
Ish-deputeti Lefter Maliqi, i cili ka konfirmuar ambicien e tij për të garuar për drejtimin e Bashkisë së Kuçovës, për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 9 maj 2027. Maliqi deklaroi se e konsideron veten kryetar de facto të bashkisë dhe se kandidatura e tij ka marrë mbështetjen e Ilir Metës dhe Sali Berishës. Ai bëri të ditur se ka zhvilluar disa takime me Metën, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet politike në vend dhe situatën në qarkun e Beratit.
“Jam drejtues politik i Partisë së Lirisë. Jam takuar disa herë me Metën në paraburgim. Kemi diskutuar shumë gjëra për zhvillimet politike, edhe për qarkun e Beratit. Jam kandidati i vetëm i Partisë së Lirisë për zgjedhjet lokale”, u shpreh Maliqi.
Më tej, ai theksoi se ka vënë në dijeni edhe kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, për synimin e tij për të kandiduar në Kuçovë. Maliqi pranoi se për të fituar këtë bashki, e cila tradicionalisht konsiderohet bastion i së majtës, është i nevojshëm bashkëpunimi me demokratët dhe socialistët e pakënaqur.
“Kësaj radhe unë kam komisionerë të barabartë, numërues, fonde dhe KZAZ të njëjtë. Nëse humb, është faji im”, deklaroi ai. Në fund, Maliqi u zotua se në rast fitoreje do të sjellë një ndryshim të madh në Kuçovë, duke e kthyer qytetin në një model zhvillimi për vendin.
