Rama drejtuesve politikë dhe ministrave: “Nëse nuk e keni mirë me qytetarët, nuk e keni mirë as me mua”!
“Nëse nuk e keni mirë me qytetarët, nuk e keni mirë as me mua”,-mësohet t’u ketë thënë Rama sot ministrave dhe drejtuesve politikë. Ka përfunduar takimi i zhvilluar te Vila e Kuqe, ku kryeministri Edi Rama u ka dhënë detyra drejtuesve dhe deputetëve socialistë për punën në terren.
Kreu i qeverisë ka kërkuar forcimin e pranisë së strukturave të Partisë Socialiste në territor dhe një komunikim më të drejtpërdrejtë me qytetarët. Gjatë takimit me drejtuesit politikë dhe ministrat, Rama ka kërkuar një skemë të personalizuar, ku drejtues politikë, deputetë, ministra dhe zëvendësministra të jenë të dedikuar për zona të caktuara.
Takimet me qytetarët, sipas kërkesës së tij, duhet të zhvillohen çdo javë, me fokus evidentimin dhe adresimin e problematikave lokale. Në fokus është edhe “Pasqyrë Albania”, për të cilën Rama ka kërkuar që të mos mbetet thjesht një platformë, por të formalizohet me ligj.
Kryeministri u ka kërkuar të takohen me njerëzit dhe të punojnë për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, pavarësisht bindjeve të tyre politike.
Ende nuk ka një datë të përcaktuar për mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste. Ditën e nesërme, kryeministri pritet të zhvillojë një takim me drejtuesit politikë dhe deputetët e Tiranës, në periferi të kryeqytetit.
KOHA JONË SONDAZH

