Zgjedhjet në PD, Basha: Gati për betejën e madhe

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ishte në degën e kësaj partie në njësinë numër 8, ku si anëtar votoi për zgjedhjen e kryetarit të ri të degës.

Në një prononcim për media pas votimit, Basha vlerësoi procesin zgjedhor duke thënë se janë zgjedhur 845 kryetarë grupseksionesh, dhe po me parimin ”një anëtar, një votë”, po zgjidhen edhe kryetarët e degëve.

Basha theksoi se pas zgjedhjes së kryetarëve të degëve do të mblidhet Kuvendi Kombëtar për t’u pasur më pas me krijimin e shtabeve elektorale dhe politike të Partisë Demokratike për të qenë gati për zgjedhjet.

”Siç e shikoni, shiu nuk i ka ndaluar qindra demokratë të degës nr 8 në zemër të kryeqytetit të marrin pjesë në përfundimin e procesit zgjedhor në zgjedhjet për kryetarin e kësaj dege. Si anëtar i kësaj dege kam patur privilegjin të hedh votën e parë në këtë proces. Në të gjithë Shqipërinë për herë të parë me parimin një anëtar një votë janë zgjedhur mbi 845 kryetarë grupseksionesh dhe po zgjidhen me të njëjtin parim nga anëtarësia e degëve edhe kryetarët e degëve të PD. Kjo do ti hapë rrugë Kuvendit Kombëtar të PD, zgjedhjes së Këshillit Kombëtar, dhe krijimit të shtabeve elektorale dhe politike të Partisë Demokratike dhe të mbarë opozitës për betejën e madhe që na pret, betejë të cilën e kemi nisur duke ofruar një model të hapjes, të konfirmimit të vlerave, të luftës pa kompromis kundër infiltrimit të krimit në politikë dhe ofrimit të një modeli të ri, të një modeli të vlerave, të një modeli të energjive patriotike, të një modeli të konkurencës së lirë, që nesër do tua ofrojmë shqiptarëve dhe Shqipërisë për ti çliruar nga zgjedhja e krimit dhe korrupsionit. Ju uroj suksese kandidatëve dhe dua të shpreh vlerësimin për pjesëmarrjen maksimale në këtë proces votimi anembanë vendit”, u shpreh kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

SHKARKO APP