VIDEO/ Policia lag me ujë protestuesit, ata çajnë gardhin metalik dhe qëndrojnë përballë Kryeministrisë
Ka tensione këtë herë në protestën e qytetarëve kundër projektit në Zvërnec, ku protestuesit tentuan që të kalojnë gardhin metalik për të shkuar tek Kryeministria, por Policia e Shtetit u përgjigj me ujë, duke mos i lejuar.
Qytetarët janë përplasur me kordonin e forcave të policisë i vendosur te ”Hotel Dajti” me qëllim për të mos lejuar marshimin tek Kryeministria dhe si masë e marrë për shkak të ndeshjes miqësore që zhvillohet në mbrëmje në ”Air Albania” mes Shqipërisë dhe Izraelit. Por qytetarët nuk janë dorëzuar dhe e kanë çarë gardhin metalik dhe kanë marshuar drejt Kryeministrisë, aty ku po qëndrojnë me thirrje kundër qeverisë dhe kundër projektit në Zvërnec.
Ditën e djeshme u mbajt tubimi i tretë, ku bulevardi “Dëshmorët e Kombit” u mbush nga qytetarë që për tre orë me radhë, nga ora 18:00 në orën 21:00 lëshuan thirrje kundër qeverisë si dhe shpalosën një sërë kërkesash. Parrullat ishin të drejtuara kundër të dy anëve të politikës, ku nuk munguan thirrjet “Rama burg, Berisha burg”.



