Von der Leyen vlerëson Ramën për reformat drejt BE-së: Po punon fort për ta kthyer ëndrrën europiane në realitet
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka zgjedhur Shqipërinë si ndalesën e parë të turit të saj në Ballkanin Perëndimor. Përmes një postimi në rrjetin social X, Von der Leyen iu drejtua drejtpërdrejt kryeministrit Edi Rama, duke vlerësuar përpjekjet e qeverisë shqiptare në procesin e integrimit europian.
Ajo theksoi se reformat në fusha të rëndësishme, veçanërisht në drejtësi dhe mjedis, së bashku me një dialog të vazhdueshëm me shoqërinë, mbeten elementë kyç në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Jam e lumtur që e nis turin tim në Ballkanin Perëndimor nga Shqipëria. I dashur Edi Rama, po punon fort për ta kthyer ëndrrën europiane të Shqipërisë në realitet”, shkroi presidentja e Komisionit Europian.
Von der Leyen shtoi se objektivi i anëtarësimit është tashmë në horizont dhe se vijimi i reformave do të jetë thelbësor për përmbushjen e tij. Vizita në Shqipëri shënon nisjen e turit të saj në vendet e Ballkanit Perëndimor, në një periudhë kur procesi i integrimit europian mbetet një nga çështjet kryesore në agjendën politike të rajonit.

