“Vizionarët” politikë dhe drejtimi i vendit

Nga Jakup Krasniqi

Do të kisha besuar, madje do të kisha dëshiruar shumë, që politika shqiptare e pas qershorit 1999 të kishte jo një por shumë vizionarë. Përse? Nga ky fakt askush nuk do të fitonte më shumë sesa populli ynë i dalë nga një holokaust jo pak i gjatë, vetëm përmendja e të cilit shqetëson një botë të tërë. Ndaj, lënia historisë një ekzemplar të tillë kërkon ndryshimin në udhëheqjen e shtetit në rrethana të reja. Pra, ndërtimi imediat kërkonte rrjedhimisht nga politika jonë të kishte vizionarë! Atëherë, si ta kuptojmë faktin, që 15 vjet pas çlirimit njeriu ynë të mos e sheh perspektivën për një jetë të dinjitetshme?
Një gjë është e vërtetë e pakontestueshme dhe nuk duhet harruar: Lëvizja Kombëtare (Klandestine) për Çlirim e kishte një vizion – vizionin e çlirimit dhe ai u arrit në qershorin e vitit 1999. Dhe u realizua dinjitetshëm e me përgjegjësi historike nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e fuqizuar nga Komandanti i saj Legjendar, Adem Jashari. Komandanti, me jetën dhe veprën e tij, arriti të bëjë një mobilizim të paparë deri atëherë të popullit shqiptar për liri. Ushtria Çlirimtare e Kosovës politikës shqiptare ia hapi të gjitha “portat e triumfit”, për të shpalosur vizionin e saj të shtetndërtimit, të zhvillimit ekonomik e demokratik, të ndarjes së pushteteve dhe sundimit të rendit e të ligjit.
Çlirimi i vendit iu dha mundësi liderëve të pakontestuar të partive politike t’i vendosnin njerëzit e duhur në vendet e duhura. Mirëpo, çuditërisht, sa herë iu dha kjo mundësi, ata e bënë të kundërtën. Për 15 vjet e patën mundësinë të hartonin një strategji të zhvillimit ekonomik, mbi bazën e se cilës do ta zhvillonin vendin dhe këtë nuk e bënë as për së afërmi e jo më në përmasat e zotuara. E patën mundësinë që t’i bënin politikat e administrimit të tokës, e cila u fillua në legjislaturën e parë dhe u harrua nga të tjerat. E patën mundësinë që ta bënin një telefoni mobile në shërbim të qytetarëve, por ata e shkatërruan dhe e bënë në shërbim të individëve të lidhur ngushtësisht me politikën. E patën mundësinë që të ndërtonin kapacitete energjetike dhe as këtë nuk e bënë! Nga kjo rezulton se vështirë do ta bëjnë ndonjëherë me ketë formë të papërgjegjshme dhe pa farë vizioni të menaxhimit të pasurisë kombëtare. E kanë pasur mundësinë që të qeverisin si duhet me pasuritë minerare, por edhe në këtë segment me siguri se do të vazhdohet më të vjetrën.

Ç’është e vërteta, dhe këtë duhet thënë me plot gojën, ne në Kosovë pasuri të tjera nuk kemi. Nuk ka dyshim, Kosova është vend i pasur, por mbetet si imperativ permanent krijimi i mekanizmave të shfrytëzimit të kësaj pasurie.
Të gjitha faktet pra, duke e përsëritur më se një herë flasin se këta njerëz që kanë qeverisur deri më tani, në të dy nivelet e pushtetit, nuk dinë, apo nuk duan, mbase edhe nuk munden të qeverisin në interes të qytetarëve tanë të mrekullueshëm. Te cilët pa fajin e tyre kanë marr në sy rrugët e botës!
Kur mungon vizioni, prishet kohezioni. I një populli që nuk meriton të përjetojë edhe një “holokaust” të heshtur në mungesë të demokracisë e të perspektivës së premtuar.

SHKARKO APP