Vjedhja e bankës, Fullani thirret me “urgjencë” në prokurori

Ish-Guvernatori ndryshe nga koha kur ishte në detyrë,  dje në prokurori ka mbërritur pa makinën e tij luksoze si dhe pa shoqërinë e policisë që e riktheu në shtëpi nga qelia muaj më parë.  Në vend të shoqëruesve që për vite me rradhë i hapnin derën, në Prokurori  e shoqëronte vetëm  vajza, me të cilën është përpjekur t’i shmanget mediave.  Pas arrestimit dhe qëndrimit në burg për rreth një javë, ai  u la në “arrest shtëpie” nga Gjykata e Apelit dhe që prej asaj kohe qëndroi i mbyllur, të paktën para publikut (u pa vetëm një herë në Panairin e  Librit), derisa u paraqit dje pranë zyrës së prokurorit Ramadan Troci, në zbatim të vendimit të Gjykatës, që ndaj tij kishte caktuar masën e sigurisë “detyrim për paraqitjeje”. Në zyrën e prokurorit Troci, ish-guvernatori Fullani ishte i shoqëruar nga avokati Maksim Haxhiaj, ku firmosi proces-verbalin e paraqitjes. Ndërkohë, mes tyre u ra dakord që të këtë të premten, paradite, Fullani të paraqitet për të dhënë shpjegime në lidhje me akuzat e ngritura nga ana e prokurorisë. Burimet nga grupi hetimor thanë se edhe para prokurorëve Fullani ka refuzuar në paraqitjen e djeshme, të bëjë deklarime, duke mos dhënë përgjigje për vjedhjen e Bankës për të cilën ai akuzohet.  Ai akuzohet përveç përgjegjësisë që kishte mbi  vjedhjen e 713 milionë lekëve (të reja), edhe për veprimtarinë që ka kryer që kur mori detyrën e guvernatorit. Tenderat në dekadën e  fundit, me firmën dhe vulën e Fullanit nga ana e bankës, kanë ngritur dyshimet e organit të akuzës mbi abuzime të mundshme të tij. Akuza dyshon se ish-Guvernatori ka konsumuar veprën penale të “shpëdorimit të detyrës” në disa raste, akuzë kjo që mbetet ende në fazën e dyshimeve të prokurorisë. Prokuroria e Tiranës ka përpiluar deri tani tre dosje në lidhje me vjedhjen e bankës, që çoi më pas në shkarkimin e Fullanit, si dhe të vartësve të tij, të cilët do të gjykohen në një dosje të dytë. Në arrestimin e punonjësve të tjerë (19 në total), në një dosje tjetër janë tre personat që kryen direkt vjedhjen, ku Ardian Bitraj është i akuzuari kryesor.

SHKARKO APP