Votimi nga SHBA për kryebashkiakët në Shqipëri

 

Nga Mimoza Dajçi

Sapo ka përfunduar proçesi i numërimit të votave për zgjedhjet Bashkiake 2015 në Shqipëri, ose Bashkiaket 2015 siç u quajtën nga mediat. Kush mundi, që pati kohë e dëshirë votoi, e hodhi votën në kutinë e votimit pranë zonës së banimit të tij/saj. Do të çuditeni, por edhe prindët e mi që tashmë jetojnë në Amerikë votuan. 
Po si, do thoni ju! 
Ja ashtu ndodhi që edhe ata votuan, por votuan në mënyrë imagjinare. 
Si të gjithë emigrantët që lenë pas vendin edhe prindët e mi në moshë madhore i mungon atdheu, kanë mall për vendlindjen. Edhe pse sa hapet dita lexojnë me vemendje gazetat shqiptare, përsëri boshllëkun e Shqipërisë nuk ja zëvëndëson asnjë gjë. Programet e ndryshme televizive shqiptare që ndjekin çdo ditë ja largojnë pak nostalgjinë, por gjithësesi tani në sezonin e zgjedhjeve kishin dëshirë të votonin. 
U gjenda në hall se si t'ja u plotësoja dëshirën, sepse edhe unë e kam provuar vetë se çfarë është malli për tokën mëmë. Mora një kuti kartoni dhe e përdora si "kuti votimi" sipër saj shkruajta Bashkiaket 2015. Ndërsa mbi letrën e bardhë hodha emrat e kandidatëve për Bashkinë e Tiranës, ku edhe ata kanë pas jetuar. 
Me padurim prisja të ngrysej nata, e të gdhihej dita që akrepat e orës të shënonin 7: 00. Pasi hëngrën mëngjesin, i shkova pranë me "kutinë e votimit".  
Çfarë është kjo më pyetën gjithë kërshëri?
Kuti votimi – i thashë. A keni dëshirë të votoni për Bashkiaket 2015?
Të dy, nënë e baba panë me mos besim njëri tjetrin. E me një "po" të madhe thanë: – Po! 
Votimi i ishte bërë rutinë, prandaj dhe e ndjenin për detyrë se duhej të jepnin votën e tyre për njeriun më të mirë e më të vlefshëm për fatet e vendit. 
Ja pra këtu do të votoni, e vota juaj do të njihet edhe në Shqipëri.
Po si – me tha mamaja e habitur – në ç'mënyrë.
Unë do të shkruaj një letër – i thashë – rreth kësaj historie të vogël me ju, e do ta dërgoj tek Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve në Shqipëri, besoj se ata do ta marin në konsideratë votën tuaj, edhe nese nuk do t'ju njihet vota, të paktën do të sensibiliziohet vendi që të meret në konsideratë edhe vota e diasporës.
Mirë – tha babai – hajde grua të votojmë, për hajër, do Zoti fiton kandidati ynë.
Dhe ashtu vepruan me vullnetin e tyre të lirë, e të pavarur firmosën emrin e kandidatit që mendonin se do të ishte më i miri për të ardhmen e vendit, palosën letrën e bardhë dhe e hodhën brenda "kutisë së votimit".
– Faleminderit – i thashë dhe i përqafova të dy. 
Më pas pimë sëbashku kafen e mëngjesit. Vura re se kjo kafe i shijoi më shumë se çdo ditë tjetër. Por edhe mua zemra mal mu bë nga gëzimi që arrita t'ja u bëj më të bukur ditën prindërve të mi.
 
New York

SHKARKO APP