Zgjedhjet e parakohshme në Cërrik, procesi i shpërndarjes së materialeve po vonohet
Bashkia e Cërrikut është pjesë e 5 bashkive që nesër do të kenë zgjedhjet e pjesshme lokale. Në këtë bashki 38.740 qytetarë do të kenë mundësinë të zgjedhin kryebashkiakun e ri.
Kryetari i KZAZ nr. 47, Krenar Karaj thotë se procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore është në zhvillim e sipër dhe po ecën “deri diku normalisht”, megjithëse nuk ka përfunduar ende. Sipas Karajt, vonesat janë shkaktuar nga dorëzimi i vonuar i listave të komisionerëve nga subjekti politik Partia Demokratike, e cila mbështet kandidatin e pavarur Amarildo Hoxha.
“Procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore në bashkinë Cërrik nuk ka përfunduar ende, edhe pse kemi filluar shumë herët dhe jemi tashmë në orët e para të mbrëmjes së së shtunës. Vonesa ka ardhur pasi subjekti politik PD, mbështetës i kandidatit të pavarur Amarildo Hoxha, ka dorëzuar listat e komisionerëve me vonesë, duke penguar ritmin e shpërndarjes së materialeve zgjedhore. Megjithatë, jemi duke vijuar dhe presim ta përfundojmë procesin në orët në vijim”, deklaroi Karaj.
KOHA JONË SONDAZH

