Zbulohen mbetjet e një piramide 3.700-vjeçare në Egjipt

Mbetjet e një piramide 3.700-vjeçare u zbuluan në gjendje të mirë në Egjipt në qendrën arkeologjike të Dahchourit, pranë Kajros, njoftoi sot Ministria e Antikiteteve.

“Piramida e vogël, që daton që prej dinastisë së 13-të (1.802-1.640 para Jezukrishtit) u gjet në nekropolin e Dahchourit, në jug të Kajros, në gjendje të mirë ruajtjeje”, theksoi ministria.

“Arkeologët egjiptianë kanë zbuluar gjithashtu një korridor që të çon në brendësi të piramidës, zgjatur nga një devijim”, sipas komunikatës.

“Ekipi do të vazhdojë gërmimet në qendër për të gjetur pjesën e mbetur të piramidës”, vijon komunikata.

Arkeologët kanë gjetur një bllok të vogël në alabastër të nxirë ku duken mbishkrimet në hieroglife, si dhe një parvaz graniti dhe blloqe gurësh që mundësojnë për të mësuar më shumë për arkitekturën e brendshme të piramidës.

Gërmimet sapo kanë filluar dhe ende nuk dihet përmasa e piramidës. Në fotot e publikuara nga ministria shihen vetëm blloqe gurësh dhe fillimi i korridorit.

Zbulimi u bë pranë piramidës në formë romboidi në Dahchour, ndërtuar nga Faraoni Snefru, themelues i dinastisë së katërt (2.600 para Jezukrishtit) dhe babai i faraonit Kheops, i cili i ka dhënë emrin e tij një prej piramidave më të njohura egjiptiane, në pllajën e Guizeh.

“Egjipti do të numëronte të paktën 123 piramida”, theksoi arkeologu Zahi Hawass, ish ministër i Antikiteteve.

SHKARKO APP