Vlerësimi i Perceptimeve si Pjesë e Zgjidhjes së Konflikteve
Nga Genc Mlloja
Një ndër shkencëtarët më të famshëm në botë Albert Ajnshtajn ka thënë se nëqoftëse do të kishte në dispozicion një orë për të shpëtuar botën, ai do t’i kushtonte 55 minuta përcaktimit të problemit dhe vetëm 5 minuta gjetjes së zgjidhjes. Sipas tij, investigimi i fakteve është më rezultativ se përpjekja për të zgjidhur problemin aty për aty. Sa më sipër, duket se ka gjetur shprehje në metodologjinë e ndjekur nga Fondacioni “Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi i Mosmarrëveshjeve” (FZKPM) në studimin e bërë në kuadër të programit “Forcimi i Sistemit të Drejtësisë për të Miturit në Shqipëri” 2013-2015, i cili ka patur mbështetjen e Save the Children Albania. Studimi “Vlerësimi i perceptimeve të nxënësve dhe mësuesve mbi konfliktet në shkolla”, i cili u paraqit për publikun më 19 dhjetor 2014 në Tiranë, është ndërmarrë duke patur si qëllim analizimin e perceptimit të nxënësve dhe mësuesve për konfliktet të cilat ndodhin në mjedisin e shkollës dhe formave që ata përdorin për zgjidhjen e tyre. Vetë programi në tërësi ka si qëllim fuqizimin dhe rritjen e kapaciteteve të institucioneve për mbrojtjen e fëmijëve në kontakt me ligjin për të ndihmuar në ri-integrimin e tyre në shoqëri përmes programeve parandaluese, rehabilituese, sociale dhe ligjore. Tashmë nuk është gjë e re të thuash se konfliktet vazhdojnë të jenë prezent në shkollat shqiptare sepse ata janë pjesë e jetës dhe realitet i çdo mjedisi në Shqipëri dhe kudo në botë. Po kështu është fakt se konflikti në shumë mënyra është një element i paevitueshëm i bashkëveprimit shoqëror.
“Konflikti nuk është problem – ai kthehet në problem kur menaxhohet keq dhe kur nuk adresohet në kohën e duhur”, konkludohet në studimin e Fondacionit, i cili është përpjekur të depërtojë në shkaqet e konflikteve duke përdorur metoda mikse të grumbullimit të të dhënave. Nisur nga kjo metodë hartuesit e studimit kanë përzgjedhur një popullatë që përbëhej nga nxënës dhe mësues dhe drejtues të shkollave. Këta janë rekrutuar në shkolla 9-vjeçare dhe të mesme, në rrethe të ndryshme si Tirana, Durrësi, Fier, Elbasan, Malësi e Madhe, Korçë, Shkodër dhe Vlorë. Këto janë qytetet në të cilat FZKPM zbaton projektin. Në këto rrethe janë intervistuar 57 mësues. Numri i nxënësve që u përshin në procesin e anketimit ishte 913 të rinj. Nxënësit u përzgjodhën në mënyrë rastësore me një shpërndarje të tillë që të kishte në përfaqësim sipas klasave (IX, X, XI, XII) dhe sipas gjinisë. 55% e të rinjve të intervistuar ishin vajza dhe 45% ishin djem. Pjesëmarrja e nxënësve sipas rretheve ishte: 12% nga Tirana, 13% nga Durrësi, 13% nga Fieri, 12% nga Vlora, 14% nga Malësi e Madhe, 12% nga Shkodra, 13% nga Korça dhe 12% nga Elbasani.
Në vlerësim u përfshin edhe 43 të mitur që vuajnë dënimin në Institutin e të Miturve Kavajë. Të miturit ishin të moshës 14-18 vjeç. Ata u janë përgjigjur pyetësorëve për periudhën kur kanë qenë në shkollë jashtë institucionit. Nga të dhënat e mbledhura nga nxënësit rezulton që konfliktet janë një problem serioz në shkollë. 53% e të intervistuarve konsiderojnë konfliktet një problem serioz. Për nxënësit që kanë qenë pjesë e programit ka një vlerësim më të thellë të situatave konfliktuale në shkollë, 61% e tyre i konsiderojnë konfliktet një problem akoma më serioz. Kjo lidhet edhe me ndjeshmërinë më të madhe që ata kanë rreth këtij problemi dhe angazhimin për adresimin e duhur të konflikteve. Kjo përforcohet edhe me informacionin që është mbledhur nga intervistat e zhvilluara me mësuesit. Mësuesit raportojnë që ka konflikte në shkolla, dhe në disa raste ata e kanë të vështirë ti menaxhojnë ato.
Nisur nga sa më sipër një konkluzion parësor është se shkolla duhet të ketë një fokus më të madh në fushën e edukimit të të rinjve për parandalimin e konflikteve. Drejtuesit e shkollave duhet të zhvillojnë kompetenca për menaxhimin e konflikteve në mënyrë efektive dhe të planifikojnë aktivitete për ndërgjegjësimin e të rinjve dhe mësuesve në bazë të nevojave specifike që ka shkolla. Por në të njëjtën kohë 80 për qind e mësuesve raportojnë si shumë të rëndësishëm rolin e psikologut dhe punonjësit social shkollor për këshillimin, ndjekjen e fëmijëve që përfshihen në situata konfliktuale. Nga ana tjetër në studim vihet në dukje rëndësia e përfshirjes më të madhe të prindërve në shkolla dhe rritja e bashkëpunimit nxënës- mësues-prindër për adresim e konflikteve në shkolla.Po kështu rekomandohet fuqizimi i grupeve të ndërmjetësimit të edukatorëve bashkëmoshatarë në shkolla që të mund të adresojnë situatat konfliktuale. “Edukimi i nxënësve në lidhje me ndërmjetësimin, dialogun restaurues, komunikimin, shprehi për menaxhimin e konflikteve të shtrihet tek një numër më i madh nxënësish”, thuhet në studim, i cili në të njëjtën kohë sugjeron zhvillimin e sanksioneve solide dhe pasojave për nxënësit që përfshihen në konflikte.
Si pjesë e zhvillimit të mëtejshëm të instituticionit të drejtësisë restauruese ky studim mbi konfliktet në shkolla shërben në përpjekjen e madhe për të korrigjuar e restauruar konfliktin që në fazën e pare në mënyrë që mos të lihet të përshkallëzohet e të kulmojë me pasoja më të rënda.
Meqenëse e filluam këtë shkrim duke iu referuar gjeniut Ajnshtan lidhur me këtë problem delikat dhe të ndjeshëm të shoqërisë shqiptare dhe të sistemit të drejtësisë ku përfshihet tashmë edhe drejtësia restauruese për të miturit më duket me vend thënia e tij: “Në çështje të së vërtetës dhe drejtësisë, nuk ka asnjë ndryshim ndërmjet problemeve të mëdha dhe atyre të vogla, sepse çështjet sa i përket trajtimit të njerëzve janë të gjitha njëlloj”.