Viktor Zhusti, rioshi i mjeshtërisë së aktrimit, të cilit i duhet të shuaj sot 83 qirinjë në tortën e ditëlindjes
Nga Albert Vataj
Sot, 8 dhjetor, nuk festojmë thjesht ditëlindjen e një aktori. Sot nderojmë një prej titanëve të artit skenik shqiptar, Viktor Zhustin, njeriun që i dha teatrit një gjuhë të veçantë, ekranit një finesë të paharrueshme, dhe publikut një jetë të tërë emocionesh, ndjesish e dritë të pastër artistike.
83-vjeçar, por me rininë e pandalshme të shpirtit krijues. 83 vite që nuk peshojnë si barrë, por si kapituj të një historie të madhe, të shkruar me pasion, përkushtim dhe dije. Ai është prej atyre njerëzve që nuk e pranojnë tërheqjen, nuk i dorëzohen rrjedhës së kohës; përkundrazi, e sfidojnë. E ndalojnë. E shtyjnë tutje, me zjarrin e një zemre që nuk resht së rrahuri për artin dhe dashurinë.

Viktor Zhusti është një Ante i skenës, sa herë prek dërrasat magjike, ai rigjenerohet, fuqizohet, ngrihet më i fortë. Sepse aty ndodhet i ngërthyer në magmën e djersës dhe zërave, miti i tij, aty është esenca e tij, fryma e tij, vendi ku ai takohet me të vërtetën, me vetveten, me arsyen e ekzistencës së tij krijuese. Aty ku arti e mban të përjetshëm.
Galeria e roleve të tij është një muze i gjallë: partizani i vendosur, babai i ëmbël e i brishtë, i riu i mbërthyer nga dilemat, i dashuri i guximshëm, komiku i hollë, tragjiku i thellë, karakteri që nuk tretet në kohë. Nga “Malet me blerim mbuluar” te “Nëntori i dytë”, nga “Taulanti kërkon një motër” te “Kur xhirohej një film”, nga Alberi i “Shi në plazh” e deri tek doktor Stern i “Të gjithë kanë huqe”, ai ka përshkuar gjithë spektrin e jetës njerëzore, duke e ndriçuar me interpretimin e tij.
Në teatër, ai mbetet një monument profesionalizmi: nga “Kush ka frikë nga Virxhinia Uolf”, te “Coriolanus”, “Biznesmeni”, “Testamenti”, “Dama me kamelia”, dhe shumë të tjera, role që flasin më shumë se çdo fjalë, që dëshmojnë se ka akoma dritë për të dhënë, ka ende një univers të tërë brenda tij.

Ka udhëtuar dhe vijon ai deri tekkëtu, te çmimi në Festivalin Mbarëkombëtar “Moisiu”, te drama “Babai” i Florian Zeller-it, mjeshtërisht e përkthyer nga Adriana Tolka, solli në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental një udhëtim të dhimbshëm dhe të thellë në mendjen e një burri që humbet realitetin, por e ruan deri në fund dritën e dashurisë.
Pedagog, aktor, skenarist. Mjeshtër. Njeri i rrallë. Një jetë që është bërë vetë art.
Prandaj sot, në këtë ditë të shënuar, nuk e uron vetëm koha, e uron publiku, euron teatri, e uron kujtesa e një kombi që e ka futur prej kohësh në panteonin e vet artistik.
KOHA JONË SONDAZH

