Zgjedhjet, Gjiknuri thirrje emigrantëve: Kthehuni për të votuar
Nga Himara e Lukova ku ndodhej për prezantimin e kandidatit për deputet të Partisë Socialiste Adrian Gurma, drejtuesi politik i Qarkut të Vlorës Damian Gjiknuri u bëri thirrje emigrantëve që të rikthehen në atdhe në 18 Qershor për të votuar.
“E rëndësishme është që ata të vijnë, të marrin pjesë në votime dhe siç e thashë, një pjesëmarrje e lartë në votime do të na japë qëndrueshmëri në qeverisje për 4 vitet e ardhshme.
Me mbështetjen ndërkombëtare dhe me thellimin e reformave jam i sigurt se qeveria në mandatin e ardhshëm do të jetë jashtëzakonisht shumë më e mirë”, premtoi Gjiknuri.
Në cilësinë e drejtuesit politik të Qarkut, Gjiknuri do të mbulojë edhe Bashkinë e Himarës ndërsa Lukova është në përgjegjësinë e kandidatit Adrian Gurma.
“Jemi një skuadër fituese dhe për këtë do të luftojmë fort. Kam besimin se do të kemi mbështetjen tuaj maksimale”, u shpreh Gurma ndërsa kërkoi mbështetjen e qytetarëve.
Gjiknuri u ndal më tej tek vlerat e kandidaturës së Gurmës në raport me shërbimin dhe përkushtimin ndaj qytetarëve.
“Ai është nga Lukova, pra pjesë e Bashkisë suaj dhe siç e tha vet, mua më ka bërë përshtypje si një djalë që la Tiranën, kur në fakt të gjithë mjekët duan të shkojnë në Tiranë ose ikin jashtë.
Ky bëri të kundërtën, erdhi në Sarandë për ti shërbyer komunitetit dhe ky është një akt domethënës që pak e bëjnë në këto kohë”, nënvizoi Gjiknuri.
Kryebashkiaku i Himarës Jorgo Goro shprehu bindjen në një sukses të padiskutueshëm elektoral për Partinë Socialiste në këtë bashki.
“Unë jam i bindur dhe këtë e them me krenari, se Bashkia e Himarës do të dalë më mirë se në zgjedhjet e 2013-tës, falë punës suaj, falë kujdesit të qeverisë dhe falë asaj se çfarë do të bëjmë ne në të ardhmen”, theksoi Goro.