Zgjedhjet e 30 qershorit, 13 mijë policë do të jenë të gatshëm, përshirë dhe forcat komando
Kur duhet dhe më pal se një javë nga data e zgjedhjeve, policia ka përfunduar trajnimin e efektivëve dhe po punon për krijimin e kushteve të mbarëvajtjes së procesit për ditën e votimeve.
Rreth 7000 mijë efektivë policie pritet të angazhohen në terren me 30 qershor në qendrat e votimit, të cilët do të mundësojnë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Ashtu siç e parashikon dhe kodi zgjedhor që punonjësit e policisë duhet të qëndrojnë jashtë qendrave të votimit, hartuesit e planit pranë policisë së shtetit kanë parashikuar të vendosin 2 efektivë për qendër votimi.
Për shkak të mungesës së burimeve njerëzore, efektivët në rrethe do të ndihmohen nga ata të policisë kufitare dhe ata të ruajtjes së objekteve.
Gjithashtu për garantimin e rendit dhe sigurisë në funksion të punonjësve të policisë do të vihen në dispozicion dhe rreth 350 makina civile dhe automjete të drejtorisë së kufirit dhe migracionit.
Në bazë të nenit 42 dhe 114 të kodit zgjedhor, punonjësit e policisë do të kenë për detyrë krijimin e rendit jashtë dhe brenda qendrës së votimit nëse do jetë e nevojshme, por dhe shoqërimin e kutive të votimit apo materialeve për në vendin e numërimit të votave.
Rreth 270 punonjës policie që ruajnë 93 objektet e rëndësisë së veçantë do të lirohen nga detyra vetëm për një ditë dhe do angazhohen për garantimin e rendit.
Mbrojtja e këtyre objekteve do të kryhet nga forcat “komando”, kjo pas miratimit të urdhrit të përbashkët të Ministrit të Brendshëm dhe Ministrit së Mbrojtjes dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.
Krahas këtyre punonjësve policia do të mbajë në gatishmëri pjesën tjetër prej rreth 5000 efektivësh, të cilët mund të angazhohen nëse do ketë përplasje, përfshirë këtu dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë.
Policia e shtetit do të marrë në mbrojtje materialet dhe objektet zgjedhore në të gjithë vendin që prej mbrëmjes së 29 qershorit.