Zëri qytetar kumbon në ditën e 92-të përballë Kryeministrisë: Janë mbledhur për t’i thënë ‘shporru’ kësaj qeverie
Nga foltorja e ngritur përballë Kryeministrisë, në ditën e 92-të të protestës qytetare, ka folur edhe aktivisti Arben Kola, i cili lëshoi akuza të forta ndaj mazhorancës.
Gjatë fjalës së tij, Kola u ndal te takimet e zyrtarëve të qeverisë në verilindje, duke deklaruar se pushtetarët nuk kanë më mbështetje në atë rajon.
“Shqiptrët janë mbledhur për t’i thënë ‘shporru’ kësaj qeverie. Sot të pabesët dhe patronazhistët e nisën ‘besën’ në qytetin e besës, në Kukës. Të pabesët nuk kanë më vend në Kukës, nga ku vij edhe unë! Ju bëj një thirrje gjithë patronazhistëve dhe të pabesëve të kapur pas sistemit: ju e keni lënë këtë qytet në harresë, e keni shpopulluar. Nuk mjafton ndriçimi që i bëjmë atdheut përmes Fierzës, ku kuksianët akoma nuk kanë marrë dëmshpërblimin për tokat e tyre të përmbytura,” – deklaroi Kola.
Në përmbyllje të fjalës së tij përpara turmës së mbledhur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, aktivisti u bëri thirrje qytetarëve për përballje të drejtpërdrejtë me përfaqësuesit e ekzekutivit.
“Tradhtarët ndiqini me vezë e domate kudo që t’i shihni! Ndiqini hajdutët në qeveri siç ndiqni hajdutët kur vijnë në shtëpi!” përfundoi ai fjalën e tij.
Me mbërritjen e marshimit përpara godinës së ekzekutivit, në ditën e 92-të të protestës, kanë nisur fjalimet zyrtare nga foltorja e ngritur përballë Kryeministrisë. Aktivistja Sidorela Vatnikaj i është drejtuar turmës me një apel të fortë për ndryshim rrënjësor politik dhe bashkim të qytetarëve.
Gjatë fjalës së saj, Vatnikaj nënvizoi se qëndresa tre-mujore ka provuar se qytetarët refuzojnë të pranojnë më modelin e vjetër të rrotacionit politik.
“Jemi sot në ditën e 92-të të protestës dhe thërrasim si në ditën e parë për revolucion. Ne u kemi treguar se nuk jemi të gjithë të kriminalizuar e të korruptuar dhe nuk zgjedhim më mes dy liderëve autokratikë, por zgjedhim Shqipërinë së bashku! Në 36 vjet na kanë detyruar që të zgjedhim të keqen më të vogël,” – deklaroi ajo.
Më tej, aktivistja denoncoi përpjekjet për përçarjen e lëvizjes qytetare, duke theksuar se rezistenca po vazhdon për një koncept të ri shtetformimi.
Në ditën e 92-të të protestës përpara Kryeministrisë, mes zërave që iu drejtuan turmës ishte edhe një nënë e kthyer nga emigracioni, e cila falënderoi qytetarët për qëndresën përballë temperaturave të larta dhe lodhjes, ndërsa u bëri thirrje prindërve të tjerë t’i bashkohen të rinjve në shesh.
Përmes një mesazhi mobilizues, ajo tregoi arsyen pse vendosi të linte jetën jashtë Shqipërisë për t’u bërë pjesë e lëvizjes qytetare në kryeqytet.
“Keni sfiduar vapën, lodhjen dhe keni ardhur në protestë. Unë jam një nënë shqiptare e kthyer nga emigracioni sepse thashë se atdheu është në rrezik. Nënat e tjera duhet të vijnë këtu në krah të fëmijëve tanë!” apeloi ajo nga foltorja.
Më tej, protestuesja denoncoi incidente gjatë rrugëtimit të marshimit nga Sheshi “Skënderbej” drejt godinës së ekzekutivit, ku sipas saj pati tentativa për të provokuar turmën.
“Patronazhistët, në kohën që bënin marshim protestuesit, hidhnin vezë nga lart. Ata mundohen me çdo mënyrë të provokojnë protestuesit, por nuk do të fitojnë asnjëherë sepse kauza e tyre është e sëmurë dhe e vdekshme. Kauza e protestuesve është e madhe dhe e fuqishme sepse kërkon mbrojtjen e të drejtave. Ndaj kauza jonë është e qartë, ajo është e pavdekshme! Vala e protestuesve nuk pushon asnjëherë!” përfundoi ajo.
Një qytetar tjetër që ju bashkua folësve të këtij tubimi popullor, theksoi përpara protestuesve në sheshin përpara Kryeministrisë, se pushtetarët kanë larguar 2 milionë njerëz nga Shqipëria.
Ai e cilësoi këtë si një situatë të rëndë që as pushtuesit nuk e kanë bërë, ndërsa bëri thirrje për rezistencë deri në largimin e tyre nga qeveria.
“Nuk e ka bërë as pushtuesi më i rëndë. Kanë ikur këtu 2 milion e ca njerëz nga qeverisja e këtyre. Shqiptarët duhet t’i zbresin nga karriget.
Ka njerëz të shkolluar. Ne duhet të ndryshojmë vendin tonë. Këta 35 vjet kanë shikuar të mbrojnë kastën e vet, të mbushin xhepat e veta dhe të përzënë të tjerët.”, tha ai.
KOHA JONË SONDAZH

