Vrasja e katërfshitë, Demiraj ankohet për hetimet
. Me një letër, ai i ka shkruar Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe Ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri, duke renditur disa ankesa për ngjarjen, ku mbeti i vrarë djali i tij si dhe tre persona të tjerë. Pas kësaj letre, Llalla e Tahiri u kanë kërkuar vartësve të tyre, pjeësë e hetimit, që t’i përgjigjen ish-prokurorit Demiraj.
Ankimi tek Llalla e Tahiri
Në letrën që e ka përpiluar në disa faqe, drejtuar Ministrit Tahiri, babai i Arbër Demirajt, akuzon policinë për mos dhënien e ndihmës së parë ndaj djalit të tij. Ai pretendon se policia nuk e ka dërguar në kohë djalin në spital, por e ka lënë atë brenda në makinë, dhe është fokusuar më tepër tek kapja e autorëve të tjerë, ndërkohë që e ka lënë djalin e tij në pritje të auto-ambulancës. Në letër, që i është drejtuar për dijeni edhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi, ish- prokurori Demiraj pretendon se pas ngjarjes, policia nuk ka kryer hetime të plota. Përveç neglizhencës për dhënien e ndihmës së parë, ai prenton se policia nuk ka zbardhur mekanizmin e ngjarjes për të sqaruar mënyrën e vrasjes së djalit të tij. Këtë pretendim ish-prokurori Demiraj e ka renditur edhe në letrën drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm. Edhe pse dosja ka përfunduar tashmë në gjyq, familja e tij nuk është sqaruar se si është vrarë djali i tyre. Përveç kësaj, ish-prokurori Demiraj pretendon se edhe pistoleta që i është faturuar djalit të tij të vrarë, nga grupi hetimor, nuk është e vërtetë. Sipas tij, për të fshehur apo për të devijuar provat, policia dhe prokuroria i ka faturuar djalit pistoletën, e cila pretendon se ka qenë e të dyshuarit tjetër, Erald Sida. Skënder Demiraj është shprehur i sigurtë se djali i tij nuk mbante dhe nuk kishte pistoletë në momentin e ngjarjes.
Pretendimet ndaj hetimeve
Ish-prokurori Demiraj ankohet edhe për grupin hetimor të çështjes, pasi spas tij, nuk ka zbatuar procedurën penale, të marrjes së familjarëve në pyetje mbi ngjarjen, ku mbeti i vrarë djali i tij Arbëri, vetëm 19 vjeç. Si një njohës i mirë i ligjeve, ai ka pretenduar se është elementare në hetimin e një ngjarje, të merren në pyetje familjarët e viktimave dhe ata të njihen me dosjen që ka shkuar në gjyq. Skënder Demiraj as nuk nuk është pyetur për ngjarjen dhe as nuk është njoftuar për mbylljen e hetimit. Ditën e enjte, ora 10:30, pritet që Gjykata e Tiranës të nisë procesin gjyqësor ndaj Konstandin Xhuvanit, i akuzuar për vrasjen e 4-fishtë të ndodhur mëngjesin e datës 4 nëntor, në Rrugën e Elbasanit.