VIDEO/ Ministri Karakaçi inspekton punimet në autostradën Tiranë-Durrës: Synojmë përfundimin para afatit
Në autostradën Tiranë-Durrës po vijohet më fazën e tretë të punimeve për zgjerimin e aksit rrugor. Pas hapjes së gjashtë kilometrave të parë tashmë punimet janë përqendruar në segmentin nga mbikalimi i Rinasit në drejtim të Limuthit. Po punohet me intensitet me mbushjen e trupit të rrugës, ndërsa kanë përfunduar punimet për muret mbajtëse. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, inspektuan nga afër punimet ku deri më tani janë realizuar afro 30% e tyre.
“Kjo fazë kontrate përfshin zgjerimin e trupit të rrugës në tre korsi plus një emergjence. Ndërkohë që përfshihet gjithashtu dhe mbikalimi në disnivel ose nyja në disnivel e Laknasit dhe ndërtimi i mbikalimit të ri të Kasharit, që do të jetë me strukturë metalike me gjatësi 94 m të gjatë”, tha Kozeli. Hapja e gjashtë kilometrave të parë ka lehtësuar ndjeshëm lëvizjen qarkullimin e automjeteve, ndërsa po vijohet me fazën e tretë duke pasur objektiv përfundimin e saj brenda një kohe sa më të shpejt për ti dhënë një frymëmarrje lëvizjen edhe në këtë segment rrugor.
“Pas dy fazave që janë përmbyllur me sukses dhe që është e dukshme pasi trafiku është zhbllokuar me tre korsi deri në mbikalimin e Rinasit, tashmë jemi në punimet për përfundimin e zgjerimit deri në drejtimin e Limuthit”, bëri të ditur ministri Karakaçi.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë kërkoi që projekti të adresojë edhe shqetësimet e komunitetit dhe bizneseve që operojnë në zonë për të pasur akses në aksin rrugor. Sa i takon mbikalimeve për këmbësorët përgjatë gjashtë kilometrave të parë të autostradës, ministri tha se shqetësimi i ngritur nga banorët pak javë më parë tashmë ka gjetur zgjidhje.
“Kantieri është i mobilizuar. Të kemi në vëmendje përmbylljen aty ku kemi mundësi edhe të atyre problematikave që kanë ngritur banorët, aty te nyja e Rinasit, të vazhdohet me prioritet për sa i përket mbikalimeve që bëjnë edhe ndërlidhjen e banorëve dhe që ka qenë shqetësim i shtuar”, tha Karakaçi.
KOHA JONË SONDAZH

