Virion Graçi: Nuk rekomandoj libra, abuzim me shijen e tjetrit

 

PYETESORI I LIBRIT

-Libri më i vjetër që keni në bibliotekë…

Prej aty ku fillon letërsia e mbijetuar, pra nga Epi i Gilgameshit, Iliada, Odisea, tragjediografët grekë dhe lirika po e Greqisë antike etj., e duke ardhur më afër në kohë nuk kanë munguar librat e rëndësishëm në bibliotekën time. Si hershmëri botimesh nuk mund të bëhet fjalë për t’u dalluar pasi, që nga të parët e shtëpisë sime nuk ka qenë prirja për t’i mbajtur librat tanë por për t’i shpërndarë e shkëmbyer me të afërm, miq, shokë, dashamirës e kureshtarë të letërsisë. Nuk e zmadhoj kur them se ndonjë titull më është dashur ta blej për së dyti, pasi, kopjen e parë nuk ma ka kthyer ai të cilit ia kam dhënë. Ose kam harruar kujt ia kam dhënë. Dhe një hollësi: nuk mbaj shënime kujt ia jap librat. Shënoj në faqen e parë ditën e vendin/qytetin e blerjes, emrin tim e kaq më duket e mjaftueshme. Pra, nuk koleksionoj shtypshkrime të hershme, por mbaj pak e shumë të plotësuar hartën e letërsisë artistike me emrat më përfaqësues.

-Librat i zgjidhni nga autori apo zhanri?

Autoritetin zhanrit apo një autori ia jep cilësia artistike e tekstit, pavarësisht zhanrit. Le ta nisim nga zhanri më i hershëm dhe më i riu njëkohësisht, poezia…. ka libra me poezi ose kryevepra letrare në vargje të cilët nuk mund të eklipsohen nga gjinitë mbizotëruese të tregut letrar sot. Gjithsesi mendoj se romani i mirë, romani i arrirë arrin të jetë strehë e kategorive kryesore estetike, mund të jetë sintezë e poezisë, dramës, tregimit, filozofisë dhe kryesisht ndaj tij orientohem për lexime. E kërkoj romanin sipas emrit të autorit; kur autori më ngjall kureshtje, kur është i pranuar, i njohur e i sprovuar ndërkombëtarisht, doemos do të jem i lumtur të nis t’i lexoj disa nga librat e tij. Sigurisht, i rikthehem leximit a rileximit të poezisë si për të ruajtur të dlirë shpirtin tim, shijen e mirë dhe kërshërinë naive ndaj fenomeneve pashpjegueshmërisht të bukura. Po ashtu pres me endje për t’i lexuar dhe librat e të njohurve të mi.

-I keni lexuar të gjithë librat që keni në bibliotekë?

I kam lexuar. Ata janë një pjesë e leximeve të mia, pasi, që nga fëmijëria kam bërë pjesë në atë që më parë e quajta trafik leximesh, marrje/shpërndarje librash. Mjaft libra i kam lexuar më shumë se një herë, fjala është për libra të formimit shkencor, libra nga filozofia, historia, të cilët nuk janë për mua të kujtueshëm me të gjitha hollësitë e rëndësishme, sikurse, përkundrazi më ndodh me librat artistikë.

-Libri i parë që keni lexuar…

Libri i parë që kam lexuar ka qenë ndonjë libër me figura e me pak rreshta shpjegues poshtë pamjeve. Duhet të ketë ndodhur kur kam qenë nga fundi i klasës së parë. Kur erdha në jetë kam qenë analfabet, si krejt fëmijët jogjenialë të moshës zero deri në gjashtë vjeç. Diku ka dhënë shpirt ai libër i parë, i grisur nga shkarravinat me laps të miat ose të ndonjë bashkëmoshatarit tim.

-Libri i parë që keni kursyer për ta blerë…

Nuk kam kursyer sepse nuk kam pasur pare xhepi…Nga lekët që kishin lënë prindërit për blerjet ushqimore, bleva me ngut një Atlas gjeografie dhe një fletore pune për lëndënDituri natyre. Nuk i kisha lexuar ende librat që kisha në shtëpi, dhe… bleva librin e fletoren ku jepeshin pa ngjyra kontinentet, shtetet, tregoheshin pikat e horizontit dhe mënyra e orientimit në mes të pyllit a të detit kur nuk ke busull. Kish dhe prerje vertikale të rruzullit tokësor, nga retë gri, qielli i kaltër, e gjelbra e tokës deri në zemrën e përflakur të planetit.

-Me kë i ndanit librat kur ishit gjimnazist/e apo student/e?

Kur isha nxënës e student librat i ndaja me ata që nuk kishin nerva të dëgjonin ritregimet e mia të stërzgjatura, të mërzitshme në lidhje me atë që porsa kisha përfunduar së lexuari. Për të më hequr qafe, me sa kuptoj unë tani, shokët e shoqet më thoshin t’ju sillja të nesërmen librin për të cilin po llomotisja e t’i lija të qetë në punët e tyre. Vazhdoj të bëj shkëmbime e rekomandime librash por sot ju rekomandoj miqve librat që më lënë gojëkyçur, pa fjalë, mbërthyer në një heshtje të trishtë. Dhe anasjelltas, kur dikush ma sjell ose ma përmend një libër, nuk e pyes aspak për atë botë të panjohur të cilën mund të ma thotë vetëm leximi i tij.

-A keni patur kartë anëtarësimi në Bibliotekën e qytetit?

Dikur, adoleshent kam pasur dy libreza anëtarësimi, njërën në emrin tim, tjetrën në emrin e një shoku i cili merrej me sporte dhe tërhiqte libra për kërkesat e nevojat e mia. Dhe student kam qenë anëtar i bibliotekave të Tiranës, shkencores dhe kombëtares.

-A shkonit në Bibliotekë dikur, dhe a vazhdoni ta frekuentoni edhe sot?

Leximi në sallë më ka irrituar e më irriton ende. E kam pranuar dhe e pranoj kur s’kam pasur mundësi të dytë. Lexuesit e tjerë në sallë, disa për shkak të moshës së shtyrë, disa për shkak të moshës tepër të re më kanë tërhequr e ngacmuar fort kureshtjen si libra-kryevepra të palexuara ende, të palexueshëm, madje.

-I keni marrë ndonjëherë një mikeshe apo miku një libër dhe me ndërgjegje nuk ia keni kthyer më? Nëse po, cili është ai libër? 

Vëllait tim i kam marrë Mit’hat Frashërin, Branko Merxhanin, Vangjel Koçën meqë i kish blerë e lexuar para meje. Libra nga biblioteka e të tjerëve nuk mbaj për t’i pasur të përvetësuar. I kthej, madje, nxitoj më tepër se zakonisht t’i lexoj për t’i kthyer sa më shpejt atje ku e kanë vendin. E blej vetë më pas nëse një libër vlen të jetë si pasuri e imja.

-Keni humbur libra që i keni pasur shumë të dashur?

Librat që kam pasur më për zemër deri në moshën 18 vjeç pothuajse më kanë humbur të gjithë. Mungojnë si sende, si material fizik në raftet e drurit, por ajo që kanë pasur si frymë, si botë, si histori, si bukuri estetike ka vendin më të privilegjuar e më të qëndrueshëm në vetëdijen time.

-A lexonit dikur libra të ndaluar? Mund të na përmendni disa tituj dhe si i siguronit?

Kam lexuar libra që gjykoheshin të parakohshëm për moshën time, por dhe libra të ndaluar nga shteti. Stendalin, Shoun, Dostojevskin, Drajzerin… kanë dashur të m’i heqin nga duart të afërmit e mi meqë isha fare fëmijë. Kur isha student kam lexuar autorë të ndaluar si Ernesto Sabato, Franc Kafka, A. Kamy, G. Gras, të cilët na i siguronin me huazim shokët që kishin mundësi t’i gjenin. Natyrisht gjetja ishte krejt spontane, zbulimet rastësore dhe dhënësi i parë i librit mbahej pak a shumë sekret si për ta mbrojtur. Por, ishte fundi i viteve ’80 dhe akujt kulturorë kishin filluar të shkrinin, të paktën në qarkullimin informal të librave ishte mbyllur njëri sy.

-Dhurimin e librave është një rit që e vlerësoni, apo librat preferoni t’i zgjidhnit vetë?

Për shkak të një date a ngjarjeje të shënuar në jetën e dikujt, nuk u kam dhuruar libra të rriturve por fëmijëve, djalit tim dhe nipit. Si rit midis të rriturve më duket se ju shkon për shtat atyre që  nuk e kanë organikisht në natyrë e në shpirt librin. T’ju japësh si dhuratë libra atyre që jetojnë me letërsinë dhe me librin artistik është si t’ju japësh eskimezëve freskore. Pa shkaqe kalendarike më ka ndodhur të blej për ta dhuruar ndonjë libër të cilin e zgjedh vetë. Ndonjë miku tepër të mirë, mund t’i dhuroj nga biblioteka vetjake ndonjë nga librat e mi tepër të pëlqyer. Librat që më jepen i çmoj si ndjeshmëri e shprehje respekti ndaj meje, nuk më shkon ndërmend të vlerësoj zgjedhjen që paska bërë dhuruesi. Fisnikëria e veprimit është e patejkalueshme.

-Cilat janë zakonet tuaja të leximit? Lexoni shtrirë në kurriz, përmbys, në tryezën e punës… ?

Në tavolinë lexohet normalisht kur je në shtëpi, në zyrë ose në kafene. Më shumë lexoj mbështetur pak në shpatull në shtrat, lexime përpara se të më kapë gjumi, por në fakt të mbajnë zgjuar e zgjasin e zgjasin..

-A lexoni në banjë?

Absolutisht, jo! Në banjë lë ndonjë libër që më ka mësymur gabimisht.

-Në çfarë gjuhe tjetër përveç shqipes lexoni?

Frëngjisht, anglisht.

-Ç’libër keni në duar aktualisht?

Romane të Laszlo Krasznahorkai: “The melancholy of resistance” dhe “Seiobo there below”.

-Mbani shënime kur lexoni?

Në margjina, mund të heq një vijë vertikale pranë një paragrafi që më duket veçanërisht kulmor ose problemor, por shënime të tjera nuk bëj. Kur dua të shkruaj për një libër të caktuar, për saktësi të citimit e rihap librin në tavolinë. Për leximet nga letërsia artistike them se diçka që nuk ngelet vetvetiu në kujtesën time të mirë, nuk ia vlen ta shpëtosh nga harrimi me copëza të verdha letrash.

-Në letërsi ju tërheq më shumë proza apo poezia? Kur shenjoni një autor që ju pëlqen, lexoni gjithçka të tij/saj?

Tregim i mirë, poezia, romani, librat e formimit intelektual janë njësoj të dashur, të rëndësishëm.

-Cilët janë ata libra apo autorë që ju rekomandoni se duhen lexuar patjetër?

Të rekomandosh libra është abuzim me shijen dhe lirinë e tjetrit. Por kur njihesh mirë më dikë, di  interesat e tij kulturore mund t’i përmendësh ndonjë zbulim letrar nga bota e madhe, ia përmend një autor pak ose aspak të njohur për të ose një libër të ri të cilin ti vetë e çmon. Guximi im tani shkon deri te të përmendurit si shkaras te tjetri të asaj ndodhie letrare, leximore që mua më ka ngazëllyer ose goditur kohët e fundit.

-A ka një libër që ju e konsideroni si Librin Total?

JO, fatmirësisht! Kryelibër do të quaja atë vepër që të nxit etjen e pashërueshme për të njohur e lexuar libra që kanë lindur para tij dhe libra më të rinj se ai në moshë. Një libër Total është i padëshirueshëm për mua, pasi është vrasës i letërsisë së vërtetë, vrasës i mijëra personazheve të shquar letrarë.

-Po t’ju thonë se në Arkën e Noes së Librave duhet të shtini 3 libra për t’i shpëtuar nga Apokalipsi, cilët do ishin?

“Don Kishoti”; “Dervishi dhe Vdekja”; “Festa e Cjapit”.

-Na thoni një maksimë për librat që e mbani mend ose e përsërisni shpesh…

Libri i bukur na jep mundësinë të jetojmë jetë të tjera, të pasura e të mrekullueshme pa harxhuar kot asnjë sekondë nga jeta jonë.

-Na thoni një varg të preferuar poezie…

“… erdhi ora të vdes përsëri…” (nga Frederik Rreshpja).

Cili është personazhi i preferuar i romaneve që keni lexuar?

Zhylien Soreli dhe… Zhyljen Soreli.

-Autografi më i çmuar apo më i çuditshëm që keni në bibliotekën tuaj?

Autografet e autorëve janë të ngjashmë në atë çfarë duan të shprehin, prandaj s’po veçoj padrejtësisht asnjërin. Po kujtoj autografe dhuruesish… I pari, më i çmuari është në një libër me poezi të zgjedhura të Nazim Hikmet, të cilin ma dërgoi në Tiranë dhuratë për ditëlindje babai im. Ka shënuar datën, shkakun, dmth ditëlindjen time dhe pronësinë…pra, që ky libër do të ishte i imi. Kam dhe një autograf mbi një përmbledhje me tregime të zgjedhura të E. Koliqit të botuar më ’94, (Hanë gjaku). Porsa e bleu në ditën e promovimit një mik e kolegu im ma dhuroi me shënimin: “Virionit, duke i uruar suksese në krijimtari.”… Ishte diçka e papritur, prekëse dhe e paharrueshme për mua.

Mapo

SHKARKO APP