar kështu listës së përkthimeve që kishte hartuar me kujdes për t’i shqipëruar. Kjo zgjedhje, me siguri duhet të ketë pasur kuptim të dyfishtë në kohën, kur Shqipërisë i ishte imponuar përdhunshëm, e ashtuquajtura “Mbretëri”, si një akt vërtet donkishotesk, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Nuk duhet të kishte qenë aspak e thjeshtë dhe aq e vogël kjo dëshirë e përkthyesit, sepse ato kohë kishte asisoj, siç vazhdon të ketë edhe tani, njerëz që zotëronin ndonjë gjuhë të huaj, të cilën mund ta përdornin për të fituar para, lavdi e famë, të paktën, sançopançiane, domethënë jo aq shpirtërore se sa materiale, financiare, duke përkthyer e vënë në qarkullim romane si “Ura e Psherëtimave” ose, siç po ndodh edhe në ditët e sotme, ndonjë roman tejet të munguar me përmbajtje të mirëfilltë pornografike, nga ata më të shiturit e më fitimprurësit, ndoshta, për t’i dhënë një dorë shpejtimit të stërzgjatur për t’u përfshirë “kulturalisht” në Bashkimin e adhuruar Europian, që shumëkush e barazon me “Arkadinë” e ëndërruar të Don Kishotit. Fan Noli nuk e përktheu, por shqipëroi një prej veprave më të mëdha e më të vështira të letërsisë botërore dhe na kumtoi një mesazh të vlefshëm,
për të mësuar edhe lexuesit e sotëm të njohin e t’i dallojnë midis përkthyesve të kohës sonë, që turren për të fituar pakëz lavdi me dy mënyra: ose duke shtuar apo ndrequr diçka nga vepra të përkthyera më parë, që shpejtojnë t’i ribotojnë për të fituar, ose duke i përkthyer vetë për herë të parë po, ama keq, shumë keq.
Vepra të shquara me qëllim që të ngjyejnë kafshatën e famës së tyre në lëngun e përkthimeve që katranosin me lejë e pa leje. Në të tilla raste është më mirë ta braktisësh këtë zanat të vështirë, siç bënte kalorësi guximtar i famshmi, Don Kishoti, kur e kuptonte se s’ishte i zoti të përballonte një “ushtri” të mbrapshtë të armatosur bagëtish. Me këtë nuk duam të themi se çdo kryevepër e përkthyer një herë, nuk bën të ripërkthehet edhe herë tjetër për më mirë se, fatbardhësisht, tashmë ekzistojnë mjaft përkthyes të aftë, që nuk kanë për t’u turpëruar, duke u krahasuar me kryemjeshtrit e njohur të shqipërimeve.
Për kulturën shqiptare përkthimi i “Don Kishotit” ka jo vetëm meritën e shqipërimit të një kryevepre, që ishte përkthyer në gjitha gjuhët e botës, por ka qenë edhe një kontribut i shquar në begatimin e gjuhës sonë, që dëshmohet e begatë, si edhe spanjishtja e Servantesit. Madje përkthyesit e rinj kanë një model të përsosur shqipërimi, nga i cili mund të mësojnë mjeshtërinë e vështirë në këtë fushë të kulturës. Lexuesi ynë ka qenë me fat të mbarë, që edhe vëllimi i dytë i “Don Kishotit” meriton lëvdatat më të mira, i shqipëruar mjeshtërisht nga Petro Zheji.
Në dy botimet e fundit, 1976 dhe 2006, të “Don Kishotit” është ruajtur varianti fanolian i përkthimit të vëllimit të parë, për të mos harruar vlerat e asaj pune të madhe të bërë nga Fan Noli, për ta begatuar intelektualisht lexuesin shqiptar. Habitesh se ç’fuqi e madhe është përdorur nga Peshkopi në një kohë, kur mbyllte një varg shtegtimesh tragjike dhe betejash të humbura, të ngjashme me ato të Don Kishotit, instrumentet e të cilave nuk i zëvendësoi me armë të hekurta, por me ata libra dritëdhënës, që i kujtoi Kalorësi i Fytyrës së vrerosur në çastin e fundit të jetës së tij heroike.
Prof. Alfred Uçi