Vlora dhe Berati, vlerësim tre femrave si personalitete
Nga Zenepe Luka
Në vargun e gjatë të vlerësimeve që bënë institucionet shtetërore, deri edhe tek Presidenti i Republikës në kuadër të 70- vjetorit të Çlirimit, rrallë shihje ndonjë emër gruaje. Kjo jo për faktin se mungojnë vlerat e kontributet e grave, por edhe këtë herë, doli në pah prioriteti i shoqërisë maskiliste në vendin tonë. Por Fondacioni Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi”, në kuadër të këtij jubileu, por edhe me rastin e 10- vjetorit të vdekjes së Ambasadores së Kombit, Nermin Vlora, i dërgoi kërkesë Kryetarit të Qarkut të Vlorë, Sadrit Danaj për t’u dhënë titullin “Personalitet i shquar i Qarkut” zonjës Ervehe Gorishti-Bazaj (pas vdekjes), e njohur si Lilo-Labja e Vlorës dhe dr.Makbule Çeço. Ndërsa kryetari i Qarkut të Beratit, Petrit Sinaj i dha titullin e “Mirënjohjes”, Miro Tërbaçit, vajzës trime, e shndërruar në legjendë. Ja motivacioni për secilën:
Ervehe Bazo Gorishti (Pas vdekjes)
Veterane dhe invalide e Luftës nacional-çlirimtare, ka marrë pjesë në demostratën e bukës organizuar në Vlorë, në prill të vitit 1942, për të vijuar më tej në rreshtat e parë në demostratën e madhe, për lirimin nga burgu të të rinjve vlonjatë të arrestuar e burgosur nga kuestura fashiste. Veprimtaria e saj ra në sy të fashizmit, që arrestuan dhe internuan babanë e saj Abaz Gorishtin, ndërsa Erveheja doli partizane në brigadën e pestë sulmuese. Rrethuar nga gjermanët, partizania trime vlonjate, u hodh nga Shkëmbi i Beunit në fshatin Vajzë, për të mos rënë e gjallë në duart e armikut, duke mbetur tërë jetën invalide, por duke u bërë frymëzim për gruan shqiptare.
Dr.Makbule Xhelo Çeço
Pinjolle e një familjeje patriote bolenase, intelektuale e shquar, femra e parë në postet më të larta të zv/kryeministres dhe Prefekte e Tiranës. Përgjatë katër dekadave, si pedagoge në fushën e Jurisprudencës, ka nxjerrë breza juristësh. Gjatë karrierës së saj dhe në vazhdim, ka dhënë e jep një kontribut të madh në mbështetje të gruas. Është themeluese e Fondacionit Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi” në janar të vitit 2002.
Miro Tërbaçi
Ajo u ngrit në këngë dhe mbeti në legjenda. U kthye në simbol të heroizmit të gruas shqiptare kundër pushtuesve dhe tiranisë.
Pikërisht, vajza tërbaçiote e veshur si djalë, që vrau Pashanë e Beratit, e cila ka marrë titullin e mirënjohjes nga ky qark.