VIDEO/ Koncerti i Kanye West, ministri Gonxhja: Po punojmë për një eksperiencë të paharrueshme
Më pak se një muaj para koncertit të shumëpritur të reperit amerikan Kanye West në Tiranë, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit ka intensifikuar përgatitjet për garantimin e mbarëvajtjes së eventit, që pritet të jetë një nga ngjarjet më të mëdha muzikore të organizuara ndonjëherë në vend.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja zhvilloi një inspektim në terren së bashku me përfaqësues të Bashkisë Tiranë, Autoritetit Rrugor Shqiptar, Policisë së Shtetit, Emergjencave Civile, Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Shërbimit Zjarrfikës dhe OSHEE-së, për të koordinuar detajet organizative dhe masat e sigurisë. Gonxhja theksoi se përgatitjet po vijojnë me ritme intensive për të garantuar një eksperiencë të sigurt dhe të paharrueshme për mijëra pjesëmarrësit që pritet të ndjekin koncertin.
“Më pak se një muaj na ndan nga koncerti madhështor i Kanye West në Shqipëri. Numërimi mbrapsht ka nisur! Shqipëria po bëhet gati për një nga eventet më të mëdha muzikore të vitit”, u shpreh ministri Gonxhja.
Sipas ministrit, koordinimi ndërinstitucional mbetet thelbësor për menaxhimin e fluksit të vizitorëve, sigurinë publike, transportin, shërbimet emergjente dhe infrastrukturën mbështetëse të aktivitetit. Koncerti i Kanye West është parashikuar të zhvillohet më 11 korrik në Tiranë dhe pritet të tërheqë dhjetëra-mijëra spektatorë nga Shqipëria, rajoni dhe vende të tjera, duke e kthyer Tiranën në një nga qendrat kryesore të skenës muzikore ndërkombëtare gjatë kësaj vere.
KOHA JONË SONDAZH

