Vjedhja e energjisë, Gjiknuri: Pas biznesit, aksioni ndaj konsumatorëve

 

“Në fazën e parë të aksionit kemi bizneset e mëdha, si lokalet, karburantet, etj. Më pas do shtrihet kudo. Konsumatorët duhet ta kenë të qartë se procesi është i pandalshëm, se është me rëndësi që lidhjet e paligjshme duhet të shkëputen përgjithmonë. Shteti e ka marrë shumë seriozisht këtë proces dhe nuk tërhiqemi. Kjo është një betejë në mbështetje të qytetarëve të ndershëm ndaj abuzuesve, ndaj është një kauzë e drejtë dhe në mbështetje të ligjit”, deklaroi Gjiknuri.

 

Aksioni i së shtunës në Elbasan është përqendruar në zonën industraile pranë ish-kombinatit metalurgjik, ku po kontrollohen të gjitha bizneset dhe sipas ministrit Gjiknuri, vihet re një mospërputhje e faturës së energjisë elektrike me natyrën e biznesit në lidhje me konsumin e energjisë.

 

“Ajo që na ka shqetësuar është se në rrethinat e Elbasanit, kryesisht në zonën përreth metalurgjikut, ka pasur humbje të mëdha dhe këtu jemi fokusuar, duke bërë krahasimin tek faturat, tek klientë të dyshuar që paguajnë pak por që kanë aktivitet ekonomik intensiv. Kjo do të thotë se janë personat e parë të dyshuar”, nënvizoi Gjiknuri.

 

Ministri i Energjitikës ka shpjeguar me detaje dhe dënimin me burg për çdo abuzues. Ndërsa për konsumatorët debitorë, tha ai, nuk do të ketë ndëshkim me burg, ndërkohë që u kërkon atyre të nxitojnë të shlyjenë detyrimet.

 

“Kushdo që vjedh energj, ndërhyn në mënyrë të paligjshme, e rilidh pasi e ka ndërprerë operatori, vepra penale është ‘vjedhje me qëllim përfitimi’ dhe është vjedhje e pastër që dënohet deri në 3 vjet burg. Dënimi për bizneset është më i rëndë, pasi rrezikojnë deri në 5 vjet. Ka ardhur koha që njerëzit të ndërgjegjësohen dhe debitorët të paguajnë energjinë. Ka mënyra për pagesë të pjesshme dhe të tjera. Por nëse rilidhin energjinë, rrezikojnë dënimin”, shtoi Gjiknuri.

 

Gjatë aksionit që ka përfshirë të gjithë vendin për eleminimin e çdo lidhjeje të paligjhme të energjisë vetëm në qyetin e Elbasanit janë proçeduar mbi 18 persona. Si pasojë e kësaj janë rritur arkëtimet për energjinë elektrike. / Top Channel

SHKARKO APP