Zemërimi i një të papuni!
Nga Orest Çipa
Të jesh i papunë je një hiç! Je si unë, trend i kohës, të jesh i papunë je një shqiptar i vërtetë .
E thashë gabim! Të jesh si unë je një hiç, ama, je udhëtar i përhershëm në kërkim të thesarit X aty gjetkë në Europën e mundësive imagjinare apo këtu në tokën mëmë më reale se kurrë.
Ndoshta ky rrëfim, apo kjo letër nuk është e përshtatshme për të shkruajtur apo thënë disa gërma të cilat peshojnë sa zbraztia e pamasë që një pjesë e mirë e shqiptarëve e fshehin dhe e vuajnë poshtë kraharorit të tyre.
Ky rrëfim, s’ka destinacion konkret por ka stacione e ministacione të mbushura plot e përplot me udhëtarë nga i njëjti destinacion…
Shumë prej tyre s’kanë lek të blejnë gazetën, dhe vërtet mbetet një rrëfim i cili mund të kalojë gojë më gojë dhe të ngopë sadopakë barkun bosh të shpresës së venitur me “qarje e halli”, pasi asgjë s’bën përshtypje në këtë realitet me ngjyrë gri, njësoj me ngjyrën e rrëfimit tim!
Pamundësinë e aktivizimit të kockave që gati po ndryshken pa mbushur 30, ndokush e heq me mish e me shpirt këtë dhimbje, një barrë e madhe e cila i shtohet edhe me shumë familjes së tyre dhe familjes së madhe të të papunëve.
Shtëpia, kur je i papunë duket si “varr i hapur” ! Kur je i papunë qetësia strehës së saj dhe pritshmëria e njerëzve në të , që janë aq sa të afërt por edhe të panjohur ndonjëherë sa që të heq shijen e të qënit njeri në kërkim të një mundësie.
Llafe, lart e posht, dita – ditës premtimi po ngrys durimin, por është koha më e mirë dhe më e çmuar për matrapazët, të cilët më mirë se çdokush dinë t’ja masin pulsin hallexhiut . E këta të dytët jetojnë me gënjeshtrën!
Ata që punojnë prej vitesh në administratë apo janë pjesë e urave ndërlidhëse popull – pushtet, papunësinë, këtë dobësi që dhemb e shesin shtrenjtë, e shesin vetëm me llafe, vetëm me pritje në kohë që sërish ja heq ç’do shpresë fukarait .
Të papunit që gënjën veten më shpresa të kota pas premtimeve e lë pas në kohë dhe e merr në qafë siç më mori mua . Hëhë! Mendojnë se nuk e kam kuptuar unë!
Premtimi nuk është më virtyt që merr frymë në orgjinën e shqiptarëve, tani me gjysëm zëri nëpër dhëmbët e mbetur të krenarisë së tij premtimit hera- herës i thuhet “Rrahmet pastë”!
Mmm.. Ose do zoti ringjallet !
Por për çudi, pardje duke ecur rrugës së qytetit tonë të kudo ndodhur dhe me shpresën e një të gjori mos gjeja një vend pune të “rënë nga qielli”, pash të ribotuar Migjenin, mendova se ai u ringjall!
E duke ecur me hapa që stë çojnë kurrëkund thashë me vete : “mospasja ringjallet, po për çudi a vdes”?!
Në këtë udhëtim ngjyrë gri, monologu i hallit tim më kish bërë të mendoja se unë po tërhiqja vëmendjen e kalimtarëve dhe fjalët e mia të brendshme me zë gjynafqari dëgjoheshin në veshin e shurdhët të tyre, por e kundërta ndodhte, halli i çdonjërit ka zë vetëm për të dhe hallëvuajtësit e tjetrit janë të padukshëm.
Sa keq thashë me zë që kish zë!
E vazhdova sërish me vete, kush mund ta ketë më të fortë grushtin se lypsari i vargjevet të Migjenit mendova unë ? Ca hapa me tej në lumturinë e kësaj vuajtjes sime mjerane unë e gjeta përgjigjen !
Grusht më të fuqishëm se lypsari i tregimeve të Migjënit mund ta kenë nipërit e tij, shqiptarët e kohës së sotme që ende mbeten në përpëlitje.
Nejse , nuk është koha për të punuar rrëfyes pesimist apo për të bërë monologje kuturu, është koha për të mbledhur veten.
Qytetit sapo i ikiën dritat …. unë kisha mbetur në pritje para semaforit dhe më kujtohet ngjyra e verdhë e këmbësorit por nuk e dija a ish ndezur pas këmbësorit të kuq apo këmbësorit jeshil, kështu që mbeta qeparis në këmbë!
Qytetit si për çudi ju rikthye drita fill pas mëdyshjes sime , por rruga tashmë ish bllokuar sërish nga kalvari i çrregullt i makinave që përpiqeshin ku e ku ta kalonin rrugën më parë, a thua se punët si prisnin?
U ktheva sërish për andej nga kisha ardhur, për në shtëpi.
Por, kënaqësia e zakonshme e këtij udhëtimi të shkurtër drejt shtëpisë kish kohë që unë nuk e shijoja nga frika se Gregori i Kafkës do më gjunjëzonte ashtu siç bëri liria e të shprehurit që më la pa punë …Arberianews.com