VIDEO/ Kaos te Ministria e Ekonomisë, protestuesit gjuajnë me gurë policinë, efektivët hedhin gaz lotsjellës
Protesta e sotme e studentëve vijon me marshime dhe tensione të larta në disa prej institucioneve kryesore shtetërore në vend. Pas përplasjeve të regjistruara fillimisht në ambientet e Ministrisë së Arsimit dhe më pas pranë Kryeministrisë, situata është përshkallëzuar, duke sjellë përplasje të drejtpërdrejta mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Siç raporton nga terreni gazetari i ”Koha Jonë” Daniel Muçaku, një pjesë e protestuesve të ndodhur te Ministria e Ekonomisë kanë nisur të hedhin gurë në drejtim të efektivëve të policisë, ndërsa këta të fundit janë kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës, në përpjekje për të shpërndarë turmën dhe për të vënë situatën nën kontroll.
Marshimi i studentëve është shoqëruar me tensione dhe kaos pranë institucioneve, ndërsa prania e shtuar e forcave të rendit ka synuar të parandalojë përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës. Përplasjet kanë krijuar një klimë të tensionuar, ndërsa protestuesit vijojnë të qëndrojnë në rrugë dhe të shprehin pakënaqësitë e tyre.
Situata mbetet e tensionuar, teksa protesta po zhvillohet në disa pika pranë institucioneve shtetërore. Pritet të shihet në vijim nëse palët do të arrijnë të shmangin përplasjet e mëtejshme apo nëse tubimi do të vijojë të shoqërohet me incidente.

