Zbardhen fondet për pronarët, pensionet dhe të përndjekurit

Qeveria miratoi programin buxhetor afatmesëm për shpenzimet në 3 vitet e ardhshme. Dokumenti përmban planin e qeverisë për shpërndarjen e shpenzimeve deri në 2019, duke përcaktuar kontekstin afatmesëm për buxhetet e dy viteve të ardhshme. Gazeta “Panorama” boton tabelën me planin e qeverisë për shpenzimet deri në 2019 për rritjen e pensioneve, fondin për kompensimin e pronarëve dhe ish-të përndjekurve politikë.

Në krahasim me 2018, fondi për rritjen e pensioneve shtohet në vlerë modeste. Në 2019, qeveria ka në plan të shpenzojë 1.300 milionë lekë për rritjen e pensioneve. Për këtë vit, rritja e pensioneve nis më 1 mars. Për të gjithë pensionistët, pensionet do të rriten 3 për qind. Nga rritja e pensioneve përfitojnë rreth 650 mijë pensionistë.

Fondi që do akordohet nga buxheti do të jetë 2.6 miliardë lekë. Nga 1 marsi nis edhe rritja e pagave për të gjithë punonjësit e administratës, mjekët, mësuesit, pedagogët, policët dhe ushtarakët. Rritja e pagave do të variojë nga 7 për qind deri në 34 për qind.

Rritja më e lartë do të jetë për pagat e ulëta në administratë. Fondi që do të përdoret për rritjen e pagave do të jetë 5.5 miliardë lekë.Në total, fondi për rritjen e pensioneve gjatë 3 viteve parashikohet 52 milion  dollarë, për kompensimin e pronarëve, 128 milionë dollarë dhe për ish-të përndjekurit, 62 milionë dollarë.

PENSIONET

Edhe për 2 vitet në vazhdim, qeveria ka në plan të rrisë pensionet. Duke iu referuar tabelave të programit buxhetor afatmesëm për 2018, qeveria ka planifikuar të shpenzojë 1.335 milionë lekë për rritjen e pensioneve. Rritja të pensioneve do të ketë edhe për 2019.

PRONARËT DHE ISH-TË PËRNDJEKURIT

Fondi për kompensimin e pronarëve në 2018 do të rritet. Referuar tabelave të programit buxhetor afatmesëm, qeveria ka programuar që në 2018 të rrisë 200 milionë lekë fondin e kompensimit, duke e çuar në vlerën e 4.000 milionë lekëve, nga 3.800 milionë lekë që është në buxhetin e 2017-s. Rritja më e lartë për fondin e kompensimit të pronarëve është planifikuar për buxhetin e 2019-s, duke e çuar atë në 5.000 milionë lekë.

Fondi për kompensimin e ish-të përndjekurve do të vazhdojë të mbetet i pandryshuar edhe në 2018. Ashtu si për këtë vit, fondi i kompensimit do të vazhdojë të jetë 2 miliardë lekë. Qeveria ka planifikuar që për 2019-n fondi për të ish-të përndjekurit ta rrisë 200 milionë lekë duke e çuar në vlerën e 2.2 miliardë lekëve.

SHKARKO APP