Video-skandali, lihet në burg 25-vjeçari, lirohen dy adoleshentët
Dy nga tre të rinjtë e përfshirë në video-skandalin në QSUT nuk janë arrestuar ende, ndërkohë që dy adoleshentët që u prangosën dy ditë më parë janë lënë të lirë nga gjykata. Sot paradite gjykata e Tiranes dha masën “arrest me burg” për Evarist Pasha, i akuzuar mbi video-skandalin në QSUT, ku shfaqeshin tre të rinj që ngacmonin seksualisht një minorene, të cilën e kishin sjellë pa ndjenja në spital. Të njëjtën masë, por në mungesë dha Gjykata edhe për dy adoleshentët Andi Bushaj, 19-vjeç, si dhe Dejvi Lamaj, 18 vjeç, të shpallur tashmë në kërkim. Nga hetimi rezultoi se tre djemtë që shfaqen në video, janë përfshirë në veprën penale të veprave të turpshme me të mitura, por nuk janë arrestuar ende, ndërkohë që policia arrestoi dy adoleshentë të tjerë që kishin dijeni për ngjarjen por nuk e kallëzuan atë. Vendimi i gjykatës, pas arrestimit të tyre, për dy adoleshentët Albi Bocaj, 18 vjeç dhe Patrik Kaço, 18 vjeç, të dy banues në Tiranë ishte masa e sigurisë “detyrim paraqitjeje”. Dy të rinjtë, kanë qenë personat që e kanë shoqëruar 17-vjeçaren në urgjencë nga një lokal nate, ku kishte humbur ndjenjat për shkak të abuzimit me alkoolin. Bocaj dhe Kaço, sipas prokurorisë, akuzohen për moskallëzim krimi. Gjykata e Tiranës vendosi arrest me burg për 25-vjeçarin Evarist Pasha, i cili është njeri ndër tre të rinjtë që ka ngacmuar seksualisht një paciente në spital, ndërsa skandali u bë publik nëpërmjet postimit të një videoje të realizuar prej tyre e të publikuar në rrjetet sociale. Ata kanë qenë të dehur, sikurse vajza, me të cilën është abuzuar. Sipas hetimeve, vajza është përmendur në orët e para të mëngjesit dhe më pas është larguar nga ambientet e spitalit.