Vjeshta e trazuar e Kryeministrit

 

Nga Artur Zheji

Këto javë, ose më saktë që nga vizita e tij më e fundit në SHBA,  Edi Rama, ndryshe nga çfarë pritej, nuk është në ditët e veta më të gëzueshme kryeministrore.

Përkundrazi. Duket sikur i është shtuar vetmia politike dhe po i vijnë sulme dhe shprehje zhgënjimesh, edhe nga mjaft, tanimë ish-mbështetës të tij mediatikë. Ndërsa kundërshtarët e tij tradicionalë, kanë dhjetëfishuar trysninë.

Ka pra këto javë vjeshte, një mori “tërmetesh” të nëndheshme të padukshme, por edhe një mori tërmetesh të dukshme, që lidhen me performancën e qeverisjes së tij. Është madje e habitshme edhe një dukuri e re. Ndonëse marrëdhëniet e tij me pronarët e mediave, janë ose normale, ose të mira, marrëdhëniet me gazetarët, ndërmjet tyre edhe mjaft mbështetës apo simpatizantë të tij, janë vënë krejt në diskutim. Dhe kjo nuk është tashmë një shfryrje tavolinash, por një dukuri publike. Në ndërkohë, po shtohen lapsuset dhe “keqkuptimet” që burojnë nga Kryeministria.

Ashtu si edhe ishte Projekt-Ligji për shpifjen. I domosdoshëm për t’u rishikuar dhe për t’u rënduar.

I domosdoshëm për të rritur penalitetet dhe gjobat, sepse edhe Shpifja është bërë një Gjobë Publike tashmë e padurueshme në këtë vend xhungël. Dhe madje një profesion në vete dhe shumë fitimprurës, tash sa vite.

Por, një “por” me “P” të madhe, formuluar në mënyrë qesharake, diletante dhe krejt emocionale. Dhe si pasojë ka një nervozizëm që shton paqartësitë në zyrat kryeministrore.

Kjo nuk është ndonjë gjë për t’u gëzuar. Madje edhe gëzimi që shpreh opozita, do të ishte mirë të ishte më i moderuar, sepse kur punët nuk janë mirë, nuk janë mirë për të gjithë.

Për popullin, në radhë të parë!

Dhe pushteti, Pushteti dreqi e mori, nuk është gjithçka, në emër të të cilit mund të thuash gjithë çfarë krijimesh në të zezë.  Por “mëkatet” taktike dhe tradicionale të opozitës, mjaft e mjegulluar edhe ajo në linjat e qëndrimeve të veta, janë krejt të papërfillshme dhe krejt të justifikueshme, sidoqoftë.

Edi Rama, nuk dihet sepse, apo ndoshta për arsye më të thella të formimit të tij si artist, apo ndoshta prej të qenit artistikisht i dyzuar, ndërton Marrëdhënie të Paqëndrueshme, me shumë kënd. Miq, aleatë, mvartës apo kundërshtarë.

Dhe si pasojë e kësaj vetije, të shfaqur dhe të lexuar, po fiton terren perceptimi, se është një shtetar, me qëndrime, shpesh të paparashikueshme.

Mirëpo, Pushteti dhe Qeverisja, ndryshe nga krijimi, anon më shumë nga matematika dhe nga shkencat ekzakte, sesa nga arti. Nëse për piktorin gjenial, Salvador Dali’ për shembull, 2+2 = 100, sepse ajo ishte aritmetika e tij alternative dhe për këtë “mbrapshti” të Unit të tij, apo për këtë këndvështrim arrogant dhe artistik të realitetit, një pikturë e tij mund të blihet sot edhe 100 milion dollarë, mjerisht për një artist në qeverisje, ashtu si edhe në aritmetikë 2+2 bëjnë vetëm 4.

Asgjë më shumë dhe asgjë më pak. Kjo thjeshtësi mund të jetë torturuese dhe krejt mediokre në art, dhe ashtu është, por këto “konstante ekzakte”, nuk ndryshojnë dhe nuk duhet të ndryshojnë në inxhinierinë e qeverisjes.

Sepse ndryshe, një pallat mund të shembet dhe një digë mund të çahet.

Njerëzimi e ka krijuar prej kohësh Marrëveshjen e vet, që kulmohet me një Kontratë, e cila ka, gjithashtu aritmetikën e vet. Nëse bihet dakord, kushtet e saj vetëm zbatohen dhe krijimi është krejt i përjashtuar nga ky proces. “Krijimi” në këtë rast, quhet thjesht e vetëm: “Shkelje Kontrate”.

Unë mendoj se Edi Rama, që e ka ende kohën, energjinë dhe inercinë për t’u vetëpërsosur në këtë proces dhe në qeverisje, por duhet të bashkëprojektojë më shumë sesa të improvizojë. Me durimin dhe rezistencën psikologjike, që duhet të përsosë.

Leximi në publik, i një Kryeministri të dyzuar, është një perceptim që sjell dëme të pallogaritshme. Dhe nëse për një artist, Dyzimi është gjithçka dhe është vlerë dhe është gjenerator që krijon, Dyzimi për kryepushtetarin, herët a vonë, është vetëm shkatërrimtar.

Dhe Dyzimi më i madh publik, që lexohet, që rrjedh nga shumë gojë apo interpretohet nga shumë detaje të mëdha e të vogla, është qëndrimi i Dyzuar me aleatin e vet politik në radhë të parë.

Dhe mjaft sondazhe e rezultate rrëfejnë, përkundër parashikimeve të këshillonjësve të gabuar, ky qëndrim, nuk e dëmton por e favorizon, LSI. Që është në fakt, themeli që përbën numrat qeverisës të kryeministrit. Dhe duket se kryeministri, ka reflektuar për këtë.

Xhelozinë e rrethit të tij këshillues apo influencues, që mjerisht po dominohet nga njerëz me xhepa të fryrë dhe mendje të shfryra,  që po rrëfehet gjithnjë e më mediokër pra, në vlerësimet apo “konspiracionet” ndaj Ilir Metës, Rama duhet veçse ta jashtëqesë.

Sepse Ilir Meta, tanimë i ftohtë, me mjaft plagë të vjetra e vraga të reja në trup, por i qëndrueshëm, bëri të mundur, simbas respektimit të Kontratës Politike të paravendosur, që Edi Rama të mbërrijë realizimin e Ëndrrës dhe Ambicies më të madhe që një politikan mundet të ketë në karrierën e tij. Piedestalin Kryeministror.

Por nuk është vetëm marrëdhënia me Metën, që tanimë opinion publik, e ka një lexim të vetin. Çështja mbetet dëshira e paplotësuar për të besuar te Kryeministri dhe tek aftësitë e tij, në përzgjedhjen korrekte ndërmjet të arsyeshmes, të mundshmes, të duhurës nga njëra anë dhe të ëndërrueshmes nga ana tjetër.

Tërheqja nga projektligji më i fundit dhe në përgjithësi Tërheqjet e Ramës, e që shumëkush i lexon si Dobësi të tij, janë në të vërtetë, një përparim i shëndetshëm i të arsyeshmes. Dhe një aftësi pozitive vetëkorrigjuese e Edit. Ashtu si në rastin e heqjes dorë nga shkatërrimi i rrezikshëm i armëve kimike siriane, në fillimin e zbutjes së trysnisë fiskale, në tërheqjen e pardjeshme nga projektligji që parashikonte burg për shpifjen, e në të tjera raste, na rrëfejnë mbizotërimin e një tendence reflektive, në kapërcim të kokëfortësisë që të çon asgjëkundi.

Dhe ky është një lajm i vogël, por i mirë gjithsesi, në këtë Vjeshtë të Trazuar të Kryeministrit.

MAPO

SHKARKO APP