Virion Graci, dy kohët e mia të shkrimit

 

Kur jam duke shkruar e gjithë lumturia apo mërzia ime lidhet me ato episode a figura letrare që shtoj në vepër, pasi shkrimi i një vepre të re mua më duket si rindërtimi i një qyteti antik të zhdukur prej shekujsh dhe vetëm unë e paskam planimetrinë e tij dhe biografinë e çdo banori të zhdukur.

Si ndodh te ju procesi i të shkruarit. Keni një ritual?

Duke u kujtuar për librat që kam shkruar mund të them se kanë të përbashkët dy gjëra: 1- kohën e gjatë të ngjizjes e të përpëlitjes në mendjen time dhe e dyta, kohën e shkurtër të shkrimit. Secili nga romanet që kam botuar është shkruar në katër-pesë javë. Sigurisht, përpiqem të gjej fjalët domethënëse dhe këndshikimet optimale për shprehje artistike koncize me qëllim të mos shpërdoroj letër të panevojshme për libër me faqe të kota, të mos shpërdoroj as kohën e lexuesve, pra, sa më ngjeshur dhe, mundësisht nënkuptueshëm.

Ngjan sikur jemi të mbingopur me lëndë të parë artistike, por, jo…! Janë me qindra-mijëra grimca jete, fakte, dëshmi, përjetime, ndodhi të cilat duket sikur premtojnë se kanë forcë përgjithësuese po të tregohen në një rrëfim artistik, por mua nuk më ngjet kështu.

Nga pasuria e asaj që mund të quhet përvojë jetësore, pak histori njerëzore të ngecura në kujtesë kërkojnë me ngulm njëra-tjetrën për t’u shkrirë në një rrëfim të përbashkët dhe për të krijuar një histori më të madhe, më të plotë, pikërisht atë histori/roman tek i cili (sikurse shpresojmë me naivitet) e gjen veten ajo masë e madhe, e pamëshirshme dhe misterioze që quhet lexuesi i veprës.

Pra, duke ia mërmëritur vetvetes një histori të tillë ngulmuese dhe fragmentare, kur ajo do të çlirohet prej meje me çdo kusht, ulem e shkruaj, me orë të tëra, çdo ditë, për disa javë deri në stërmundim: dua ta heq qafe të “burgosurën” time, historinë duke e bërë të lindë në dorëshkrim.

Kjo sigurisht tingëllon pak patetike, por, më besoni se duke shkruar pa pushim për një muaj, për një muaj e gjysmë më duket sikur kam hequr qafe diçka që më nervozon padrejtësisht, e jo sikur po krijoj vërtet diçka me vlerë artistike. Si mbaroj materializimin në letër/kompjuter të asaj që më mundonte prej kohësh deri në pagjumësi, kur kam një perspektivë të pëlqyeshme botimi, i rikthehem dhe ndërhyj duke përmirësuar tekstin nga ana gjuhësore, pa cenuar aspak frymën dhe detajet artistike.

 

I ktheheni shpesh dorëshkrimit?

Ndodh çdo ditë, d.m.th, para se të vazhdoj më tej në ditën e re të punës, do të kem pastruar më parë nga teprimet a mungesat, ose pasaktësitë atë pjesë që është shkruar një ditë më parë. Kjo nuk më merr shumë kohë, por është e dobishme sepse, pasi kryhet më ngjall njëfarë dashurie e respekti për atë pjesëz që kam sjellë tashmë në jetë, më shton vëmendjen dhe më fut në atmosferën e duhur shpirtërore, autentike për secilën vepër të re, shpresoj. Ka dhe kalime të tjera të tekstit kur është përfunduar tashmë, por kjo hyn te latimet, te shkurtesa të tjera të mundshme, hetohet nëse ka përsëritje jofunksionale, ose paralelizma pa vlerë strukturore e artistike.

 

Sa ndikon gjendja shpirtërore në të shkruar?

Në atë pikë kur i dorëzohesh shkrimit të një vepre që do shumë kohë (romani… ) mbizotërohesh nga pamjet e errëta të kujtesës/imagjinatës që duan të ndriçohen përmes ardhjes së tyre në jetë në një libër. Zakonisht, në mendjen e çdo njeriu bashkëjetojnë qindra ndjesi e parandjenja, janë njëkohësisht ndjenja të shpresës, ëndrrës, optimizmit, megalomanisë dhe ndjenja të pasigurisë, frikës, ankthit. As shkrimtarët nuk bëjnë përjashtim, për të mos thënë se mund t’i kenë më të theksuara, më të shpeshta e më të skajshme këto ndjenja antagoniste e themelore.

Kur jam duke shkruar e gjithë lumturia apo mërzia ime lidhet me ato episode a figura letrare që shtoj në vepër, pasi shkrimi i një vepre të re mua më duket si rindërtimi i një qyteti antik të zhdukur prej shekujsh dhe vetëm unë e paskam planimetrinë e tij dhe biografinë e çdo banori të zhdukur. Kur ndiej se po shtoj/zbuloj diçka me vlerë, diçka thelbësisht të munguar në punën që bëj, gëzohem. Kur jam në këtë proces ndjeshmëria, kujdesi dhe vëmendja për nevoja të zakonshme materiale janë pothuajse të mpira, jam si një peshk në akuariumin tim, nuk më vijnë më sinjale akustike në botën time të vogël, të mbyllur.

 

Kur shkruani më mirë…… ?

Pas një gjumi të thellë, çlodhës, rigjallërues, dhe një gjumë i tillë më vjen pas një pune shkrimore të gjatë, tërheqëse dhe e lodhshme. Por jo gjithmonë gjumi i zgjidh problemet. Kur kam mundësi, në varësi të motit dhe orës pëlqej shëtitje të gjata, sa më të gjata, e mbas këtij ushtrimi të mrekullueshëm fiziko-shpirtëror gjërat për të cilat dëshiroj të shkruaj bëhen më të qarta dhe më të thjeshta. Kam shkruar në çdo vend e në çdo orë të ditë-natës.

Për shembull: kam shkruar në tavolinën dhe rrëmujën e gatimeve familjare për Vitin e Ri (romanin Babai në shi, dhjetor 1996); kam shkruar duke mbështetur fletët në një valixhe të vendosur në karrigen përballë meje (Të çmendur në parajsë, gusht 1993); kam shkruar në sallën e madhe të leksioneve të filologjikut, në orët e mësimit (San Valentino, 1990); te shtëpia e prindërve, duke u ngrohur si kotele pas një sobe druri e duke mësuar lap-topin shkrova Litari dhe lamtumira, (2010) e kështu me radhë, për çdo libër të ri, një vend i ri e një mënyrë e re, ashtu si ka rastisur, sigurisht.

 

Sa i ngjan jetës suaj ajo që shkruani…?

Besoj se shkruaj për ta zbuluar me vërtetësi jetën time, pjesë e së cilës janë mijëra fate e fakte të jetës shoqërore. Dëshiroj të kem autoritetin dhe besueshmërinë e Floberit dhe të thosha se çdo personazh në veprat e mia jam unë. Puna e romancierëve të mëdhenj: Stendal, Tolstoi, Prust etj., më ngjan me punën e fizikanit që përqendrohet me vite e me dekada te një atom, te një fenomen natyror për ta analizuar e shpjeguar përmbajtjen e tij, jetën e tij të padukshme, ligjësitë e ndërlikuara të ekzistencës së tij. Romancieri i mirë, këtë vëmendje e përkushtim sfilitës mund ta ketë ndaj njeriut, historisë dhe jetës së tij, mund ta ketë ndaj vetvetes si njësi bazë e shoqërisë dhe e botës që e rrethon. Guxoj ta mbyll me shprehjen time: shkruaj për të kuptuar veten time dhe kohën time, e sidomos, anët e padukshme të tyre, thellësitë bazike, të qenësishme.

* Marrë nga revista "Saras"

SHKARKO APP