VIDEO/ Pjerin Ndreu poston nga plazhi për ngjarjen në Ksamil: Krimi duhet dënuar, por jo të kthehet në panik për turizmin
Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, ka reaguar për ngjarjen e rëndë ku një turist humbi jetën, duke dënuar krimin, por njëkohësisht duke bërë thirrje që tragjedia të mos shndërrohet në një fushatë paniku ndaj turizmit shqiptar.
Me një video nga plazhi, Ndreu thekson se vrasja e çdo personi, veçanërisht e një turisti që ka ardhur në Shqipëri për pushime, është një krim i rëndë dhe i dënueshëm. Sipas tij, autoritetet duhet të zbardhin plotësisht rrethanat dhe autori të përballet me ndëshkimin maksimal që parashikon ligji. Ai kundërshton përdorimin e ngjarjes për të krijuar perceptimin se Shqipëria është një destinacion i pasigurt apo “jashtë kontrollit”.
“Siguria nuk matet me një ngjarje të vetme, sado tragjike të jetë ajo”, shprehet Ndreu, duke argumentuar se niveli i kriminalitetit dhe sigurisë vlerësohet përmes frekuencës së rasteve, përsëritjes së tyre, tendencave në kohë dhe aftësisë së institucioneve për t’i parandaluar e goditur.
Postimi i plotë
Një krim i rëndë dhe një panik edhe më problematik! Që vrasja e kujtdoqoftë, e aq më tepër e një turisti që ka ardhur për të pushuar në vendin tonë, është një krim i rëndë dhe absolutisht i dënueshëm, nuk ka asnjë diskutim. Kushdo ka të drejtë të shprehë indinjatë, të kërkojë zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe ndëshkimin maksimal të autorit sipas ligjit. Por nga dënimi i një krimi te shpallja e një vendi si “i pasigurt”, “jashtë kontrollit” apo te paralajmërimi i “dështimit të turizmit”, ka një distancë të madhe.
Siguria nuk matet me një ngjarje të vetme, sado tragjike të jetë ajo. Kriminaliteti dhe niveli i sigurisë maten me frekuencën e rasteve, përsëritjen e tyre, tendencën në kohë dhe aftësinë e institucioneve për t’i parandaluar e goditur. Asnjë vend në botë dhe asnjë destinacion turistik nuk garanton siguri absolute. Politika mund të kërkojë arsye për të sulmuar qeverinë.
Është e drejta e saj. Por një tragjedi nuk duhet shndërruar në fabrikë paniku dhe aq më pak në një fushatë që i shkakton turizmit shqiptar një dëm shumë më të madh sesa vetë ngjarja. Ndërkohë duhet të presim hetimin dhe të dimë të vërtetën e plotë: Si nisi konflikti? A kishte konsum të tepruar alkooli? Kush ushtroi dhunë i pari? A pati mjete të forta apo prerëse dhe nga kush?
A u përshkallëzua situata deri në rrezik serioz për personat e përfshirë? Çfarë përgjegjësie kishte personeli i sigurisë dhe a mund të ishte shmangur tragjedia? Asnjë nga këto pyetje nuk e justifikon vrasjen. Por janë pyetje që duhet t’i përgjigjet hetimi, jo politika, portalet apo rrjetet sociale me versione të gatshme. Krimi duhet dënuar.
Autori duhet të përgjigjet. Përgjegjësitë duhet të nxirren deri në fund. Por po aq e gabuar është që nga një ngjarje e rëndë të ndërtojmë një tymnajë sikur Shqipëria është kthyer në një destinacion ku turistët rrezikojnë jetën. Një tragjedi kërkon drejtësi dhe reflektim, jo panik, përgjithësime dhe dëmtim të qëllimshëm të imazhit të turizmit shqiptar.
KOHA JONË SONDAZH

