VIDEO/ Berisha prek tokën amerikane: Përtej oqeanit, një pritje shqiptare, një moment mirënjohjeje
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbërritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke nisur vizitën e tij të parë në SHBA pas disa vitesh mungesë.
Pas mbërritjes, Berisha ndau mesazhin e parë, duke e cilësuar pritjen nga shqiptarët e diasporës si një moment të veçantë dhe me rëndësi për të dhe për opozitën shqiptare. Në dalje të aeroportit, ai u prit nga disa dhjetëra shqiptarë që jetojnë në SHBA.
“Përtej oqeanit, një pritje shqiptare, një moment mirënjohjeje”, shkroi Berisha në mesazhin e tij. Gjatë qëndrimit në SHBA, kreu i demokratëve pritet të zhvillojë një sërë takimesh me komunitetin shqiptar dhe përfaqësues të diasporës. Ndalimi i parë publik është planifikuar për të dielën, më 6 shtator, në New Jersey.
Takimi me shqiptarët e Amerikës pritet të jetë një nga momentet kryesore të vizitës, ku Berisha do të flasë për zhvillimet politike në Shqipëri, situatën e opozitës dhe aksionin e saj politik. Pas New Jersey-t, axhenda e vizitës parashikon udhëtimin drejt Teksasit, ku priten takime të tjera me përfaqësues të komunitetit shqiptar gjatë ditëve në vijim.
KOHA JONË SONDAZH

