Vetëflijimi, bilanc “lufte”

Vetëvrasjet në Shqipëri janë në shifra alarmante, për 100 mijë banorë janë shënuar 11 raste vetëflijimi. Studimi i fundit i ISHP-së tregon se mesatarisht në një vit kanë ndodhur 250 vetëvrasje, numër më i lartë se vrasjet që për të njëjtin vit është 47 persona. 

Vdekjet nga vetëvrasjet në dy dekadat e tranzicionit janë dyfishuar. Sipas studimit të fundit të Institutit të Shëndetit Publik, nëse në vitin 1990, për 100 mijë banorë ka patur 3.8 vetëvrasje me pasojë vdekjen, në vitin 2016 numri është rritur në 11.

Mesatarisht në një vit ndodhin 250 vetëvrasje, numër më i lartë se vrasjet dhe fatkeqësisht vetëflijimi ka ndodhur tek moshat e reja.

Alban Ylli: Kemi rreth 11 vetëvrasje për 100 mijë persona. Katër, pesë vitet e fundit në Shqipëri ndodhin rreth 250 vetëvrasje në vit që janë më shumë se vrasjet dhe padyshim që duhet të jetë shqetësuese.Ndodhin tek moshat e reja, shkaktojnë një humbje të madhe të viteve të jetës së shëndetshme.

Shkaqet që kanë çuar në këtë bilanc tragjik për ekspertët e shëndetit dhe psikologët lidhen me tranzicionin social ekonomik që përfshin gjendjen ekonomike, varfërinë, emigrimin dhe pasiguritë e tregut të punës.
Vetëvrasjet nga ana mjekësore trajtohen si problem të shëndetit mendor, pavarësisht se është një çështje komplekse.

Ekspertët e shëndetit e venë theksin tek trajtimi i personave që kanë tentuar vetëflijimin.

Shefi i Departamentit të Sëmundjeve Kronike në ISHP, Alban Ylli, thotë 6% e të rinjve në 2017 kanë tenuar vetëvrasjen.

Alban Ylli: Kemi 6% të të rinjve, të cilët gjatë vitit të kaluar kanë menduar seriozisht vetëvrasjen. Me këta duhet të merremi seriozisht në mënyrë që të bëjmë sa më të butë adaptimin e tyre me vështirësitë e jetës.

Por cilat mund të jenë zgjidhjet?

Alban Ylli: Dhe një ndërhyrje tjetër përdoret në vendet perëndimore, mund të luajë rol shoqëria civile këtu, është ndërhyrja në momentet e krizës. Një telefon falas në të cilin përgjigjet një ekspert për çdo person që është në moment krize. Dhe padyshim një vetëvrasje e parandaluar në këtë moment është një jetë e shpëtuar.

Vetëvrasja është e lidhur ngushtësisht me depresionin. Të dhënat tregojnë se 279 persona në 100 mijë banorë janë prekur nga depresioni.

Në Rajon, Shqipëria renditet e fundit. Numrin më të lartë e ka Serbia me 358 persona, 350 Mali i Zi, 307 Maqedonia dhe 304 Bosnje Hercegovina.
Ekspertët besojnë se kontrolli bazë i popullsisë ka ndikimin e tij.

Alban Ylli: Ka synuar të kapë rastet e reja në popullatë.Individë që kanë pasur probleme në popullatë por nuk kapeshin nga sistemi shëndetësor, tani kapen dhe ndihmohen në kohën e duhur.

Kur jemi tek depresioni, edhe ISHP në Kosovë raporton për këto të dhëna: Për 2014-2016 nga 12 mijë pacientë të trajtuar në shërbimin e psikiatrisë, 20% e tyre janë konstatuar se vuajnë nga depresioni.

Duke parë këtë tendecë të lartë dhe prevalencën e depresionit, raporti sugjeron që të ndërhyhet me iniciatiave adapte për të përmirësuar shëndetin mendor dhe nivelin e jetesës.

/Ora News

 

SHKARKO APP